Nga rezultatet e çuditshme të krizës ekonomike, e cila filloi në Shtetet e Bashkuara dhe më pas përuli Evropën dhe botën në përgjithësi është fakti se shumë ekonomistë dhe politikanë kthyen shikimin drejt parimeve të ekonomisë islame dhe e shohin atë si një mundësi për zëvendësimin e ekonomisë së sotshme dhe tejkalimin e problemeve që shkaktoi kjo e fundit.
Tregimi i thirrjes për të themeluar organizata bashkëkohore ekonomike në pajtim me parimet e ekonomisë islame është një tregim plot ankth, tregim që bashkoi mes thirrjes me argumente shkencore dhe shembujve praktikë, mirëpo Allahu i shënoi atij një sukses të madh. Ky tregim, siç më kujtohet, filloi në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar. Atëherë disa ekonomistë profesionistë islamë në Egjipt dhe Pakistan – ndoshta edhe në vende tjera – thërrisnin në atë që ata e quajtën “banka pa kamatë”. Nga më të dalluarit ishte ekonomisti pakistanez Nexhati Sadiki. Ata nuk thërrisnin thjesht t’i përmbahemi parimeve islame, por kishin përfituar nga përvoja e tyre në këtë fushë, që të sqarojnë se ajo është e mundshme, madje ata propozonin metodat praktike për ta realizuar atë.
E natyrshme ishte që me këta të tallen imituesit e gjithë asaj që quhet perëndimore, të cilët mendojnë se çdo organizatë perëndimore qoftë ajo politike, ekonomike, edukative etj., është detyrim i kohës dhe se çdo zëvendësim për to quhet përrallë apo diçka që e ka shkrirë koha. Mirëpo ata pionierë ishin të bindur në vërtetësinë e asaj që thoshin, prandaj vazhduan të shkruajnë për bankat pa kamatë, duke mos ia vënë veshin fjalëve të të verbërve.
Çështja përparoi saqë arriti të organizohen konferenca për ekonominë islame. Ndoshta, e para nga ato ishte konferenca që u organizua në Mekë, në vitin 1975 (1395 H) me titullin: “Konferenca e parë për ekonominë Islame”, në të cilin kisha nderin të jem i pranishëm.
Më pas, disa biznesmenë që u bindën nga kjo ide, bënë hapin e parë për të realizuar atë dhe banka e parë ishte: “Banka Islame e Dubait”, të cilën e pasoi menjëherë: “Banka Islame Fejsal”. Veprimin e këtyre bankave e kundërshtuan pronarët e bankave të tjera që punonin me kamatë, madje u munduan t’i luftojnë ato. Gjithashtu këtë e kundërshtuan edhe disa të tjerë që shpreheshin se asgjë nuk mund të quhet islame, nëse në të ka ndonjë mangësi, kështu që filluan të zbulojnë ndonjë nga lëshimet praktike të këtyre bankave, që t’i përdorin si mjet për t’i luftuar të njëjtat. Edhe sot më kujtohet nga disa njerëz, në një seminar të hapur në Rijad, ku diskutohej çështja e bankave islame, sesi i përmendnin dijetarit Abdulaziz b. Bazit ca prej lëshimeve/mangësive të këtyre bankave, mirëpo përgjigjja e dijetarit të zgjuar ishte me këtë përmbajtje: “Me gjithë lëshimet që kanë, ato janë më të mira sesa bankat që punojnë qartësisht me kamatë”.
Më pas, elhamdu lilah, këto banka u shtuan dhe u përhapën në shumë vende të botës islame, pastaj edhe në të gjithë botën, sikurse në Evropë dhe Amerikë, të cilat i njohën disa ekonomistë profesionistë, por edhe njerëz të rëndomtë.
