Bankat e Europës pritet të marrin një “goditje të drejtpërdrejtë” te fitimet e tyre nga rënia e çmimeve të banesave

Bankat europiane rrezikojnë të marrin një goditje të konsiderueshme te fitimet e tyre nëse çmimet e banesave në të gjithë rajonin fillojnë të bien, kanë paralajmëruar agjencitë rregullatore dhe ato të vlerësimit të riskut.

Megjithëse bilancet e qëndrueshme të bankave nënkuptojnë se rënia e çmimeve të banesave nuk ka gjasa të përbëjë një rrezik sistemik, niveli i ekspozimit të huadhënësve ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme do të thotë se ata mund të marrin një goditje te fitimet e tyre, tha të martën S&P Global Ratings.

Kreditë për shtëpi zakonisht përbëjnë midis 30% dhe 50% të totalit të kredive që merren nga klientët e bankave europiane, tha agjencia e vlerësimit, duke shtuar se huadhënësit do të duhet të mbajnë mënjanë më shumë para për klientët që mund të mos arrijnë të paguajnë dot kreditë e tyre, në një kohë kur kushtet ekonomike po përkeqësohen.

“Rritja e riskut të kredisë në portofolet e kredive hipotekore do të sjellë një rritje proporcionale të provigjioneve bankare dhe një goditje të drejtpërdrejtë te fitimet e tyre,” tha agjencia.

Vërejtjet e S&P vijnë pas shqetësimeve të ngritura javën e kaluar nga Autoriteti Bankar Europian (EBA). Kjo agjenci tha se bankat e Bashkimit Europian kanë raportuar më shumë se 4.1 trilion euro të dhëna në formën e kredive ose të paradhënieve të kolateralizuara nga pasuritë e paluajtshme, të cilat përbëjnë afërsisht një të tretën e të gjitha kredive të marra nga konsumatorët familjarë dhe firmat jofinanciare.

Bankat kanë rritur “në përmasa të konsiderueshme” ekspozimin ndaj kredive hipotekore në vitet e fundit dhe po përballen me disa shenja paraprake të përkeqësimit të cilësisë së aseteve të tyre, tha EBA.

S&P tha se, megjithëse ajo nuk ka përkeqësuar zyrtarisht vlerësimin e rrezikut për ndonjë vend, ka vënë në dukje disa shenja të rënies së çmimeve të banesave në Britani, në veçanti pasi aktiviteti ekonomik në këtë vend ka filluar të ngadalësohet.

Në fillim të këtij muaji, një drejtues i niveleve të larta në Nationwide Building Society të Britanisë u tha ligjvënësve se skenari më i keq për huadhënësit e kredive hipotekore është që çmimet e banesave të bien me 30% vitin e ardhshëm, megjithëse parashikimi më realist ishte për një rënie prej 8%.

Bankat hungareze dhe irlandeze projektojnë normat më të larta të kredive hipotekore të rrezikuara në skenarët më të pafavorshëm ekonomikë, tha S&P, pasi të ashtuquajturat kredi të “shkallës 3” kanë risk më të lartë për të mos u paguar, risk i cili fillon nga numra njëshifrorë e deri në rreth 15% për të dyja këto tregje. /Reuters

Artikulli paraprakIdetë kryesore të librit “No Excuses” – nga Brian Tracy
Artikulli tjetërMbi gjysmë miliardi, vlera e importit të Kosovës nga Turqia