ARGUMENTET E TRANSPARECËS (TË QENIT I HAPUR) NË KULTURËN E MUSLIMANIT MODERN

Ajo që, para së gjithash, duam të konfirmojmë në këtë kapitull është se Kultura jonë nuk pranon në asnjë mënyrë të shkrihet në kulturat e tjera. Përkundrazi, ajo është kundër globalizmit arrogant dhe vesternizimit të egër, vetëm se ajo nuk është e izoluar. Ajo është e hapur, por me kritere. Për ta diskutuar këtë çështje dhe për t’i dhënë asaj ngjyrë kur’anore, dijetarët kanë aluduar në disa prej karakteristikave të Kur’anit, si:

  • Vërtetues, por edhe mbizotërues. Allahu thotë:

“Ne edhe ty (Muhammed) ta zbritëm librin (Kur’anin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre…“ (el-Maide, 48)  Kur’ani ka ardhur për të vërtetuar por edhe për të qenë fjala e fundit për librat e mëparshme si dhe për t’i gjykuar ato, për shkak të devijimit nga ajo për çka ishin shpallur.

  • Islami ka aprovuar dhe miratuar moralin e mirë, qoftë ai edhe i periudhës para islame. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i pranonte tiparet e mira të periudhës paraislamike, kuptohet me modifikimet përkatëse. Haxhi është një nga shembujt e kësaj natyre, që mbeti si traditë (obligim), por që u modifikua sipas Islamit. E tillë ishte puna edhe me martesën, që siç përmend Buhariu, ndahej në katër lloje të ndryshme, ndërsa Islami e aprovoi vetëm një prej tyre, atë që përputhet me natyrshmërinë. Hadithi, që është përmendur më parë, në të cilin thuhet se misioni i Muhammedit [alejhis salatu ves selam] ishte përsosja e moralit, është dëshmi përkatëse.
  • Ligjësimi i përvetësimit nga të tjerët. Dijetarët kanë lejuar që të përvetësojmë nga të tjerët gjëra që janë në dobi të muslimanëve, me kusht që ato të mos paraqesin kundërthënie me besimin, ligjet dhe moralin islam. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] kishte marrë një vulë për vulosjen e letrave të tij, ashtu siç bënin mbretërit e kohës. Sahabët [Allahu qoftë i kënaqur me ta!] i treguan se të huajt nuk e pranonin letrën nëse nuk ishte vulosur më parë. Në betejën e Ahzabit, me propozimin e Selmanit dhe disa sahabëve të tjerë, u bë hapja e hendekut. Kështu ndodhi edhe me regjistrat shtetërorë dhe kalendarin nga Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!]. Sigurisht, ajeti kur’anor:

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allllahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.“ (el-Huxhurat, 13)

… aludon për këtë, ngase njoftimi ndërkulturor nënkupton edhe shkëmbimin në të gjitha fushat, me përjashtim të besimit, ligjeve fetare dhe moralit. Në të kaluarën, shkëmbimi ishte bilateral, ndërsa sot, fatkeqësisht, janë muslimanët ata që marrin dhe nuk japin asgjë. Ata janë ndikuar shumë nga morali, sjelljet dhe traditat e perëndimorëve.

4) Ligjet (fetë) para Islamit. Ligji paraprak, përshkrimi i të cilit është bërë në Kur’an, nëse nuk kemi ndonjë ligj tonin që e ndalon, pranohet. Ky është rregull tek usulistët, ndryshe figurimi i tij në Kur’an do të ishte i pakuptimtë. Si shembull të kësaj natyre do të merrnim kriterin, për përzgjedhjen e të propozuarve për vendet e punëve me përgjegjësi, që të jenë besnikë dhe të fuqishëm, kriter ky i marrë nga ligjet e kësaj natyre. Allahu, duke përshkruar fjalët e vajzës së burrit të moshuar, thotë:

“Njëra prej atyre të dyjave tha: “O babai im, merre këtë në shërbim me pagë, pse më i miri i atij që do ta marrësh në shërbim është ai i fuqishmi e besniku!“ (el-Kasas, 26)

I ngjashëm është edhe rrëfimi i  mbretit Talut me çifutët. Allahu thotë:

“Pejgamberi i tyre u tha: “All-llahu caktoi sundues tuajin Talutin”. Ata thanë: “Si mund të jetë ai sundues yni, kur ne kemi më shumë meritë se ai për sundim, madje ai edhe nuk është i pasur”? Ai tha: “All-llahu e zgjodhi atë sundues tuajin dhe e pajisi me dituri të gjerë e me fuqi trupore”! Allllahu ia jep sundimin e vet atij që do, All-llahu është dhurues i madh, i dijshëm.“ (el-Bekare, 247)

Mbreti, për të qenë i aftë që ta udhëheqë vendin dhe njerëzit, duhet t’i ketë këto cilësi – kanë thënë disa dijetarë. Nga kaptina Jusuf dijetarët kanë përfituar rregulla shumë me rëndësi, me të cilat normalizohen kushtet e jetës, dhe jo vetëm kaq, por kanë nxjerrë edhe rregulla që kanë të bëjnë me të drejtat e individit. Allahu thotë:

