Etika në biznes, nga një perspektivë Islame

Diskutimi i etikës në sferën e biznesit në përgjithësi është diskutuar në brendi të strukturës të së drejtës së konsumatorit dhe menaxhimit të mirë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në teori, ekzistojnë shumë principe të etikës në Islam që rrjedhin nga Kurani dhe Hadithi i Profetit Muhamed a.s.. Megjithatë, qëllimi i këtij artikulli është që të diskutohen etika e biznesit Islam në pika shumë të shkurtra, duke bërë disa krahasime me konceptin etik të sistemeve tjera.

Çka është etika?

Etika mund të definohet si një grup i principeve morale, e cila e bënë të dallohet se çka është e drejtë dhe çka është gabim. Etika ka objektiva të dyfishta, vlerëson praktikat njerëzore, duke u thirr në standardet morale; gjithashtu sugjeron si të veprohet moralisht në një situatë të krijuar. Etika, synon të studiojë sjelljet morale dhe imorale në mënyre që të bëhen gjykime të shëndosha dhe të arrihet në rekomandime të duhura. Shpeshherë etika përdoret edhe si synonim i punës morale. Një veprim, i cili është moralisht në rregull, konsiderohet gjithashtu veprim etik.(1)

Etika në biznes

Etika biznesore është degë e etikës, e cila ekzaminon rregullat dhe principet etike nga një perspektivë e biznesit; problemet e ndryshme morale dhe etike, që mund të lindin në një themelim biznesi, dhe ndonjë obligim apo detyrim të veçantë, që kanë të bëjnë me persona, që janë të angazhuar në biznes.(2)
Në përgjithësi, etika biznesore është një disiplinë normative, në të cilën formulohen standarde etike të veçanta dhe pastaj aplikohen. Kjo disiplinë rrah gjykime të veçanta rreth asaj se çka është e drejtë dhe çka është gabim, që do të thotë se çka duhet dhe çka nuk duhet të bëhet në situata të ndryshme. Prandaj mund të thuhet, që, etika biznesore është e përqendruar me studimin, se çka është e mirë dhe çka është e keqe, çka është e drejtë dhe çka gabim, dhe çka është e drejtë dhe jo-e-drejtë në biznes.(3)

Etika në islam

Islami i jep rëndësi të madhe vlerave etike në të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Rregullat etike dhe kodet morale burojnë nga Kurani i Madhëruar dhe nga mësimet e Pejgamberit a.s. dhe ky është dallimi kryesor në konceptin e etikës Islame dhe koncepteve tjera. Sipas konceptit Islam, nëse një gjë është e ndaluar, atëherë pa marrë parasysh mënyrën e tregtimit me të, ai transaksion është i ndaluar dhe jo etik, si për shembull, shitja e pijeve alkoolike, mishit të derrit, etj. Kurse i njëjti veprim mund të konsiderohet i mirë dhe etik në konceptin ekonomik konvencional apo edhe sistemeve tjera religjioze dhe ideologjike. Mësimet Islame përqendrohen shumë në aplikimin e rregullave morale dhe etike në sjelljet e njerëzve, dhe janë të përsëritura shumë herë në Kuran dhe udhëzime nga jeta e Pejgamberit a.s.. (Shih: Ali Imran, 110). “Jam dërguar për t’i përsosur normat e të moralit” (hadith). Është e vërtetë se ekziston një pajtueshmëri në mes të njerëzve rreth disa vlerave bazike të etikes. Porse, sistemi etik i Islamit dallon rrënjësisht nga sistemi etik sekular dhe nga sistemet etike të religjioneve dhe shoqërive tjera. Në renditjen Islame të gjërave, zbatimi i rregullave morale dhe sjelljeve etike është pjesë e Imanit (besimit). Sipas mësimeve Islame, njerëzit duhet pasur kujdes për sjelljet, veprat, fjalët, ndjenjat dhe qëllimet. Islami kërkon nga besimtaret t’u përmbahen rregullave të caktuara morale, në të gjitha sferat e jetës publike dhe private, si p.sh. çështjet familjare, në marrëdhëniet me të afërm, me fqinjët, në
transaksionet biznesore dhe në marrëdhëniet shoqërore. Islami ofron sistemi etik të bazuar në vlera për marrëdhëniet biznesore. Aty përshkruhen udhëzimet etike të përgjithshme për udhëheqje biznesi, përcakton formën etike të preferuar dhe i specifikon mënyrat e padëshiruara të transaksioneve.(4)

