A është puna në karburant justifikim për lënien e xhumasë?

Nr.3

Pyetje:

Disa muslimanë punojnë në një karburant, pronari i toleron të falin namazin. Ideja është se ditën e xhuma patjetër njeri prej tyre duhet të qëndrojë në pune, kështu që ata mund ta bëjnë me radhë qëndrimin në punë ditën e xhuma. A konsiderohet kjo një justifikim për lënien e xhumasë?

Përgjigje:

Falja e namazit të xhumasë është detyrim individual, farz ajn, i mirënjohur në mesin e muslimanëve. Obligimi i saj pohohet në Kuran, në Sunet si dhe për këtë gjykim ka Unanimitet ndërmjet dijetarëve muslimanë.

Allahu thotë në Kuran: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë!” (Kurani 62:9)
Urdhri për të nxituar në faljen e namazit të xhumasë dhe lënien e tregtisë, diçka e lejuar kjo në Islam, është argument i qartë që tregon se namazi i xhumasë është obligim.
Ndërsa nga fjalët e Profetit (alejhi salatu ue selam) mund të përmendim hadithin që thotë: “Xhumaja është detyrë për çdo mysliman, me xhemat, përveç katër njerëzve: skllavit, gruas, fëmijës dhe të sëmurit.” (Trs. Ebu Daudi)
Namazi i xhumasë mund të lihet vetëm për arsye të justifikueshme nga ana e fesë, dhe në vend të saj të falet dreka, qofshin këto arsye domosdoshmëri apo nevoja jetike, si për individin ashtu edhe për bashkësinë. I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) thotë: “Ai që nuk e fal xhumanë tri herë, pa pasur ndonjë hall/domosdoshmëri, atij Allahu ia vulos zemrën.” (Trs. Nesaiu)
Duke u nisur nga sa thamë më sipër, për rastin për të cilin drejtohet pyetja mund të themi se:
Së pari, muslimanët që punojnë në pikën e karburantit në fjalë duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për ta falur namazin e xhumasë me xhemat në xhami.
Së dyti, nëse është e pamundur që kjo të arrihet, atëherë ata duhet të kërkojnë brenda mundësive të tyre një punë tjetër, e cila u mundëson atyre faljen e xhumasë në xhami si dhe u siguron të ardhura të mjaftueshme për një jetë normale.

Së treti, deri në gjetjen e një zgjidhje afatgjatë u lejohet atyre që, nëse asnjeri prej tyre nuk mund të largohet dot nga vendi i punës dhe bëhen minimumi tre vetë, duke përfshire këtu dhe imamin, ta falin xhumanë në vendin e punës. Por, nëse është e mundur që ata të zëvendësojnë njeri-tjetrin me radhë në faljen e xhumasë në xhami atëherë u lejohet atyre ta bëjnë këtë gjë.

Së katërti, nëse asnjë nga mundësitë e mësipërme nuk është e mundur, atëherë lejohet për këta njerëz që të mos e falin xhumanë, me kusht që sasia e të ardhurave që ata fitojnë nga kjo punë të jetë jetike për ta dhe familjen e tyre. Lusim Allahun të lehtësoj gjendjen e myslimanëve!

Allahu e di më së miri
Komisioni i Pyetje-Përgjigjeve pranë LHSH

Artikulli paraprakSTANDARTI HALLALL
Artikulli tjetërDisa sqarime në lidhje me MLM-të (Skemat piramidale)