Huawei dhe pasojat e sanksioneve të SHBA

Edhe zgjedhja e presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë ndryshime të mëdha

 

Në vitin e pandemisë dhe me sanksionet tregtare të vendosura nga SHBA, Huawei përpiqet të rezistojë. Rezultatet financiare të 2020-s, të sapopublikuara nga kompania me seli në Shenzen, konfirmojnë këtë rrugë. Shifrat tregojnë qartë se udhëtimi i mundimshëm i kolosit kinez është qetësuar. Qarkullimi global i kompanisë, në vitin 2020, është 136.7 miliardë dollarë, në rritje me 3.8% nga viti në vit. Në vitin 2019, rritja nga viti në vit ishte 19%.

Fitimi neto arriti 9.9 miliardë dollarë, në rritje me 3.2% me bazë vjetore (nga 5.6% një vit më parë). Por ato që krijojnë shqetësim janë të ardhurat tremujore. Për herë të parë në historinë e kolosit aziatik, ato janë tkurrur, duke reflektuar ndikimin shkatërrues të sanksioneve amerikane, që detyruan kompaninë më të madhe kineze të ngadalësojë ndjeshëm drejt ngjitjes në majë, si prodhuesi më i madh i smartphone-ve.

 

Reziston vetëm tregu i brendshëm

Kjo kuptohet duke analizuar të dhënat e tre njësive të biznesit (business unit) që përbëjnë bilancin e përgjithshëm. Në vitin 2020, të ardhurat e Enterprise Business Group arritën në 15.4 miliardë dollarë, në rritje me 23% me bazë vjetore. Ndërsa të ardhurat e Consumer Business Group (i cili përfshin edhe smartphone-t) u ndalën në 74.1 miliardë dollarë, në rritje, por vetëm 3.3% krahasuar me vitin e kaluar.

Dhe sipas analistëve, kjo falë produkteve të reja (si smartwatch dhe laptop). Shifrat e Huawei kanë qenë pozitive kryesisht nga tregu i tij i brendshëm, me të ardhurat në Kinë që u rritën deri në 15.4% në vitin 2020. Në Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ato u tkurrën me 12.2%, ndërsa të ardhurat nga Azia u tkurrën me 8.7% dhe në SHBA, me 24.5%.

Asnjë shpresë nga SHBA

Viti 2020 duket se ka qenë viti më i vështirë ndonjëherë për shoqërinë kineze. Sanksionet tregtare të vendosura në maj të 2019-s nga administrata e presidentit Trump i mbytën pretendimet e Huawei për t’u bërë lider në tregun e smartphone-ve, kur ishte vetëm një hap larg Samsung.

Pamundësia për të përdorur më tej shërbimet e Google i bënë smartphone-t e Huawei më pak tërheqës për tregun perëndimor. Dhe në gjithë këto, edhe me zgjedhjen e presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë është lënë të kuptohet se nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Këta faktorë kanë shtyrë themeluesin e Huawei, Ren Zhengfei, të kërkojë fusha të reja rritje – nga agritech te shëndetësia e deri te makinat elektrike.

Në lidhje me makinat elektrike, Huawei është subjekt i spekulimeve të vazhdueshme, mbi faktin nëse dëshiron t’u bashkohet gjigantëve të tjerë të teknologjisë (nga Apple te Baidu, deri te Xiaomi), të cilët duket se duan të eksplorojnë këtë treg, me synimin për të pasur makinën e tyre, duke ndjekur rrugën e hapur nga Tesla. Edhe pse Huawei e ka mohuar disa herë se dëshiron të krijojë një makinë nën markën e vet, prej kohësh bashkëpunon me prodhues të ndryshëm për të testuar teknologjitë e tij me drejtim autonom.

 

Çfarë mund të ndryshojë

Megjithatë ka një rreze shprese në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E megjithatë, Biden nuk ka ndryshuar kurs. Qëndrimi izolues dhe unilaterist i Trump ishte për Huawei një goditje e fortë. Por nuk duhet të harrojmë se edhe presidenti i ri amerikan ka argumentuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të ashpër me Pekinin, “ose ata do të vazhdojnë të grabisin kompanitë amerikane”.

Së fundmi, Ren Zhengfei duke folur për mediat ndërkombëtare ka shprehur vullnetin për të biseduar me Biden, duke shpresuar në një “politikë të hapur” nga administrata e re amerikane. Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë.

Burimi: Il Sole 24 Ore

Artikulli paraprakPara në rrjete sociale? Raporti arrin në përfundimin se klubet po humbasin tregun
Artikulli tjetërForbes / 10 njerëzit më të pasur në botë, fakte dhe shifra për vitin 2021