Liria për ndërmarrësi ekonomike

Sipas mësimeve Islame ekziston liri e plotë për ndërmarrësi ekonomike. Secili individ ka të drejtën e fitimit për jetesën e vet. Ai mund të fillojë një veprimtari fitimprurëse, menaxhojë dhe organizojë çdo lloj biznesi përderisa është brenda kufijve të caktuar nga Ligji Islam. Prandaj, liri e plotë nuk do të thotë të punojë pa e pasur ndjenjën e përgjegjësisë, njeriu duhet të ketë ndjenjën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies para njerëzve dhe para Zotit Fuqiplotë. Njeriu është i lirë të zhvillojë aktivitete ekonomike, duke i respektuar rregullat e sjelljes që kërkohen profesionalisht për biznes, duke zgjedhur vetëm gjëra të lejuara dhe duke larguar gjërat e ndaluara.

Rregullat Islame në lidhje me transaksionet biznesore

Islami kërkon sjellje të mira dhe etike nga tregtarët, konsumatorët dhe prodhuesit. Sjelljet që përshkruhen për të gjitha grupet ekonomike janë të rekomanduara në atë mënyrë që ato sigurojnë lumturi dhe drejtësi në shoqëri për të gjitha palët, ky është edhe synim kryesor i Islamit. Tregu është rregulluar me ligje që mbrojnë interesin e blerësit dhe të shitësit. Ekziston një numër i rregullave në lidhje me disiplinën etike që kanë të bëjnë me transaksionet komerciale Islame pa të cilat kontratat biznesore do të konsideroheshin të mangëta nga këndi i mirësjelljes, sinqeritetit dhe etikës. Disa nga këto kushte përmenden në vijim.(5)

Vendosmëria për të fituar vetëm atë që është e lejuar (hallall)

Rëndësi të madhe sipas këtyre udhëzimeve i është kushtuar fitimit hallall. Prandaj, mënyra dhe mjetet e fitimit të pasurisë duhet të jenë në pajtueshmëri me mësimet Islame në mënyrë që fitimi të jetë i lejuar (hallall). Ekzistojnë ajete Kuranore që tregojnë për rëndësinë e fitimit të pasurisë hallall, duke i ndaluar disa lloje te pasurive dhe disa aktivitete ekonomike dhe në të njëjtën kohë flasin për tregtitë e lejuara dhe shpërblimin që ka personi, i cili fiton pasuri të lejuar dhe me mjete të lejuara. (Shih: En-Nisa, 29). Ky është njëri nga ajetet e shumta Kuranore, që u tregon besimtarëve që në asnjë situatë nuk lejohen të marrin pasurinë e tjetrit në mënyrë të palejuar. Kur është pyetur Pejgamberi a.s. në një rast se cili fitim është më i miri, ai është përgjigjur ‘fitimi nga dora e vetë njeriut dhe çdo tregti e lejuar’.

Besueshmëria

Dijetarët dhe biznesmenët në përgjithësi e pranojnë rëndësinë dhe ndikimin e besimit në aktivitete ekonomike, si në përgatitjen e strategjisë së biznesit ashtu edhe në vendimmarrje. Gjithashtu, besueshmëria e mundëson zhvillimin e përpjekjeve bashkëpunuese. Ajo është një çelës në marrëdhëniet personale pozitive në mjedise të ndryshme, sepse baza e asaj ndikon në sjelljet e njerëzve me njëri tjetrin. Esenca e besueshmërisë është një ndjenjë përgjegjësie, e cila nënkupton paraqitjen para Allahut dhe të llogarisë, që duhet dhënë për veprimet e bëra. Në të vërtetë, besueshmëria në Kuran është theksuar në masë të madhe, si në shembujt në vijim (Shih: El Bekare, 283 dhe 8:27). Pejgamberi a.s. e ka përmendur rëndësinë e besueshmërisë në çështjet e administrimit publik si në rastin vijues:‘Çdo udhëheqësi që i janë besuar çështjet e një grupi të muslimaneve dhe vdes si një udhëheqës i pasinqertë, për të Xheneti është i ndaluar nga Allahu.’ Islami konsideron jetën e njeriut dhe të gjitha burimet e saj të jenë një dhuratë e dhënë në besueshmëri nga Allahu i Madhërishëm. Në këtë mënyrë, çdo menaxher është përgjegjës për punëtorët dhe punët tjera, të cilat iu kanë besuar atij t’i menaxhojë. Besueshmëria është veçanërisht e rëndësishme për personat që merren me biznes në industri të ndryshme, që synojnë maksimizimin e fitimit, duke ngritur nivelin e shitjes dhe të fitimit. Të gjitha burimet e bizneseve duhet të trajtohet me besueshmëri nga të gjitha nivelet e punëtorëve në ndërmarrje. Në të njëjtën kohë, pronarët e bizneseve dhe menaxheret duhet të jenë mirënjohës për besueshmërinë e punëtorëve dhe t’i trajtojnë me respekt dhe drejtësi. Gjithashtu, aktivitetet e tyre në asnjë mënyrë nuk duhet të shkatërrojnë apo dëmtojnë shoqërinë apo mjedisin natyror. Në të vërtetë, Islami e thekson rolin e njeriut drejt mjedisit natyror, duke e bërë përgjegjës për rrethin e tij si mëkëmbës i Allahut në tokë.

