Pse është e rëndësishme të kuptohet roli i të famshëmve në rrjetet sociale
Fiksimi ynë me të famshmit sigurisht nuk filloi me rrjetet sociale. Që nga epoka e artë e Hollywood-it në fillim të shekullit të kaluar, kemi mësuar të adhurojmë ata që arrijnë famë, duke fituar, si të thuash, titullin e “yllit”.
Për vite me radhë, kinemaja na ka prezantuar me standarde të pakonkurrueshme të bukurisë, që kufizohen me përsosjen. Ekipet e artistëve të make-up-it, stilistëve (si dhe kirurgëve) u kujdesën për pamjen e yjeve, në mënyrë që ata gjithmonë të dukeshin perfekt, të paprekshëm.
Sot situata është pak më ndryshe. Falë mediave sociale, ne vijmë në kontakt “të drejtpërdrejtë” me çdo yll dhe zbulojmë aspekte të jetës së përditshme që më parë ishin të destinuara të mbeteshin private.
Kjo na bën të ndihemi më pranë tyre, pothuajse sikur ata të jenë njësoj si ne. I shohim të postojnë foto me rroba të shtrenjta, dieta revolucionare, pushime ëndrrash dhe kemi tendencën të krahasojmë jetën tonë me të tyren.
Pikërisht për shkak të kësaj afërsie që ndiejmë, krahasimi duket i barabartë, por shpesh harrojmë se pas atyre fotove dhe historive shpesh ka marrëveshje reklamimi ose sponsorizime dhe se, megjithëse duan të japin pamjen e të qenurit “njerëz të zakonshëm”, shpesh këta personazhe jetojnë në një botë krejt tjetër.
Ndjekja e një personi të famshëm në mediat sociale nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe, por le të përpiqemi t’i kujtojmë vetes gjithmonë, se përpjekja për të imituar jetën e tyre (shpesh të shtrenjtë) nuk do të na bëjë yje.
Pse është e rëndësishme të mësosh të thuash “jo”
Shpesh e gjejmë veten në punë, veçanërisht nëse jemi në hapat e parë, duke pranuar çdo lloj kërkese. “Të sapoardhurit” shpesh janë ata që u besohen të gjitha detyrat e lodhshme që të tjerët nuk pranojnë t’i bëjnë. Ne i pranojmë, pothuajse duke i falënderuar për mundësinë, sepse ndiejmë se “kjo do të na bëjë të rritemi”.
Megjithatë, fatkeqësisht, nuk është kështu. Pranimi i një detyre ose një pune që dikush tjetër nuk dëshiron ta bëjë, ose ndoshta me një çmim më të ulët nëse do të ishim vetë pronarë, mund të krijojë precedentë të rrezikshëm, të cilët rrezikojnë të na shtyjnë në një rrugë pa krye.
Të mësosh të thuash “jo” është një hap shumë i rëndësishëm për këdo që dëshiron të ndërtojë një karrierë bazuar në rregulla që i vendos vetë. Përballë disa mundësive që mund të duken të humbura dhe na bëjnë të ndiejmë se kemi dështuar, ajo që fitojmë kur mësojmë të refuzojmë disa oferta është vlera e kohës dhe punës sonë.
Në këtë mënyrë, do të jemi në gjendje të investojmë në veten tonë, dhe në të njëjtën kohë të njihemi për atë që ia vlejmë vërtetë.
Pse zemërimi është një ndjenjë më komplekse nga sa duket
Zemërimi është një ndjenjë e zakonshme që kemi të gjithë dhe që secili e menaxhon në mënyrën e vet. Sidoqoftë, kemi pasur gjithmonë tendencën ta shohim zemërimin në një mënyrë thellësisht të ndryshme, varësisht nga fakti nëse subjekti është një burrë apo një grua.
