Aktiviteti biznesor në ekonomitë më të mëdha të botës arabe përmirësohet ndjeshëm në shkurt

Aktiviteti i biznesit në ekonomitë e sektorit privat (jashta-naftës) të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, arriti një vrull të mëtejshëm në shkurt, duke tundur pasiguritë e lidhura me variantin Omicron, ndërsa bizneset e reja u rritën pas kërkesës së lartë të konsumatorëve.

Indeksi menaxhues i blerjeve të Arabisë Saudite i përllogaritur rregllisht, u rrit në 56.2 në shkurt nga 53.2 që ishte regjistruar në janar, duke shënuar rritjen e parë të indeksit që nga shtatori i kaluar. Raporti i fundit tregoi një përmirësim të shtuar në kushtet e funksionimit, dhe i cili është më i madhi i regjistruar në tre muaj.

Një llogaritje mbi nivelin normal prej nivelit 50 tregon ekspanzion, ndërsa një llogaritje nën këtë nivel pasqyron një tkurrje apo regresion.

“Shifrat e fundit të (PMI) – Purchasing Managers’ Index, (Indeksi i menaxhimit të blerjeve) konfirmuan se ndikimi i valës Omicron në ekonominë jo-naftëtare ishte vetëm i butë,” tha David Owen, një ekonomist në IHS Markit.

“Pas dy muajsh rritjeje relativisht të butë (por ende pozitive), vrulli u rikthye fuqishëm në shkurt, ndërsa rastet me virus filluan të bien.”

Një rritje në bizneset e reja nxiti kryesisht rritjen ekonomike në mbretërinë arabe, (pa përfshirë naftën). Bizneset e anketuara deklaruan se kjo rritje e dukshme e shitjeve, është për shkak të rritjes së kërkesës së klientëve dhe rënies së rasteve me Covid-19. Disa panelistë përmendën përpjekjet e rritura të marketingut dhe strategjitë konkurruese të çmimeve si nxitës të zgjerimit.

Në kontrast me tendencën e përgjithshme të shitjeve brenda mbretërisë, kërkesat e reja të eksportit ranë për muajin e dytë si pasojë e rritjes së konkurrencës në tregjet ndërkombëtare dhe uljes së kërkesës në disa pjesë të botës që ende po luftojnë për të përballuar efektet e Omicron.

“Shitjet e përgjithshme u rritën me ritmin më të shpejtë që nga nëntori i kaluar, pavarësisht nga një rënie e lehtë e mëtejshme e kërkesës për eksport, ndërkohë që rritja e aktivitetit u afrua më pranë niveleve kulmore të vërejtura në fund të vitit të kaluar”, tha Owen.

Rastet me infektime me koronavirus u rritën ndjeshëm në të gjithë botën pasi lloji më i transmetueshëm Omicron u zbulua në nëntor. Vala e infeksioneve të reja i detyroi vendet, veçanërisht në Evropë dhe Azi, të vendosin më shumë kufizime në lëvizje për të frenuar pandeminë.

Sidoqoftë, këto frenime tani po zvogëlohen pasi vdekjet dhe shtrimet në spital mbeten të ulëta. Vendet evropiane kanë hapur kufijtë e tyre, ndërsa Britania e Madhe i ka dhënë fund protokolleve të saj Covid-19. Disa vende aziatike po ndjekin shembullin e njëjtë.

Megjithëse masat kundër Covid-19 mbeten dhe pengesat në furnizim vazhdojnë. Bizneset në mbretëri thanë se në përgjithësi ishin në gjendje të rrisnin prodhimin në përputhje me kërkesën e klientit. Kishte gjithashtu një “ngritje të lehtë në numrin e punësimit”.

Ndjeshmëria e përgjithshme për aktivitetin e ardhshëm biznesor u rrit në nivelin më të lartë që nga janari i vitit të kaluar, mes shpresave se kushtet e tregut do të përmirësohen më tej pasi mbretëria arabe, të del nga vala Omicron dhe niveli i kërkesave të klientëve të saj do të vazhdojë të forcohet.