Drejtësia

Drejtësia do të thotë trajtimi i njerëzve në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Ky është një kusht paraprak i ndershmërisë dhe drejtësisë. Drejtësia si rezultat final
është njohja e të drejtave dhe obligimeve, që në esencë nuk përmban më shumë se një implementim të balancuar i të drejtës dhe obligimeve.(6)
Kurani e thekson qëllimin e drejtësisë aq shumë sa që e definon çdo nivel të relativitetit dhe kompromiseve nga ky aspekt. (Shih: “En-Nahl, 90 dhe El Maide, 9). Në këto ajete, Allahu në mënyrë të qartë e përmendë rëndësinë e drejtësisë në të gjitha aspektet e aktiviteteve të besimtarëve, duke përfshirë aktivitetet biznesore dhe komerciale. Në kontekstin e zbatimit të drejtësisë në aktivitetet e biznesore, principi i drejtësisë aplikohet në të dy mënyrat, edhe me fjalë edhe në mënyrë figurative. Në aspektin e marrëdhënieve në mes të menaxherit dhe asistentëve të tij, me principet e drejtësisë nënkuptojmë se menaxherët duhet të ushtrojnë trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë punëtorët, pa marrë
parasysh dallimet në gjini, racë, religjion dhe bindje politike. Në të vërtetë, aftësitë, eksperienca dhe qëndrimi do ta determinojnë kualitetin potencial të punëtorëve. Përveç kësaj, Islami totalisht e hedh poshtë praktikën e favorizimit, e cila të shpie drejt padrejtësisë në punësimin dhe promovimin e të punësuarve. Në të vërtetë, të punësuarit duhet të zgjidhen apo promovohen në bazë të kualifikimit akademik, nivelit të eksperiencës, cilësisë morale si edhe të kompetencës teknike të cilën e posedojnë. Është interesante se një tjetër kuptim i fjalës ‘adl’ (drejtësi) është ekuilibër dhe barazi. Në përgjithësi, me konceptin e drejtësisë dhe respektit të ndërsjellë në biznes nuk është për qëllim të krijohet një shoqëri, e cila bënë biznes vetëm për arsye bamirësie dhe vetëm me individë të caktuar, por të jetë konkurruese në të gjitha aspektet me bizneset tjera të të njëjtës veprimtari.

Sinqeriteti

Me sinqeritetit kuptohet të qenit i vërtetë në fjalë dhe në vepër. Gjithashtu, sinqeriteti mundë të definohet si shkallë e lartë e të qenit i sinqertë; ndershmëri e mendjes apo qëllimit; të qenit i pastër nga hipokrizi, maskimi (fshehja), apo pretendim i rremë. Islami e ka vlerësuar shumë këtë kod të etikës siç mund ta shohim në Kuran dhe në Hadith. (Shih: EL Maun, 4-7 dhe El Bejjine, 5).
Pejgamberi a.s. Ka thënë: ‘Me të vërtetë veprat çmohen sipas qëllimit dhe secili do të shpërblehet sipas qëllimit te tij…’‘Allahu nuk i shikon trupat e juaj e as fytyrat e juaja, por Ai shikon zemrat e juaja dhe punët e juaja.’ Rëndësi të madhe i është kushtuar sinqeritetit të qëllimit dhe veprimit në secilin hap të jetës. Kryerja e detyrave kërkon që të gjithë individët në kompani të punojnë me sinqeritet dhe besnikëri. Duke vendosur sinqeritetin në marrëveshjet biznesore, zhvillohen dy beneficione. E para, të ndihmon në përmirësimin e efikasitetit të punëtorëve për implementimin e punës së tyre. E dyta, punëtorët janë të aftë për të kontribuar në rritjen e prodhimtarisë, duke e shpejtuar prodhimin. Për më tepër, ky kod i etikës gjithashtu e dekurajon manipulimin apo shfrytëzimin e të tjerëve për arsye personale. Për këtë arsye, një biznesmen i sinqertë, nuk pritet të mashtrojë, dëmtojë apo manipulojë të tjerët qëllimisht.

