Gjithnjë e më pak njerëz duan të kthehen në ambientet e zyrave

Edhe pse zyrat kanë filluar të hapen, një numër punonjësish janë ende të shqetësuar nga fakti se duhet të kthehen ne ambientet e zyrave.

Një studim i fundit i YouGov zbuloi se rreth 39% e pjesëmarrësve hezitonin të ktheheshin në punë.

 

Ndërsa Apple do të fillojë të hënën Konferencën Vjetore Botërore të Zhvilluesve (WWDC), kompania po merret me një problem të vogël në frontin e brendshëm. Pas njoftimit të brendshëm të kompanisë për politikën e saj të punës në distancë pas pandemisë, një grup punonjësish kundërshtuan kthimin e planifikuar në zyra. Në një e-mail të botuar nga The Verge, Tim Cook u kishte kërkuar punonjësve të paraqiteshin në ambientet e kompanisë të hënën, të martën dhe të enjten duke filluar nga shtatori, duke u dhënë atyre mundësinë të vazhdonin punën në distancë të mërkurën dhe të premten.

“Unë e di që nuk jam i vetmi që ka ndjerë humbjen e gjallërisë, energjisë, krijimtarisë dhe bashkëpunimit që kemi ndërtuar sëbashku”, shkroi Cook, por me sa duket, disa nga punonjësit e tij nuk duan të rikthehen në zyrat e reja luksoze siç duket se pretendon drejtuesi i kompanisë. Në një letër drejtuar Tim Cook dhe drejtuesve ekzekutiv, një grup punonjësish prej 2,800 anëtarësh adresuan “një shqetësim në rritje midis tyre” në lidhje me politikën e fleksibilitetit të punës në distancë. “Gjatë vitit të kaluar ne shpesh ndiheshim jo vetëm të padëgjuar, por ndonjëherë edhe të injoruar në mënyrë aktive,” shkruhet në letër, duke argumentuar se shumë punonjës janë ndjerë të aftë të bëjnë “punën e jetës së tyre, duke mos qenë të detyruar të përballen me sfidat që imponojnë në mënyrë të pashmangshme udhëtimet e përditshme në zyrë.

Është interesante të shohësh se ndjenja të tilla ekzistojnë edhe në një kompani si Apple, e cila sapo është zhvendosur në selinë e saj të re disa miliarda dollarëshe, ku shumë njerëz do të dëshironin të punonin. Sidoqoftë, ky fakt tregon një trend më të gjerë që është shfaqur gjatë muajve të fundit, domethënë një ngurrim nga ana e punonjësve për të hequr dorë nga puna fleksibël në distancë pas pandemisë. Sipas një sondazhi të kryer në fillim të këtij viti nga YouGov, 80 për qind e amerikanëve që filluan të punojnë nga shtëpia gjatë pandemisë dëshirojnë të vazhdojnë ta bëjnë këtë të paktën gjysmën e kohës pasi të ketë mbaruar pandemia. Ndërsa 24 për qind e këtyre punonjësve dëshironin të punonin nga shtëpia me kohë të plotë, 37 për qind preferonin një model që u lejon atyre të shkojnë në zyrë ndonjëherë. Modeli i sugjeruar nga Apple, për të punuar në zyrë shumicën e kohës, me fleksibilitetin për të punuar në distancë disa ditë, preferohet vetëm nga 12 për qind e atyre që punuan në distancë vitin e kaluar.

Artikulli paraprakIndustritë që kanë miliarderët më të rinj në botë
Artikulli tjetërVjetari Statistikor i Republikës së Kosovës, 2021