Ndërkohë, të dhënat e shkurtit treguan gjithashtu një përmirësim të dukshëm në ambientin e ekonomisë së sektorit privat jo-naftëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Treguesi i Emirateve të Bashkuara Arabe u ngjit në 54.8 në shkurt nga 54.1 i regjistruar një muaj më parë, si pasojë e një rritjeje të lartë të kërkesës së tregut. Nivelet e prodhimit u rritën më pas, ndërsa optimizmi i rritur për shitjet e ardhshme inkurajoi firmat të zgjeronin blerjet e tyre të inputeve në nivelin më të lartë në dy vjet e gjysmë.

Arsyeja kryesore e rritjes ishte një ngritja e mëtejshme dhe e konsiderueshme e kërkesave të reja në të gjithë sektorin jo-naftëtar, të cilën analistët ia atribuuan rimëkëmbjes së kërkesës dhe rritjes së aktivitetit të udhëtimit. Norma e rritjes u rrit nga janari, por ishte më e ulët se nivelet e parë gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar kur filloi Expo 2020 Dubai.

“Rritja në ekonominë jo-naftëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe vazhdoi të ecë me një shkallë të lartë në shkurt,” tha Owen. “Rritja ishte e lidhur ngushtë me shtimin e kërkesës së klientëve, me bizneset që potenconin gjithashtu rritjen e turizmit, pasi Expo 2020 vazhdoi dhe vendet hoqën masat e tyre të udhëtimit”.

Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila renditet ndër vendet me numrin më të lartë në botë për sa i përket regjimit të testimit dhe vaksinimit për Covid-19, ka lehtësuar gjithashtu kufizimet ndaj pandemisë, pasi numri i rasteve ra ndjeshëm gjatë javëve të fundit. Ishte e para në rajon që hapi kufijtë e saj për turizmin gjatë pandemisë pasi filloi një program kontrolli masiv.

Numri i vizitorëve në Expo 2020 Dubai u rrit në më shumë se një milion në periudhën shtatëditore deri më 1 mars, duke e çuar totalin afër 16 milionë që nga fillimi i panairit botëror. Shifrat javore kanë tejkaluar shifrën e një milion, duke e bërë shkurtin një muaj rekord për Expo, me 4.4 milionë vizita.

Edhe bizneset kanë besim se shitjet do të rriten ndjeshëm gjatë muajve të ardhshëm. Sipas sondazhit, perspektiva e aktivitetit të biznesit për vitin e ardhshëm u rrit në nivelin më të lartë në katër muaj dhe ishte e dyta më e larta që nga mesi i vitit 2020.

Në krahasim me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të dhënat e shkurtit PMI (Indeksit të menaxhimit të blerjeve) në Egjipt sinjalizuan një ngadalësim të aktivitetit të biznesit, pasi presionet e çmimeve rëndonin besimin ndaj biznesit dhe shpenzimet e konsumatorëve. Nivelet e prodhimit ranë, ndërkohë që pati ulje të mëtejshme të blerjes së inputeve dhe punësimit në vend.

Treguesi i Indeksit të menaxhimit të blerjeve (PMI) i Egjiptit shënoi një nivel prej 48.1 në shkurt, duke qëndruar nën pikën normale 50 për muajin e 15-të radhazi dhe ishte pjesërisht më i lartë se niveli më i ulët nëntëmujor i janarit i cili ishte në shkallën prej 47.9.

“Rritja e çmimeve të inputeve të udhëhequr nga pandemia dhe vala Omicron vazhduan të ngecnin rimëkëmbjen e Egjiptit në tremujorin e parë të 2022,” tha Owen./thenationalnews/

Përkthehu: EKONOMIA ISLAME

Artikulli paraprakInxhinierimi i kërkesave
Artikulli tjetërÇfarë është kutia e zezë?