Mirësi/Ndershmëri

Mirësi do të thotë një veprim nga i cili përfitojnë të tjerët pa pasur ndonjë obligim ndaj atyre që e kanë bërë këtë të mirë. Gjithashtu do të thotë aftësia apo zemërgjerësia më e lartë për t’u marrë me të tjerët. Së bashku me konceptin e drejtësisë, koncepti i mirësisë përsëritet shumë shpesh në Kuran dhe Hadith. (Shih: El Bekare,195 dhe Ali Imran, 134).
Pejgamberi a.s. ka thënë: Banoret e xhenetit janë tri lloje: ai cili ka pushtet dhe është i drejt dhe i ndershëm, ai i cili është i besueshëm dhe i është dhëne pushtet dhe bënë punë të mira, dhe ai i cili është i mëshirshëm dhe zemërmirë ndaj të afërmve dhe çdo muslimani të devotshëm dhe nuk e shtrin dorën për ndihmë edhe pse ka familje të madhe për t’u kujdesur.”
Mungesa e drejtësisë në të gjitha marrëdhëniet biznesore shkakton dëme dhe e çrregullon qetësinë dhe harmoninë, por mungesa e mirësisë nuk e dëmton askënd. Kjo nënkupton se ky koncept kërkon trajtim më liberal sesa ai i drejtësia. Marrëdhëniet në mes të punëtorëve (përfshirë të gjitha nivelet në biznes) përveç se duhet të gjykohen me drejtësi duhet të jenë edhe në bazë të mirësisë. (Shih: En- Nahl, 90).
Udhëheqësit e bizneseve janë të udhëzuar të ofrojnë pako të kompensime për punë shtesë sepse disa lloje të kompensimeve të punëtorëve nuk janë të përcaktuara në kontratë. Praktikat e disa kompanive që ofrojnë mbulim financiar për edukim të fëmijëve, asistencë familjare, kurse për zhvillim të burimeve njerëzore dhe pushime me pagesë për punëtorët e tyre janë shembuj shumë të mirë. Duket se, ndershmëria është elementi themelor për të themeluar kulturën e korporatës, e cila synon arritjen e nevojave fizike dhe shpirtërore për të punësuarit.

Përfundim

Dhe në fund mund të themi se nga perspektiva Islame, kodi etik biznesor duhet të shikohet nga burimet kryesore të Islamit, Kurani dhe Hadithi. Përcaktimi i asaj se çka është e mirë dhe morale duhet të analizohet nga koncepti Islam i drejtësisë, besueshmërisë, sinqeritetit dhe mirësisë. Të gjitha këto koncepte duhet pasur parasysh në momentin e përgatitjes së planit strategjik për kompaninë, si dhe të gjitha politikat dhe rregulloret që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet të gjitha palëve të përfshira në biznes duhet bërë nga ky vështrim.

Autor: Dr. Islam Hasani

___________________
1) Manuel G. Velasquez, Business Ethics, Concepts and Cases (New York, Pearson: 2012), f. 13.
2) Laura P. Hartman & Joe Des- Jardins, Business Ethics, Decision-Making for Personal Integrity and Social Responsibility (Kuala Lumpur: McGraw-Hill /Irwin, 2008), f. 74.
3) Joseph W. Weiss, Business Ethics: A stakeholder & Issues Management approach, (Mason: South-Western CENGAGE Learning, 2009), f. 9.
4) Muhammad Ayub, Understanding Islamic Finance (West Sussex: John Wiley & Sons, 2007), p. 73-75.
5) Ibid.
6) Razali Hj. Nawawi, Islamic Law on Commercial Transactions (Kuala Lumpur: CT Publications, 1999), f. 33-37.

Artikulli paraprak“Devotshmëri arrogante” nga Justinian Topulli
Artikulli tjetërProfesionistët po braktisin Kosovën