Fusha e meditimit në gjithëpërfshirjen e dijes së Allahut xh.sh. dhe mundësitë e pakufizuara të Tij dhe vetëvëzhgimi ynë si rezultat i këtij meditimi
Metodologjia edukative Kur’anore në këtë rrëfim të mrekullueshëm përplotë urtësi vazhdon më tutje me detajet dhe mënyrat e aplikuara në trajtimin e problemeve me bazë fetare dhe intelektuale. Për sukses të lidershipit edukativ, nevoitet transformimi rrënjësor i brendshëm dhe i jashtëm.
Në kulmin e të të metave që paralizojnë besimin është harrimi i Zotit, neglizhenca dhe shkujdesi ynë përballë mbikëqyrjes së përhershme të Allahut xh.sh. si në vetmi ashtu dhe në publik, gjëra këto që konsiderohen mëkate ndaj Allahut xh.sh. dhe si të tilla konsiderohen shkelje dhe shpërfillje e të drejtave njerëzore.
Llukmani deshi ta mbjellë tek i biri frikën ndaj Allahut xh.sh. dhe ndjesinë e të qenit përherë nën vëzhgimin e Tij duke e bërë të bindet se Allahut nuk i fshihet asgjë në qiej dhe në tokë dhe se Ai ka dije të hollësishme për çdo gjë. Këtë çështje Kur’ani e shpjegon në shumë ajete ndërsa ne po kujtojmë këshillën e Llukmanit a.s.:
“O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë.”[Llukman: 16]
Komentatori i Kur’anit Prof.Sejid Kutubi përkitazi me kuptimet e këtij ajeti shton: “Paragrafi vijues në këshillën e Llukmanit flet për çështjen e botës tjetër dhe llogarinë e hollësishme dhe shpërblimin e drejtë në të.
Por kjo e vërtetë nuk prezantohet lakuriq. Ndërsa shpalos detaje nga dituria e madhe dhe gjithëpërfshirëse e Allahut, kjo e vërtetë prezantohet në një hapësirë universi të pafundme, në një imazh emocional dhe drithërues:
“O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë.” [Llukman: 16]
Asnjë përshkrim i thjesht rreth hollësive të dijes së pasosur të Allahut dhe fuqisë së Tij, rreth detajeve të llogarisë dhe drejtësisë gjatë peshojës nuk mund të ndikojë dhe të prek ndjenjat e njeriut siç bën ky përshkrim i thellë figurativ, i cili i detyrohet natyrës sfiduese e Hyjnore Kur’anore.
Një kokërr sinapi, e vogël dhe pothuajse e pa diktuar në peshore dhe po, pa asnjë vlerë, “që ndodhet në shkëmb” ku nuk mund të shihet a të nxirret, apo “në qiej” në atë strukturë gjigante në të cilën edhe një yll i madh duket thjesht si një pikë e vogël apo grimcë lundruese, “apo në tokë” e humbur në dheun dhe rërën e saj, “Allahu do ta nxjerrë në shesh” sepse diturisë së Tij nuk i fshihet fuqisë së Tij nuk mund t’i përvidhet…Shpjegim që i përshtat kësaj skene të mahnitshme..” [1].
Ky shpjegim i mahnitshëm Kur’anor me këshillat e Llukmanit për të birin qartëson rolin dhe rëndësinë e lidershipit në procesin edukativ, sipas Kur’anit Fisnik. Këto përshkrime të mrekullueshme nxisin mendjen e njeriut për reflektim rreth krijimtarisë së Allahut xh.sh. duke u bindur me provat e ekzistencës së Tij, duke menduar thellë në tiparet e Tij, krijimtarinë e Tij, madhështinë e Tij. Vetëm simbioza e krijesave të Universit, bukuria dhe harmonia mund të na përafrojë tek vërtetsia e vulosur në ajetet Kuranore.
Ajo që do të donim të theksonim në interes për liderët dhe edukatorët është këshilla të lexojnë njëherësh mus’hafin e shkruar (Kur’anin Fisnik) dhe mus’hafin e shikuar (universin, gjithësinë) për të zbuluar kështu madhështinë e Krijuesit.
Hoxha, lideri, edukatori duhet ta ketë parasysh këtë të vërtetë të padiskutueshme në mënyrë që fëmijëve, nxënësve, studentëve, nëpunësve, ushtarëve, tua forcojnë besimin në Krijuesin dhe t’i bëjnë ata të ndjejnë praninë e Allahut dhe vëzhgimin e Tij në çdo veprim që bëjnë (sekret a të hapur)!
Imazhet e panumërta të planeteve në gjithësi, yjet dhe trupat qiellorë që koekzistojnë në këtë sistem aq preciz qiellor, mund t’i gjejmë me po këtë saktësi edhe në Kur’an, pra ka një përputhje unike ndërmjet këtyre dy mus’hafëve.
Për më tepër, në Kur’an gjejmë përshkrimin se mundësia që Allahu xh.sh. t’i krijojë nga fillimi është e padiskutueshme, madje, sipas kritereve tona, është edhe më e lehtë për Të meqë ka modelin paraprak, dhe Allahu që ka mundësi për këtë gjë, ka mundësi edhe ta ringjallë njeriun dhe ta llogarisë që i miri të shpërblehet për të mirën dhe i keqi për të keqen.
Allahu xh.sh., thotë:
“Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë. Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” [Kur’ani: Rrum: 27]
“Ndalini ata, se do të pyeten.” [Kur’ani: Saffat: 24]
“O besimtarë, kini frikë Allahun dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për nesër! Kini frikë Allahun sepse Ai di çdo gjë që ju bëni!” [Kur’ani: Hashr: 18]
Lidershipi edukativ në aspektin meditativ në madhështinë e Allahut xh.sh.
- Vëzhgimin e Allahut në çdo gjë që bëjmë, të fshehtë e publike
- Përkujtimi i llogarisë së detajuar dhe shpërblimit sipas veprës
- Dituria gjithëpërfshirëse e Allahut mbulon çdo gjë, madje edhe kokrrën e snapit
- Meditimi në citatet që kanë të bëjnë me universin dhe nevoja e patjetërsueshme e bashkimit në lexim e meditim ndërmjet dy mus’hafëve: Kur’anit dhe gjithësisë
Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)
Comments are closed.