Pavarësisht një sërë skandalesh në të shkuarën në lidhje me privatësinë, Facebook shpreson të bindë njerëzit e zakonshëm të vënë një palë syze të lidhura me internetin.
Facebook ende nuk ka saktësuar se për çfarë do të shërbejnë këto syze inteligjente. Megjithatë, kompania konfirmoi se versioni i parë nuk do të suportojë Realitetin e Shtuar (AR) – shkruan Bloomberg.
Kjo do të thotë që ju nuk do të shihni imazhe të krijuara nga kompjuteri që do t’i mbivendosen shikimit tuaj të rregullt. Megjithatë është e mundur që Facebook të krijojë një lloj sinjali apo funksion alarmi tek syzet.
“Këto sigurisht janë syze të lidhura (me internetin)” – tha drejtuesi i sektorit hardware në Facebook, Andrew Bosworth. “Sigurisht ato do të kenë një sërë funksionesh. “[Por] Ne po tregohemi të kujdesshëm se çfarë funksionesh do të kryejnë. Jemi entuziastë, por nuk duam ta ekzagjerojmë. Ne madje nuk i cilësojmë as realitet i shtuar, por vetëm ‘syze inteligjente’.
Kompania po i krijon syzet në bashkëpunim me gjigantin e lenteve Ray-Ban dhe kompaninë e saj mëmë, Luxottica Group SpA.
Facebook e njoftoi për herë të parë krijimin e syzeve me AR – (augmented reality – realitet të shtuar) në vitin 2017.
Dhe divizioni i VR (virtual reality – realitetit virtual) dhe AR në kompani numëron mijëra persona të punësuar. Por versionit të parë të syzeve do t’i mungojnë disa karakteristika të realitetit të shtuar – edhe pse nuk e dimë ende se cilat. Një nga këto funksione mund të jetë fotokamera.
Burimi: The Sun