Ai (Jusufi) tha: “Mbillni shtatë vjet vazhdimisht, e çka keni korrur lëreni në kallinj, përveç një pakice nga e cila do të hani.“ (Jusuf, 47)

Dhe kështu Ne Jusufit i dhamë pozitë në vend (në Egjipt) zinte vend aty ku dëshironte. Ne e pajisim me të mirat tona atë që duam, e Ne nuk ua humbim shpërblimin punëmirëve.“(Jusuf, 55) [1]

5) Urtësia duhet të merret ngado që të vijë. Muslimani i ditur e di se është kërkesë dhe urdhër i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij [alejhis salatu ves selam] hulumtimi i së vërtetës, qoftë në natyrë dhe gjithësi, qoftë në vetë njeriun dhe historinë e tij. Allahu i Madhëruar thotë:

“Edhe në tokë ka argumente për ata të bindurit. 21. Po edhe në veten tuaj. A nuk po e shihni?“ (edh-Dharijat, 20-21)

“Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?“ (Fussilet, 53)

Kur’ani na mëson se të vërtetën mund ta thonë edhe jomuslimanët dhe se kriteri për marrjen e saj nuk është vetë folësi, por është vetë urtësia. Allahu, duke përshkruar fjalët e Belkizës dhe të gruas së sundimtarit të Egjiptit, thotë:

“Ajo tha: “O ju pari, më sugjeroni në këtë çështje timën se unë nuk do të vendosi asgjë derisa edhe ju të jepni pëlqim!”(En Neml:32) 

“Unë nuk e shfajsoj veten time, pse epshi është shumë nxitës për të keqen, përveq atë që ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që fal e mëshiron shumë” ( Jusuf:53)

Të vërtetën mund ta thotë madje edhe një hipokrit. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:

Keni kujdes nga ajo që është shpikur, ngase e shpikura është humbje. Ua tërheq vërejtjen që të jeni të vëmendshëm ndaj lajthitjes së sundimtarit, ngase djalli mund ta thotë fjalën e humbjes nëpërmjet gjuhës së tij, ndërsa të vërtetën ndodh ta thotë edhe hipokriti. ” 59F60

6) Kulturë e mirëpritjes së dialogut. Kur’ani Fisnik është plot me përshkrime të dialogëve të pejgamberëve me popujt e tyre, si Ibrahimi [alejhis selam] me popullin e vet në kaptinat el-En’amë, el-Enbija dhe esh-Shuara; me babanë e vet në kaptinën Merjem; Shuajbi [alejhis selam] me popullin e vet në kaptinën Hud; Musa [alejhis selam] me faraonin etj. Pastaj, dialogu  i melaikeve me Allahun, siç thotë Allahu:

 “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” Ata thanë: “A do të vësh në të atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!“ (el-Bekare, 30)

“Kur babait të vet i tha: “O babai im, pse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as nuk ke asgjë prej tij?“ (Merjem, 42)

“(Përkujtoni) Edhe kur Musai popullit të vet i tha: “All-llahu ju urdhëron ta therrni një lopë! Ata thanë: “A bën tallje me ne”? Ai tha: “All-llahut i mbështetem të më ruajë e të mos bëhem nga injorantët”!“ (el-Bekare, 67)

7) Kulturë e cila beson në ripërtëritje. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:

Në çdo kryeshekull, Allahu i dërgon këtij ummeti një ripërtëritës të fesë!

Ripërtëritja ndodh me ripërtëritjen e të kuptuarit, besuarit, vepruarit, përmbajturit parimeve të saj dhe thirrjes në to. [Pra, është një përtëritje që nënkupton kthimin në baza.] Historia islame është përplot reformatorë, si: Halifeja i drejtë Umer Ibn Abdul Azizi, Imam Shafiu, që themeloi Shkencën e Usulit, Imam Gazali që ngjalli shkencat fetare, Ibni Tejmije, Ibnul Kajjimi etj.

Ripërtëritja në fe duhet patjetër të kryhet me mjetet e saj, prej dijetarëve të saj dhe prej njerëzve që janë kompetentë , pra që kanë dije dhe njohuri e jo që njihen nga rrobat a diplomat. Edhe koha jonë ka pasur dhe ka të tillë, si: Ibni Bazi, Ibni Uthejmini, Ebul Hasen Nedeviu, Mevdudi, Sejjid Kutbi, Reshid Rida, Albani, Abdul Kadir Arnauti, Muhammed Gazali etj. Ndërsa prej atyre që janë ende gjallë, mund të përmendim dijetarë të tillë si: Dr. Jusuf el-Kardavi, Shuajb Arnauti, Selman Audeh, Aid Karni, Salah Abdul Fettah Halidi, Fehd ibn AbduRRahman Rumi, Muhammed Muhtar Shenkiti, Muhammed Ali Sabuni, AbduRrahman Sudejsi, Muhammed Arifi, Muhammed Adnan Zurzur, Muhammed Seid Ramadan Buti etj.

Prof.Dr.Hfz Hajredin Hoxha: KULTURA E MUSLIMANIT BASHKËKOHOR

Burimi : drhafezi

Artikulli paraprakRama për marrëdhëniet me Turqinë: Aset i çmuar!
Artikulli tjetërA e dini se punimet për prodhimin e vaksinës në Turqi kanë filluar në kohën e Perandorisë Osmane?