Rregulla të reja. Autoritetet e konkurrencës i përvishen punës. Kompanitë e mëdha teknologjike nuk i druhen
Dhe ritmi mund të rritet. Më 4 qershor, Autoriteti i Konkurrencës dhe i Tregjeve të Britanisë (CMA) dhe Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, nisën hetimet paralele për të parë nëse Facebook po përdor të dhënat që mbledh për t’i dhënë vetes një avantazh të padrejtë në reklamat online. Në të njëjtën ditë, zyrtarët gjermanë të antitrustit hapën një çështje tjetër për të zbuluar nëse Google favorizon në rezultatet e tij të kërkimit sistemin e vet të ri “News Showcase”, një koleksion i përzgjedhur i artikujve të gazetave.
Dhe më 7 qershor, mbikëqyrësi francez i konkurrencës njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me Google lidhur me pretendimet se kompania po abuzon me pozicionin dominues në treg për vendosjen e reklamave online. Google do të paguajë një gjobë prej 220 milion eurosh dhe do të ndryshojë disa praktika biznesi.
Rregullatorët po reagojnë ndaj erërave politike. “Ata nuk mund të bëjnë asnjë gabim, duke kontrolluar kompanitë e mëdha teknologjike”, thotë Justus Haucap nga Universiteti Dyseldorf. Amerika kishte një stuhi të ngjashme të çështjeve të lidhura me teknologjinë vitin e kaluar, kur Departamenti i Drejtësisë nisi një çështje kundër Alphabet (kompania mëmë e Google) dhe Komisioni Federal i Tregtisë nisi një tjetër çështje kundër Facebook, në bashkëpunim me prokurorët e përgjithshëm të shtetit. Por dinamika të tjera tregojnë se raste të tilla do të bëhen edhe më të zakonshme.
Autoritetet e konkurrencës po garojnë gjithnjë e më shumë mes tyre. Së pari, në Amerikë dhe tani në Europë, të gjithë duan të lënë gjurmë në rregullimin e teknologjisë, vëren Thomas Vinje nga Clifford Chance, një kompani ligjore. Njësia e re e Tregjeve Dixhitale e CMA-së ka nevojë për të bërë emër.
Andreas Mundt, i cili kryeson ekuivalentin gjerman të CMA-së, dëshiron të krijojë agjencinë e tij si një pioniere në antitrustet e teknologjisë. Çështjet e reja të brendshme janë gjithashtu një përpjekje nga Komisioni Europian për të rritur pushtetin, duke përfituar nga fakti se projektligji i Tregjeve Dixhitale të BE-së e ka vënë përgjegjës për politikën e konkurrencës.
Të gjitha këto përpjekje tregojnë një “strumbullar të madh” në politikën e konkurrencës, thotë Cristina Caffarra nga shoqëria këshillimore Charles River Associates – duke filluar nga paditë antitrust “ex post”, deri te rregullat “ex ante” që kufizojnë firmat dixhitale paraprakisht.
Akti i ri i konkurrencës në Gjermani, i cili hyri në fuqi në janar, ishte i pari që vendosi këtë qasje në ligj. Paditë gjermane kundër Amazon, Google dhe Facebook e përdorin atë. Njësia dixhitale e CMA-së pritet të ndjekë një rrugë të ngjashme nëse Parlamenti i Britanisë miraton legjislacionin e nevojshëm. Nëse Akti i Tregjeve Dixhitale të BE-së bëhet ligj, kompanitë e mëdha teknologjike duhet të pajtohen me një listë të gjatë të rregullave ex-ante.
E gjithë kjo mund të bëjë që zyrtarët e antitrustit, veçanërisht në Europë, të mbështeten më pak në disa hetime të mëdha dhe më tepër në një numër të vogël hetimesh. Rregullatorët do të reagojnë shpejt, nëse mendojnë se gjigantët e teknologjisë kanë bërë (ose do të bëjnë) diçka të padëshirueshme.
Shpresa është që kompanitë të mendohen dy herë para se të zgjerojnë zotërimet e tyre dixhitale, duke bashkuar një produkt të vjetër me një të ri, ose duke përdorur të dhëna të mbledhura diku tjetër për të favorizuar shërbimet e tyre.
Megjithatë, nuk duhen mbajtur shumë shpresa. Në rastin francez, Google pranoi të bëjë disa lëshime ndaj rivalëve, për shembull duke përmirësuar qasjen në të dhëna. Por kjo nuk ka gjasa të zvogëlojë dominimin në teknologjinë e reklamave. Investitorët në aksionet e kompanive të mëdha teknologjike nuk kanë reaguar fare negativisht nga sulmi i antitrusteve. Rezultati i mundshëm – një betejë e vazhdueshme midis firmave dhe rregullatorëve – është i tolerueshëm për të gjithë.
Marrim parasysh një rast të vjetër të BE-së kundër Google. Tre vjet më parë, Komisioni Europian gjobiti kompaninë me 4.3 miliardë euro dhe e detyroi atë të shkëpusë shërbimin e kërkimit nga sistemi operativ celular për pajisjet Android. Kështu, blerësit e celularëve të rinj smartphone kishin një “ekran zgjedhjeje” ku mund të zgjidhnin nga disa shërbime alternative të kërkimit, të cilat u shfaqën dukshëm.
Kjo përpjekje nuk tërhoqi shumë përdorues, shumica e të cilëve ende bën kërkime me Google. Më 8 qershor, komisioni tha se ekrani i zgjedhjes tashmë do të rendiste shërbimet e kërkimit sipas pjesës në treg. Ky vështirë se mund të quhet një revolucion antitrust.