Dhjetë ditë reciprocitet me targat: bie importi i mallrave nga Serbia për Kosovë

Bllokimi i dy pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë, ka bërë që të bie numri i mallrave të importuara nga Serbia në Kosovë. Në Doganë kanë treguar me shifra se si është ulur importi brenda dhjetë dite. Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje vazhdimisht për dhënien fund të bllokadave të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, pasi sipas tij banorët vendas në veri me protesta “po bllokojnë veten”.

E mërkura shënon ditën e dhjetë të bllokadës së rrugëve që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Serbët të pakënaqur me masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia të vendosur nga Qeveria e Kosovës, kanë bllokuar rrugët me kamionë ne vetura, ndërkohë që shumë prej tyre edhe po qëndrojnë aty.

Por, bllokimi i këtyre rrugëve ka pasur edhe një ndikim në ekonomi.

Dogana e Kosovës ka treguar se ka filluar të bie importi i mallrave nga Serbia nga koha kur është bllokuar veriu.

“Vlera e mallrave nga Serbia ka pasur një rënie të lehtë gjatë javës së parë të reciprocitetit për targa. Trafiku komercial është riorientuar në drejtim të Merdares. Nëse një javë para datës 20 shtator kemi pasur rreth 601 dërgesa me vlerë rreth 4.9 milionë euro, javën pas datës 20 shtator kemi pasur 501 dërgesa me vlerë rreth 3.9 milionë euro”.

Sipas të dhënave të Doganës ndikimi i reciprocitetit është vërejtur që në ditët e para.

“Gjatë periudhës 20-24 shtator, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 3.9 milionë eurosh. Ndërsa, pesë ditë para vendosjes së masës së reciprocitetit, përkatësisht nga 15 deri më 19 shtator, janë importuar mallra në vlerë prej 4.9 milionë eurosh”.

Për çështjen e bllokimit të veriut, sot në Bruksel prite të takohen shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ky është hapi i parë pozitiv për shtensionim të situatës në pikat kufitare. Situata është tensionuar me patrullimet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, qoftë me aeroplanë, helikopterë apo mjete të blinduara.

“Ata do të shfrytëzojnë platformën e dialogut për të shqyrtuar mundësitë e shtensionimit të situatës, pasi ajo që po ndodh nuk është e mirë për popullin e Kosovës e të Serbisë, por as për të rajonit”, ka thënë Stano.

Shefi i BE-së, Josep Borrell, në deklarimin e djeshëm ka thënë se është e rëndësishme që shefat e grupeve negociatore “të vijnë me mandatin për të folur për të ardhmen dhe për të gjetur zgjidhje afatgjate në interes të qytetarëve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje vazhdimisht për dhënien fund të bllokadave të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ai u bëri thirrje banorëve vendas në veri që të ndalin protestën sepse ata “po bllokojnë veten”.

“Ky vendim është masë e barabartë me atë që Serbia e aplikon ndaj qytetarëve të Kosovës për dy dekada. Jam i gatshëm që në çdo kohë këtë masë ta heq, nëse kemi një zotim të tillë edhe nga ana e Serbisë. Pra, nuk është që ne i gëzohemi tabelave të përkohshme, do të dëshironim që as Kosova e as Serbia, të mos kenë fare tabela të përkohshme, por të mundësohet qarkullimi i lirë dhe pa vonesa i të gjithë qytetarëve”.

Serbët kanë refuzuar propozimin e KFOR-it që ata të sigurojnë pikat kufitare me kushtin që të hiqen barrierat nga rrugët. Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri kanë kërkuar që të hiqet edhe masa e reciprocitetit.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 20 shtator, të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Një masë të ngjashme për automjetet me targa të Kosovës, Serbia e zbaton tash e sa vite.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Në këtë marrëveshje ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat KS (Kosovë) ose RKS (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. /Monitor/

Artikulli paraprakNorvegjia i thotë lamtumirë veturave me naftë dhe benzinë, nga 2022 do të blejnë vetëm ato elektrike
Artikulli tjetër1 mijë e 500 euro për familjet që kanë humbur familjarin nga COVID-19, kështu mund të aplikoni