Qeveria gjermane uli parashikimin e rritjes ekonomike për këtë vit, në 2.6%, por rriti parashikimin për vitin e ardhshëm në 4.1%, duke qenë se pengesat e furnizimit për gjysmëpërçuesit dhe rritja e kostove të energjisë, kanë vonuar rimëkëmbjen në ekonominë më të madhe të Europës.
Duke konfirmuar një raport të mëparshëm nga Reuters, ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, tha se ekonomia do të mbetet e fuqishme pavarësisht nga pandemia COVID-19, por problemet e zinxhirit të furnizimit dhe rritja e çmimeve të energjisë po e ndërlikojnë rimëkëmbjen.
“Për shkak të pengesave aktuale në furnizim dhe çmimeve të larta të energjisë në mbarë botën, lulëzimi ekonomik që shpresohej, nuk do të ndodhë këtë vit,” tha Altmaier. “Në vitin 2022, ekonomia do të fitojë një vrull të dukshëm”.
Vonimi i rimëkëmbjes nënkupton se ekonomia gjermane nuk do të arrijë nivelin e para krizës këtë vit, por ka të ngjarë ta arrijë atë në fillim të vitit 2022.
Për sa i përket rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, qeveria ka parashikuar se ekonomia do të rritet me 3.5% në vitin 2021 dhe me 3.6% në 2022.
Altmaier tha se prodhuesit e automjeteve aktualisht nuk janë në gjendje të ndërtojnë me qindra mijëra makina për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve dhe komponentëve të tjerë elektronikë.
Për të lehtësuar problemet e furnizimit, qeveria është e gatshme të mbështesë ndërtimin e fabrikave lokale të gjysmëpërçuesve me disa miliarda euro, tha Altmaier, duke shtuar se kjo do të mobilizonte së shpejti investime edhe më të larta nga kompanitë.
Problemet me prodhimin, së bashku me kërkesën jashtëzakonisht të lartë, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, dhe qeveria pret që inflacioni të rritet në 3% këtë vit.
Por qeveria vazhdon të këmbëngulë se rritja e çmimeve do të jetë e përkohshme. Berlini pret një ulje të indeksit të çmimeve të konsumit në 2.2% në vitin 2022 dhe në 1.7% në vitin 2023. Vitin e kaluar, indeksi i çmimeve të konsumit qëndroi në nivelin 0.5%.
Altmaier tha se rritja e çmimeve në tregjet e energjisë do të përfundonte së shpejti, dhe se nuk pritej ndonjë problem furnizimi në tregjet e gazit gjatë muajve të dimrit./ Reuters