Një grua e zemëruar shpesh shihet si histerike, e paaftë të menaxhojë emocionet e saj. Edhe kur zemërimi justifikohet nga vite torturash dhe abuzimesh, nëse një grua e shfaq, shoqëria ka tendencën ta shohë si diçka ekstreme, jo femërore, të gabuar.
Në të kundërt, një burrë i nxitur nga zemërimi shpesh shihet si burrëror, i fortë, i vendosur. Mendoni për shembull një mori filmash në të cilët shohim një hero, mashkull, i cili përdor zemërimin e tij për t’u hakmarrë për një dëm që ka pësuar.
Për vite me radhë, kjo ka bërë që gratë ta brendësojnë këtë ndjenjë, ta mbyllin brenda vetes. Mizogjinia e thellë që, ende sot, përshkon shoqërinë tonë na tregon se zemërimi i grave është pasojë e ndonjë çrregullimi mendor, duke fshehur atë që mund të bëhet: forcë.
Falë lëvizjes #metoo, gjithnjë e më shumë gra po gjejnë guximin të ulërasin zemërimin e tyre, për të raportuar sjelljet e keqija që u është dashur të vuajnë në heshtje për vite me radhë. Kur edhe gratë mund të shprehen në të njëjtën nivel me burrat, atëherë mund të themi se jetojmë në një shoqëri të drejtë.
Përse “suksesi” nuk është e kundërta e “dështimit”.
Çfarë do të thotë të arrish sukses? Për një shkrimtar, do të thotë të ketë shumë lexues që blejnë librat e tij. Për një këngëtar, do të thotë të shesë shumë dhe të këndojë para mijëra njerëzve. Për një aktor, do të thotë të aktrojë për regjisorë të mëdhenj në produksione të mëdhaja. Secili profesion, secila rrugë, ka përkufizimin standard të “suksesit”.
Megjithatë është gjithashtu e mundur të dështosh në të paturin sukses. Për shumë, veçanërisht ata që e gjejnë veten aq të suksesshëm saqë njihen, deri edhe përndiqen nga adhuruesit e tyre, përvoja mund të jetë tjetërsuese. Kjo nuk do të thotë të mos vlerësosh atë që ke, por do të thotë të pranosh se suksesi nuk është ai që shpesh na përshkruhet.
Për këtë arsye, kur një person i suksesshëm arrin të jetë i hapur dhe i sinqertë për problemet e tij, për vështirësitë jo vetëm të së kaluarës, por edhe të së tashmes, mund të mësojmë shumë. Kur një person që duket se ka gjithçka është në gjendje të na tregojë dobësitë e tij, ndjehemi më të lidhur dhe mund të shohim anën njerëzore. Ata na bëjnë të kuptojmë se suksesi nuk është domosdoshmërisht diçka e prekshme dhe materiale, dhe se paratë me të vërtetë nuk sjellin lumturi.
Suksesi i vërtetë, nëse duam ta quajmë kështu, është lumturia që secili prej nesh mund ta gjejë vetëm brenda vetes. Kur e kuptojmë se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme për ne, atëherë mund të dimë vërtet nëse jemi të lumtur.
Çfarë mund të kujtojmë nga ky libër?
Dështimi në diçka shpesh shihet si fundi i diçkaje. Megjithatë, a jemi vërtet të sigurt që është kështu? Kushdo që ka arritur sukses do të na thotë të kundërtën. Dështimi është një përvojë me të cilën të gjithë do të përballemi në jetë dhe duhet të mësojmë ta trajtojmë atë në mënyrën e duhur.
Nga guximi për të qenë vetvetja, pa ndryshuar për të kënaqur të tjerët, tek marrja e frerëve të karrierës tënde, gjëja që duhet mbajtur mend është se dështimi nuk është fundi, por shpesh është vetëm fillimi i diçkaje edhe më të madhe.
Sapo keni mësuar idetë kryesore të librit “How to Fail: Everything I’ve Ever Learned From Things Going Wrong’’.