Gjatë tregtisë të mos fshehet diçka lidhur me çmimin – rregulla sipas Imam Gazaliut

 

Të mos fshehet diçka lidhur me çmimin, pra,informata të cilat, po t’i dinte myshteriu, nuk do ta blente mallin. Resulallahu s.a.v.s., e ka ndaluar që të ndalen karavanet ( Buhariu dhe Muslimi) dhe ka ndaluar ofertën e rrejshme me çmim më të lartë që ka për qëllim që të nxisë myshterinj tjerë të paguajnë atë çmim, ose edhe më shumë , (nga Ibn Abbasi r.a., dhe Ebu Hurejre r.a.. )

Me ndaljen e karavanit mendohet në atë që një grup njerëzish del para tyre, e shikon mallin, dhe i bindin se çmimi i atij malli në qytet është kaq e kaq.

Resulallahu s.a.v.s., thotë: “Mos i ndalni karavanët!”

E nëse kjo ndodhë, pronari i mallit në karavan ka të drejtë të refuzojë marrëveshjen për shitblerje pasi të arrijë në pazar. Kjo do të mund të ishte tregti e lejuar. Prandaj, nëse vërtetohet se ai që u ka prerë rrugën ka gënjyer, atëherë shitësi ka të drejtë të zgjedh se a do ta pranojë apo refuzojë marrëveshjen, e nëse e ka thënë të vërtetën, atëherë mendimet e dijetarëve dallojnë lidhur me të drejtën për ta anuluar marrëveshjen, sepse hadithi është  gjithëpërfshirës, kurse mashtrimi nuk ka ndodhur.

Resulallahu s.a.v.s., e ka ndaluar që dikush nga qyteti të shesë mall në emër të beduinëve.( Buhariu dhe Muslimi, nga Ibn Abbasi r.a.. Ebu Hurejre dhe Enesi r.a..)

Kjo është situata kur, për shembull, ndonjë beduin vjen në qytet me mall të cilin dëshiron ta shesë shpejt, e dikush nga qyteti i thotë: “Lëre te unë e unë ia rris çmimin, ose pres të shtrenjtohet!” Buhariu dhe Muslimi, nga Ibn Omeri r.a., dhe Ebu Hurejre r.a..

Nëse bëhet fjalë për ushqim, kjo është haram, e për mall tjetër, mendimet janë të ndara. Mbizotëron qëndrimi për ndalimin për shkak të gjithëpërfshirjes së hadithit, si edhe për shkak që me një vonesë e tillë në shitje ka për qëllim të shkaktohet mungesë të atij malli te populli, e as ky që po e krijon këtë situatë, nuk do të kishte hajr prej kësaj.

Resulallahu s.a.v.s., ka ndaluar ofertën e rrejshme të çmimit më të lartë me qëllim që të tërhiqen myshterinj tjerë të paguajnë atë çmim, ose më shumë.

Ky është rasti kur personi i caktuar i ofron një çmim shitësit në prani të myshterisë që dëshiron ta blejë atë mall të njëjtë me çmim më të lartë. Ky i pari as nuk e ka nijet ta blejë mallin, por vetëm nxitë myshterinë ta blejë atë mall me çmim më të lartë.

Një veprim i tillë, nëse nuk është në marrëveshje me shitësin, është haram për atë që bën ofertën, kurse vet shitja që mund të rezultojë nga kjo, është e lejuar.

E nëse kjo bëhet në marrëveshje me shitësin, mendimet ndahen lidhur me të drejtën e zgjedhjes së myshterisë për të anuluar atë marrëveshje.

Dominon mendimi për t’i lejuar myshterisë të drejtën për ta anuluar, sepse kemi të bëjmë me shtrembërim të fakteve, njëjtë sikur në rastin kur lopa që jep qumësht nuk mjelet disa ditë me qëllim që të grumbullohet qumështi, e në kohën e shitjes të lavdërohet si lopë që jep shumë qumësht, ose ky rasti kur i prehet rruga karavanit dhe gënjehet për çmimin e mallit.

Këto ndalesa dëshmojnë se nuk mund t’i lejohet as shitësit e as myshterisë të mashtrojnë me çmimin aktual të mallit, e as të fshehet çkado, që sikur të dihej, do të ndërpriste marrëveshjen. Një fshehje e tillë është mashtrim, e mashtrimi është haram, dhe është e kundërta e sinqeritetit, e sinqeriteti është obligim.

Tregohet se njëri nga taibinët (Junus b. Ubejdu’lBasri) ishte tregtar në Basra. E kishte një punëtor në qytetin Sus të Horasanit, që e furnizonte me sheqer.

Punëtori i kishte shkruar një porosi:

– Këtë vit kallami jonë është dëmtuar, prandaj blej sheqer atje dhe magazino sheqerin.

Ky bleu tërë sasinë e sheqerit nga një tregtar në qytetin e vet (Basra), e kur erdhi koha e shitjes, fitoi tridhjetë mijë dërhemë. U kthye në shtëpi, dhe gjithë natën e kaloi në mendime, duke thënë me vete:

– I fitova tridhjetë mijë, kurse e shkatërrova sinqeritetin e një myslimani.

Herët në mengjes, shkoi te shitësi i sheqerit, ia dha tridhjetë mijë, dhe i tha:

– Allahu të dhashtë bereqet në to!

Shitësi i sheqerit pyeti se nga erdhën ato, e ky ia ktheu:

– Të kam fshehur të vërtetën. Në atë kohë çmimi i sheqerit ishte në rritje,e tregtari i tha:

 – Allahu bëftë rahmet me ty! Tash që më tregove, unë po t’i bëj hallall!

Ky, bashkë me paratë përsëri u kthye në shtëpi, dhe prapë mbeti pa gjumë gjithë natën dhe mendonte:

– Prapë nuk isha i sinqertë! Ndoshta vetëm u turpërua, prandaj m’i dha mua paratë.

Herët në mëngjes prapë shkoi te tregtari, e i tha: – Allahu të ruajt! Merri paratë tua, kjo është më mirë për zemrën time.

Dhe tregtari në fund i morri ato tridhjetë mijë.

Këto transmetime na tregojnë se njeriu nuk ka të drejtë të shfrytëzojë rastin e as naivitetin e atij që e posedon mallin, nuk ka të drejtë të mos i thotë shitësit për shtrenjtimin, ose blerësit për zbritjen. Po ta bënte këtë, atëherë është duke gabuar, nuk është duke vepruar drejtë, dhe nuk ua do të mirën myslimanëve.

Nëse shet diçka, e thotë: “Po e shes aq sa më kushton edhe mua”, ose “aq sa i kam paguar”, duhet të jetë i sinqertë me këtë.
Duhet treguar mangësitë e mallit, nëse ka. Nëse ka blerë diçka deri në një afat të caktuar, edhe për këtë duhet treguar,e nëse e ka blerë nga fëmija i vet ose nga miku në afat të pacaktuar, edhe këtë duhet përmendur.
Myshteriu zakonisht bazohet në atë që i thuhet, e nuk mendon vet. Prandaj është obligim që të njoftohet mirë, sepse ai po mbështet në besimin tënd.

Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu

Artikulli paraprakAshtu siç i fitoi, ashtu edhe i shpenzoi
Artikulli tjetërÇfarë ka për qëllim më thënien “Ndryshimi gradual i bindjeve personale”?