Nga Jiang Xisheng, Kryesekretar i Bordit të Huawei
Rregullatori i telekomit suedez PTS, kohët e fundit përjashtoi operatorët e vendit nga përdorimi i pajisjeve Huawei në rrjetet e tyre 5G, duke justifikuar se çdo shitës me qendër në Kinë paraqet një kërcënim automatik për sigurinë kombëtare suedeze.
Keqkuptime të tilla mund të pengojnë familjet dhe bizneset suedeze të përfitojnë nga novacionet teknologjike të Huawei.
Huawei u themelua në vitin 1987, dhe unë u bëra pjesë e kompanisë në 1989. Në atë kohë bankat hezitonin të jepnin para për ndërmarrjet e vogla fillestare. Huawei u desh të mblidhte kapitalin duke shitur aksione te punonjësit, një marrëveshje që vazhdon deri më sot. Punonjësit blejnë aksione me paratë e tyre dhe marrin dividentë vjetorë bazuar në numrin e aksioneve që mbajnë. Ata gjithashtu zgjedhin anëtarët për të formuar një Komision të Përfaqësuesve në bazë të një vote për aksion. Komisioni zgjedh Bordin e Drejtuesve të kompanisë. Një sistem i tillë i ndarjes së fitimit dhe rrezikut i siguron Huawei fondet e nevojshme për rritjen afatgjatë dhe hedh bazat për qeverisjen dhe menaxhimin e saj.
Fakti që është private, e çliron Huawei nga presionet afatshkurtra me të cilat përballen kompanitë e listuara publikisht, aksionerët e të cilave presin që të përmbushin objektivat tremujore të fitimeve. E çliruar nga presione të tilla të jashtme, Huawei mund të ruajë fokusin e tij afatgjatë në kërkimin dhe zhvillimin teknologjik, ndërsa punonjësit e aksioneve mund të marrin shpërblime më të larta.
Aktualisht, themeluesi dhe CEO i Huawei Ren Zhengfei zotëron rreth 1% të aksioneve të Huawei; pjesa tjetër mbahet nga sindikata e Huawei, platforma përmes së cilës punonjësit zotërojnë kompaninë. Është e zakonshme dhe e ligjshme për kompanitë në Kinë që të krijojnë sindikata që shërbejnë si platforma të aksioneve të tyre. Edhe pse media pëlqen ta përshkruajë këtë rregullim si të paqartë, në të vërtetë nuk është aq e ndryshme nga ajo që gjen te kompanitë në pronësi të punonjësve gjetkë në botë, duke përfshirë John Lewis Partnership (një grup dyqanesh në Britani të Madhe) apo Essilor (një kompani ndërkombëtare e themeluar në Francë që merret me optikat e syrit).
Në fakt, struktura e pronësisë sonë është përqafuar nga shumë kompani suedeze sot. Sipas një studimi të vitit të shkuar, 11% e të gjitha kompanive në sektorin privat të Suedisë kanë skema të pronësisë së aksioneve nga punonjësve – më shumë se dyfishi i mesatares evropiane. Ndoshta ky model lidhet dhe me ndjeshmërinë ndaj barazisë në Suedi. Nëpërmjet tij ekziston një mekanizëm transparent i ndarjes së fitimit. Punonjësit ndihem më të fuqishëm, kujdesen për cilësinë e punës së tyre dhe vazhdimisht mendojnë për mënyrat e përmirësimit të biznesit. Disa ekspertë evropianë kanë arritur në përfundimin se Huawei po zbaton “kapitalizmin e punonjësve”.
Kritikët pretendojnë se ne u bëmë një udhëheqës global përmes mbështetjes së qeverisë. Në fakt, kompania ka pasur sukses për arsyen e kundërt: ne veprojmë të pavarur dhe ndjekim logjikën e biznesit, jo politikën. Nga fillimi i saj në 1987 deri në fillim të viteve 2000, Huawei konkurroi me ndërmarrjet shtetërore kineze, shumë prej të cilave më vonë u tkurrën ose u zhdukën plotësisht. Ky rezultat nuk duhet të habisë kapitalistët, të cilët e kuptojnë se në shumicën e rasteve, ndërmarrjet shtetërore ose të kontrolluara priren të humbin konkurrencën e tyre për shkak të burokracisë dhe efikasitetit të ulët. Kjo është veçanërisht e vërtetë në industrinë e teknologjisë së lartë. Pse industria e teknologjisë së Kinës është zhvilluar kaq shpejt dhe kaq mirë? Ndoshta pjesërisht sepse që nga vitet 1980 Kina ka hapur tregun e saj dhe ka siguruar një fushë të barabartë loje për kompani të tilla si: Ericsson, Nokia, Motorola, Siemens dhe kompani të tjera të huaja.
Deklarata e PTS më kujtoi periudhën e trazirave politike të Kinës në vitet 1960 dhe 1970. Për shkak se familja ime ishte klasifikuar si pronarë tokash, unë pothuajse e humba shansin për të ndjekur universitetin. Unë shpresoj që PTS të kryejë një vlerësim objektiv, të drejtë dhe të bazuar në fakte, duke marrë vendime prej të cilave do të përfitojë e gjithë Suedia. Dera e Huawei është gjithmonë e hapur që politikanët, studiuesit, gazetarët dhe të tjerët suedezë të vizitojnë ambientet e kompanisë dhe Dhomën e saj të Planit të Pronësisë të Aksioneve të Punonjësve (ESOP) për të shkëmbyer ide lidhur me sistemin që kompania ka ndërtuar gjatë tre dekadave të fundit.
Ndërkohë, faktet mbeten të pandryshuara: Asnjë entitet qeveritar nuk dikton vendimet e biznesit ose investimeve të Huawei-t dhe askush nuk zotëron Huawei përveç punonjësve të kompanisë. /BM/