DEMBELIA DHE DOBËSIA

 Dembelia dhe dobësia janë dy gjëra të cilat njeriu ka mundësi që t’i hetoj se janë prezente tek ai, por ka edhe raste që dikush nuk mund t’i hetoj në veten e tij, veçanarisht nëse ai kalon një periudhë të gjatë në atë gjendje.

Dembelia dhe dobësia shfaqen në shumë aspekte të jetës, por si më të rëndësishme dhe më të dëmshme janë:

1. Dembelia dhe dobësia në adhurime dhe si dukuri më e shfaqur është në faljen e Namazit. Thotë Allahu duke i përshkruar munafikët: “Dhe kur vijnë për në Namaz vijnë me përtaci”. (en Nisaa 142)

Dembelia dhe dobësia poashtu shfaqet edhe në faljen e Namazit të natës, faljen e suneteve, mosleximin e Kur’anit etj.

2. Ndjenja e ngurtësisë në zemër: Dembeli dhe i dobëti kanë zemër të ngurtë e cila nuk ndikohet nga leximi i Kur’anit dhe me përmendjen e vdekjes, përkundrazi kjo zemër është e mbuluar me gjunahe. Thotë Allahu (subhanehu ue teala) “Dhe më pastaj u ngurtësuan zemrat e tyre dhe ata (zemra) janë të ngurta sikurse gurri apo edhe më të ngurta (ashpra)”. (el Bekare 74)

3. Dembelia dhe dobësia çojnë deri në atë shkallë saqë dembeli vazhdon në dembelinë e tij dhe nuk e kupton rrezikun e veprës që e bën apo që nuk e bën, derisa arrin deri në atë shkallë saqë edhe kur kryen vepra të këqija mburret me ata vepra por edhe bile i tregon haptaz. Ndërsa thotë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) “I tërë umeti im është i falur përveç atyre që bëjnë gjunahe haptaz”.

4. Dembelia dhe përtacia shkaktojnë mosndjenjë përgjegjësie për gjërat të cilat i janë dhënë atij në përgjegjësi. Dembeli nuk ndjen madhështinë e amanetit në qafën e tij, ai ia lehtëson vetes së tij dhe nuk i kryen obligimet që kërkohen prej tij.

5. Dembeli i dobët bëhet shkak i prishjeve të marrdhënieve vëllazërore e cila mund të jetë si rezultat i gjunaheve të dembelit.

6. Dembeli i dobët i kushton rëndësi dunjasë deri në atë masë saqë dunjaja e ndalon atë nga adhurimet e përditshme.

7. Dembeli shumë flet,por pak punon. Ndoshta do ta ndëgjosh dhe do të mahnitesh me idetë e tij dhe me lëvdatat e shumta që ai ia bën vetes, mirëpo tërë kjo është vetëm fatamorganë pas së cilës nuk ka asgjë.

8. Dembeli i dobët e lavdëron veten e tij me veprat e tjetërkujt. Zakonisht dembeli rreh gjoks se kinse ka bërë diçka mirëpo në realitet ajo është vetëm gënjeshtër dhe në realitet ai nuk e ka kryer atë vepër të cilën e thotë. Dembeli dëshiron që njerëzit ta falënderojnë për veprat e dikujt tjetër. Thotë Allahu : “Dhe dëshirojnë të falënderohen për diçka që ata nuk e kanë bërë”. (aal Imran 188)

9. Dembeli i dobët e kalon kohën në gjëra që s’ka dobi në to, ose në polemika të kota.

10. Dembeli i dobët mundohet që të ik nga çdo përgjegjësi që ka seriozitet, nga frika se kjo përgjegjësi do t’i pengoj në jetën e tij që e ka prioritare.

11. Dembeli e dëshiron anarakinë dhe mosdhënien përgjegjësi ndaj askujt.

12. Dembeli i kritikon të tjerët shumë dhe shumë shpejt vetes së tij i gjen arsyetime, thotë Allahu: “Dhe thane: “Mos dilni (në luftë) në nxehtë”. Thuaj: “Zjarri i Xhehenemit është më i nxehtë”. (et Teube 81)

Nga: Dr.Nasir bin Sulejman el Umer

Përmblodhi dhe përktheu: Enis Arifi

Artikulli paraprakDobitë e dhënies së zekatit
Artikulli tjetërSI TA DICIPLINOSH VETEN TËNDE?