Çfarë parasheh Projektligji për Paga?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në parim Projektligjin e Pagave për Sektorin Publik. Opozita edhe pse i ka dhënë mbështetje këtij Projektligji, megjithatë ka kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve.

Sipas prezantimit të Projektligjit nga ana e Qeverisë, me të zvogëlohet hendeku mes pagës më të ulët dhe më të lartë në vend. Koeficienti më i lartë do të jetë 18 për presidentin, ndërsa më i ulëti do të jetë 3.78, shkruan Telegrafi.

Para se të vinte në Kuvend, ky Projektligj kishte qenë në konsultim publik për 15 ditë.

Duke e publikuar të plotë dokumentin, Kuvendi i Kosovës ka nxjerr edhe koeficientet e propozuar për të gjithë punëtorët shtetërorë, ku sipas tyre është propozuar që të jetë paga.

Koeficientin më të lartë, pra 18 e ka Presidenti i vendit, pasuar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me 17.5 dhe më pastaj vinë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës me 17.

Kryetari i kryeqytetit është propozuar që ta ketë koeficientin e rrogës 15 dhe nën të pasojnë kryetarët e komunave të tjera.

Në gjyqësor, prinë kryetari i Gjykatës Supreme më koeficient 17. Po aq është paraparë të jetë edhe për Kryeprokurorin e Shtetit.

Komandanti i FSK-së ka koeficient 15, kurse me 0.5 më pak vjen drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Në fund, mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është propozuar të vlerësohen me koeficient prej 5.8.

Koeficientet e zyrtarëve të nivelit qendror sipas Projektligjit për Pagat | Burimi: Kuvendi i Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Korenica ka theksuar se shpejt pritet edhe miratimi përfundimtar dhe hyrja në fuqi.

“Ky ligj do të hyjë në fuqi në pjesën e parë të vitit 2023 – në tremujorin e parë dhe do të ndikojë pozitivisht. Me rritjen e pagave në sektorin publik do të plotësohet hapësira e krijuar si pasojë e inflacionit”, është shprehur Korenica.

Lidhur me vlerën e koeficienteve, ai ka nënvizuar se caktohet në bazë të buxhetit vjetor.

“Sigurisht që do të ketë rritje të rrogave. Koeficienti me sa kam informacion do të jetë 120 euro dhe mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël. Ka qenë padrejtësi e madhe pabarazia me paga. Me këtë ligj kjo është eliminuar dhe është sjell në më pak se pesë shkallë”, ka shtuar ai.

Oda e Fiziterapeutëve të Kosovës ka thënë se diferenca në koeficientet e pagave është jashtëzakonisht e madhe dhe diskriminuese.

“Pas votimin në lexim të parë të Projektligjit për Pagat të Sektorit Publik, shprehim shqetësimin tonë për mënyrën e vlerësimit të punës së fizioterapeutëve në sektorin publik, duke ulur koeficientet për fizioterapeutët nga 7.2 në 5.6, 5.5 dhe 5.4. Kjo ulje koeficienteve është diskriminuese dhe mos vlerësues për punën e fushës së fizioterapisë, gjithashtu nënvlerëson punën e fizioterapeutëve të diplomuar bachelor, i cili është i baras vlefshëm me fizioterapeutët me shkollim të mesëm me një dallim në pagë me 0.3 te vlerës së koeficientit”, thuhet në reagim.

Ndërsa, për Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ky Projektligj ka mangësi të mëdha dhe dështon t’i adresoj çështjet e përcaktuara.

“Projektligji për Pagat në Sektorin Publik është shumë i rëndësishëm për faktin se korniza ligjore është mjaft e fragmentuar me rreth 58 akte të ndryshme ligjore e nënligjore që kanë sjellë pabarazi të theksuar në paga për punë të njëjta në sektorin publik. GLPS ka identifikuar disa çështje të cilat mund të ngrisin prapë diskutim kushtetues por mund të jenë problematike edhe gjatë zbatimit në praktikë. Projektligji i ri dështon që në mënyrë thelbësore t’i adresoj çështjet e përcaktuara në aktgjykimin të Gjykatës Kushtetuese me të cilin shpallet i pavlefshëm Ligji Nr. 06/L-111 për pagat në sektorin publik”, thekson GPLS-ja.

Ali Sefaj nga BSPK-ja pati theksuar se me anë të këtij Projektligji po avancohet vetëm personeli politik, derisa po diskriminohen shërbyesit civilë.

“Projektligji për Paga do të duhej të kishte karakter jodiskriminues. Të parashihte pagë të njëjtën për punën e njëjtë, po ashtu do të duhej ta kishte vlerësimin jetik që do ta kishte secilin nëpunës. Për koincidencë, në këtë draft-ligj janë avancuar stafet politike tejmase, ndërsa personeli profesional duhet t’i kryej punët e përditshme”, pati thënë Sefaj.

Po ashtu, ai ka kërkuar që koeficienti në këtë Projektligj duhet të jetë fiks.

“Ky Projektligj nuk ka rrjedhë logjike, po ta kishte një të tillë, atëherë do të duhej të lidhet me pagën minimale dhe vlera prej 132 euro e demanton pagën minimale. Ne kemi kërkuar që vlera e koeficientit të jetë fikse, ndërsa ndryshimi të përcaktohet me ligj dhe ndryshimi të rrjedh mbi rritjen ekonomike dhe inflacioni. Po ashtu, kemi kërkuar që kategoritë që paguhen pak duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe të mos kemi koeficientë nën 4, sepse nuk mund të jetë nën shërbim të republikës”, ka shtuar ai.

Ligji i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit prej 239 euro për vitin e parë. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë të shpërndarë në 69 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj.

Artikulli paraprakÇfarë është fuzioni bërthamor dhe çfarë kanë arritur shkencëtarët?
Artikulli tjetërBizneset që hapin vende të reja pune për gratë do të mbështeten nga shteti për tre muaj

Comments are closed.