Në tregjet botërore, çmimet e naftës ranë ndjeshëm javën e kaluar pasi bankat qendrore të vendeve perëndimore rrisin normat e interesit për të frenuar inflacionin, gjë që do të ngadalësojë rritjen ekonomike dhe do të dobësojë kërkesën për “arin e zi”, raporton Reuters në një përmbledhje të rregullt javore të tregut.
Çmimi i një fuçie në tregun e Londrës ra javën e kaluar me 7,9 për qind – në 93,02 dollarë, ndërsa në tregun amerikan, një fuçi ra me 6,7 për qind – në 86,87 dollarë.
Rënia e çmimeve është kryesisht pasojë e frikës së tregtarëve se shtrëngimi i politikës monetare në vendet perëndimore do të shkaktojë një ngadalësim të rritjes ekonomike, e ndoshta edhe një recesion. Prandaj, kërkesa për naftë pritet të dobësohet.
Ekonomia amerikane teknikisht është tashmë në recesion dhe për shkak të krizës energjetike; recesioni po kërcënon edhe vendet e Evropës.
Pavarësisht kësaj, si FED i SHBA ashtu edhe Banka Qendrore Evropiane janë detyruar të rrisin normat e interesit për të frenuar inflacionin e lartë.
“FED-i i SHBA-së dhe BQE-ja pritet gjerësisht të rrisin ndjeshëm normat e interesit në shtator, ndoshta deri në 0.75 pikë përqindjeje, dhe kjo po i bën investitorët e aksioneve të ikin. Nafta po ndjek trendin, të paktën tani për tani”, shpjegon Tamas Varga nga PVM Oil Associates.
Vështirësitë e ekonomisë kineze
Tregtarët janë gjithashtu të shqetësuar për masat e rrepta për të luftuar COVID-19 në Kinë. Qyteti i Chengdu të enjten urdhëroi një mbyllje që preku një numër prodhuesish, përfshirë Volvo.
Megjithatë, të dhënat e reja treguan se aktiviteti në industrinë kineze ra në gusht për herë të parë në tre muaj për shkak të dobësimit të tregut, mungesës së energjisë elektrike dhe pandemisë.
Kjo, si dhe kriza në sektorin e pasurive të paluajtshme, sinjalizojnë telashe edhe në tremujorin e tretë, pas rënies së aktivitetit në periudhën prill-qershor krahasuar me fillimin e vitit.
“Shenjat e fundit të ngadalësimit të rritjes janë një rënie në aktivitetin industrial kinez në gusht dhe rritje më e dobët se sa pritej në sektorin e shërbimeve,” tha Varga.
Gjithashtu, çmimet ndikohen negativisht nga një dollar i fortë, i cili e bën naftën më të shtrenjtë për blerësit në monedha të tjera.
Indeksi i dollarit, i cili tregon lëvizjen e dollarit amerikan kundrejt gjashtë monedhave të tjera më të rëndësishme botërore, u forcua javën e kaluar me 0.7 për qind, në rreth 109.5 pikë, një nivel i ri më i lartë në 20 vjet.
OPEC dëshiron të shkurtojë prodhimin e naftës
Nga ana tjetër, mbështetja e çmimeve sigurohet nga një ulje e mundshme e prodhimit të OPEC-ut. OPEC dhe partnerët do të takohen më 5 shtator për të diskutuar politikën e prodhimit, me disa anëtarë që bëjnë thirrje për ulje të prodhimit.
Tregu po ndjek gjithashtu bisedimet në grupin G7 të ekonomive më të zhvilluara në botë për kufizimin e çmimeve të naftës ruse. Në një deklaratë të përbashkët të premten, ministrat e financave të G7 u bënë thirrje të gjitha vendeve që importojnë naftë ruse t’i bashkohen kësaj mase.
Thelbi i idesë është të detyrojë Rusinë t’u shesë naftë blerësve të mëdhenj, si India, me një çmim shumë më të ulët në të ardhmen. Kjo do të zvogëlonte presionin në tregun botëror të naftës dhe do të zbuste efektin e luftës së Ukrainës në çmimin e energjisë, sipas anëtarëve të G7. Nga ana tjetër, Rusia nuk do të përfitonte më nga rritja e çmimit të naftës me të cilën financon makinën e saj të luftës.
Që nga fillimi i këtij viti, çmimet e naftës, kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë, janë rritur me më shumë se 15 për qind./tesheshi/