Heqja e vizave do të nxiste investimet kuvajtiane në Shqipëri

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani priti në një takim Ambasadorin Kuvajtit në Tiranë Najeeb A. Al-Bader, të cilit i rikonfirmoi rëndësinë e vendimit të Qeverisë Shqiptare për heqjen e vizave për shtetasit kuvajtianë.

 

Ndër të tjera, Ambasadori Al-Bader njoftoi se ai i dorëzoi Presidentit Nishani një letër nga Lartmadhëria e Tij Emiri i Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmed Al-Jaber Al-Sabah, në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve dhe vullnetit të përbashkët për avancimin e marrëdhënieve, tashmë të konsoliduara, edhe në nivele më të larta.

Presidenti Nishani vuri në dukje se Emiri i Kuvajtit është një mik i ngushtë i popullit shqiptar, i cili e vlerëson rolin e tij të rëndësishëm, duke nënvizuar se mbështetja e Lartësisë së Tij është mjaft e rëndësishme në fushat prioritare të zhvillimit në Shqipëri.

Në vijim, Kreu i Shtetit konfirmoi rëndësinë e vendimit të Qeverisë Shqiptare për heqjen e vizave për shtetasit kuvajtianë. Ky vendim tregon edhe njëherë nivelin e lartë të miqësisë dhe marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Kuvajtit.

Presidenti Nishani pohoi se ky vendim do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të urave të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve mike dhe gjithashtu në nxitjen e investimeve kuvajtiane në Shqipëri.

Artikulli paraprakArabia Saudite: E njëjta politikë e naftës për të mbajtur të lartë prodhueshmërinë
Artikulli tjetërPrapavija politike e investimeve ruse në Maqedoni