Çmimi i indeksit është pranë niveleve të vitit 2007. Por shumica e gjërave do të ndryshojnë
Në librin “Shekulli i tregjeve në zhvillim”, botuar në vitin 2007, Antoine van Agtmael mrekullohej me progresin e tregjeve në zhvillim që kur ai e krijoi këtë term në vitin 1981. “Rritja e tyre, – shkroi ai, – nuk do të përbëjë asgjë më pak se një lulëzim të paparë ekonomik”. Parashikimet nga Banka Goldman Sachs treguan se PBB-ja e kombinuar e Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës (BRIK) do të trefishohej nga viti 2005 në 2020. Në mënyrë të ngjashme, indeksi i MSCI-së i aksioneve të tregut në zhvillim, arriti një rekord në nëntor 2007, shkruan The Economist.
Që atëherë ka pasur shumë rekorde. Për fat të keq, tregjet në zhvillim shpesh kanë kaluar trazira. Pandemia Covid-19 pason krizat në Argjentinë dhe Turqi në vitin 2018, zhvlerësimin e monedhës Juan të Kinës në vitin 2015 dhe rënien e çmimit të naftës në vitin 2014. Këto probleme kanë hapur një hendek të madh midis tregjeve të aksioneve në zhvillim dhe tregjeve të maturuara.
Ndërsa aksionet në botën e pasur rifituan nivelin kulmor të vitit 2007 që në vitin 2014, dhe që atëherë janë rritur me rreth 60%, indeksi i tregut në zhvillim nga MSCI nuk e tejkaloi kulmin e vitit 2007 deri javën e kaluar, kur më në fund vendosi një rekord të ri, falë një lëvizjeje të furishme në muajt e fundit (shih grafikun).
Çmimi i indeksit mund të jetë pranë nivelit të vitit 2007, por pothuajse gjithçka tjetër ka ndryshuar. Pesha e Kinës është rritur nga 16% në rreth 40%, falë rritjes së tregjeve të saj dhe lehtësimit të kontrolleve të kapitalit. Pesha e Brazilit rivalizoi Kinën në vitin 2007, por që atëherë, ka rënë në 5%. Dy vende (Maroku dhe Jordania) kanë dalë plotësisht nga indeksi.
Një vend (Greqia) hyri sërish, pasi doli nga indeksi i vendeve të pasura në vitin 2013. Të tjerë gjithashtu kanë hyrë dhe dalë vazhdimisht nga indeksi. Argjentina u tërhoq, pastaj hyri sërish (megjithëse MSCI ka paralajmëruar se mund të dalë përsëri). Vetëm Izraeli hyri dhe qëndroi në atë mënyrë.
Është e natyrshme të supozohet se ngecja në tregjet në zhvillim pasqyron pengesat në ekonomitë e tyre. Dhe disa ekonomi me të vërtetë kanë pasur rezultate zhgënjyese. Por PBB-ja e kombinuar e 25 vendeve në indeksin në fjalë në vitin 2007, është rritur nga 14.4 në 29.7 trilionë dollarë. (Kjo nuk përshtatet për inflacionin e dollarit, por as vetë indeksi.) PBB-ja e vendeve BRIK tani tejkalon shifrën 20 trilion dollarë – kryesisht falë Kinës – duke përmbushur parashikimin optimist të Bankës Goldman.
Çdo sukses ekonomik që kanë arritur tregjet në zhvillim që nga viti 2007, ishte parashikuar gjerësisht dhe me padurim. Për më tepër, kompanitë ekzistuese në një indeks nuk reflektojnë plotësisht suksesin e një ekonomie. Disa rritje mund të nxiten nga firmat e reja që hyjnë në indeks, pasi shumë prej viteve të tyre më dinamike kanë kaluar. Firmat e energjisë dhe materialeve (si Gazprom e Rusisë apo Vale e Brazilit) janë eklipsuar që nga viti 2007 nga firmat e konsumit, si Meituan kineze, një faqe e-commerce për shpërndarjen e ushqimit dhe shërbimeve të tjera, e cila nuk ekzistonte deri në vitin 2010.
Kjo gjë nuk duhet t’i ketë habitur lexuesit e librit të zotit Van Agtmael, i cili tregon se kampionët e tregjeve në zhvillim kanë prirjen të ngrihen dhe të bien me shpejtësi të madhe. Ai gjithashtu paralajmëron që të mos vështrohet në pasqyrën e pasme.
Në librin e tij, zoti Van Agtmael përshkruan se si ekipi i investimeve që menaxhoi asokohe nuk kishte makineri Bloomberg në tryezat e tyre. Detyra e tyre ishte të identifikonin mundësitë në të ardhmen. Nëse do të shpërqendronin veten duke parë të shkuarën e tregut, duhej të ngriheshin dhe të ecnin për në terminal. /monitor/