Ballina banka Financimi i kapitalit punues

Financimi i kapitalit punues

Kur nevojiten fonde për kapitalin punues të një biznesi që është në funksionim, instrumenti i musharakah mund të përdoret në mënyrën e mëposhtme:

(1) Kapitali i biznesit në funksionim mund të vlerësohet me dakordësinë e të dyja palëve. Është përmendur më parë, gjatë diskutimit mbi konceptin tradicional të musharakah, se sipas Imam Malik nuk është e domosdoshme që kapitali i musharakah të jetë në formë parash të gatshme. Asetet jo-likuidë mund të jenë gjithashtu pjesë e kapitalit bazuar në vlerësim. Ky qëndrim mund të adoptohet këtu. Në këtë mënyrë, vlera e biznesit trajtohet si investim i personit që kërkon financim, ndërsa shuma e dhënë nga financuesi trajtohet si pjesa e tij e investimit. Musharakah mund të realizohet për një periudhë të caktuar, si për shembull një vit, gjashtë muaj apo më pak. Të dyja palët bien dakord për një përqindje të caktuar të fitimit që do t’i jepet financuesit, e cila nuk duhet të tejkalojë përqindjen e investimit të tij, pasi ai nuk do të punojë për biznesin. Pas skadimit të periudhës, të gjitha asetet likuide dhe jo-likuide të biznesit vlerësohen sërish, dhe fitimi mund të shpërndahet bazuar në këtë vlerësim.

Megjithëse, sipas konceptit tradicional, fitimi nuk mund të përcaktohet derisa të gjitha asetet e biznesit të likuidohen, vlerësimi i aseteve mund të trajtohet si “likuidim konstruktiv” me dakordësinë e të dyja palëve, sepse nuk ka ndonjë ndalim specifik në Sheriat kundër kësaj. Kjo gjithashtu mund të nënkuptojë që partneri punues ka blerë pjesën e financuesit në asetet e biznesit, dhe çmimi i kësaj pjese është përcaktuar bazuar në vlerësim, duke marrë parasysh raportin e fitimit që i është caktuar sipas kushteve të musharakah.

Për shembull, vlera totale e biznesit të A është 30 njësi. B financon 20 njësi të tjera, duke rritur vlerën totale në 50 njësi; 40% kontribuar nga B dhe 60% nga A. Është rënë dakord që B do të marrë 20% të fitimit real. Në fund të periudhës, vlera totale e biznesit është rritur në 100 njësi. Tani, nëse pjesa e B blehet nga A, ai duhet t’i ketë paguar 40 njësi, sepse zotëron 40% të aseteve të biznesit. Por për të reflektuar raportin e dakorduar të fitimit në çmimin e pjesës së tij, formula e çmimit do të jetë ndryshe. Çdo rritje në vlerën e biznesit do të ndahet midis palëve në raportin 20% dhe 80%, sepse ky raport ishte përcaktuar në kontratë për qëllimin e shpërndarjes së fitimit.

Duke qenë se rritja në vlerën e biznesit është 50 njësi, këto 50 njësi ndahen në raport 20-80, që do të thotë se B ka fituar 10 njësi. Këto 10 njësi do t’i shtohen 20 njësive të tij origjinale, dhe çmimi i pjesës së tij do të jetë 30 njësi.

Në rast humbjeje, çdo ulje në vlerën totale të aseteve duhet të ndahet në mënyrë të saktë sipas raportit të investimit, domethënë në raportin 40/60. Prandaj, nëse vlera e biznesit ka rënë në shembullin e mësipërm për 10 njësi, duke ulur numrin total në 40 njësi, humbja prej 4 njësh do t’i përket B-së (që është 40% e humbjes). Këto 4 njësi do të zbriten nga 20 njësitë e tij origjinale, dhe çmimi i pjesës së tij do të përcaktohet si 16 njësi.

Artikulli paraprakMusharakah – Pandershmëria
Artikulli tjetërMusharakah – Sekreti i biznesit