Ideja e bankave pa kamatë vazhdonte të zhvillohej në rrafshin shkencor-teorik, por edhe në rrafshin praktik. Tashmë njoh shumë të rinj myslimanë, që janë specializuar si ekonomistë në universitetet amerikane, ndërsa disertacionet e tyre kanë të bëjnë me kamatën dhe dobinë e braktisjes së saj gjatë marrëdhënieve financiare bashkëkohore. Madje disa universitete kanë filluar të interesohen rreth parimeve ekonomike islame, duke organizuar seminare vjetore. Më e fundit nga ato ishte seminari i tetë i cili u mbajt në Prill të këtij viti, për të cilin na rrëfen profesori mysliman Ali Khan, profesor i drejtësisë në një nga universitetet e shtetit Kansas: “Ekonomia Islame ka filluar të tërheqë vëmendjen e shumë akademikëve, shumë prej pjesëmarrësve në seminar parashtronin dyshimin, se nëse i përmbahemi këtyre parimeve islame në ekonomi, a thua do të ketë mundësi t’i shpëtojmë bankat amerikane nga kokëçarja që po ndien tani”.[1]
Pastaj ndodhi ngjarja, të cilën e transmeton agjencia e lajmeve islame, ku thotë: “Senati francez bën thirrje që sistemi islam i ekonomisë t’i bashkëngjitet sistemit bankar francez. Ky senat, në një raport që e përgatiti komisioni që merret me çështjet financiare pranë këtij senati u shpreh: “Sistemi bankar që bazohet mbi parimet islame është një sistem bankar, që i rehaton të gjithë, qofshin myslimanë apo jomyslimanë”.
Ky lajm do t’i shqetësojë shumë laikë të vendeve tona, madje duhet të shqetësohen, sepse fjalët e miradijes për sistemin bankar islam nuk do të kenë të ndalur. Bile, doemos të mençurit do t’i thonë vetes: Nëse kjo fe qenka e saktë në këndvështrimin e saj për ekonominë, nëse kapja pas parimeve të saj do të na shpëtojë nga fatkeqësitë ekonomike, ndoshta janë të sakta këndvështrimet e saja edhe për aspektet tjera. Ndoshta tanimë janë shprehur asisoj, sidomos kur të shohin se ajo ç’ndodhi me bankat e tyre është pasqyrim konkret i fjalës së Allahut: “Allahu ia heq çdo përfitim kamatës…”. (Bekare 276). A ke parë heqje më të madhe të përfitimit, sesa falimentimi i bankave, të cilat përfituan bilionë të shumtë me kamatë, ndërsa tani kanë nevojë për shpëtim?!
Prandaj ka mundësi që nga kjo derë edhe ata të hyjnë në fenë e Allahut dhe kjo nuk është për tu çuditur. Sepse dyert për të hyrë në këtë fe janë të shumta dhe secili që hyn nga një derë do ta gjejë veten së bashku me ata që kanë hyrë nga dyert tjera në sheshin e gjerë të së vërtetës.
Me një dozë keqardhjeje them: Nëse këto shembuj të vegjël të organizatave ekonomike islame tërhoqën këtë vëmendje të madhe, si do të ishte gjendja sikur të gjitha shtetet muslimane të ndërtonin jetën e tyre ekonomike mbi themelet e sheriatit të Allahut. Ashtu do të sillnin një shëmbëlltyrë praktike, që do të bënte të qartë epërsinë e parimeve islame ndaj kapitalizmit dhe komunizmit. Do të arrinin ta gëzojnë njerëzimin, gjë të cilën nuk e arriti asnjë ideologji perëndimore. Por nëse këtë nuk e bënë në të kaluarën, ndoshta tanimë e kanë kuptuar gabimin dhe kthehen në udhëzimin e Zotit.
Po ashtu ata hoxhallarë, të cilët ua bënë të lejuar muslimanëve të Perëndimit, që të blejnë shtëpi me kamatë, ndoshta tani do ta ndërrojnë qëndrimin dhe do t’ua tërheqin vërejtjen muslimanëve nga pjesëmarrja në këso kontratash, që sjellin çrregullime në tokë, i cili ndodhi si rezultat i kontratave të kredive me kamatë në bankat e perëndimit.
PROF. DR. XHAFER SHEJH IDRIS
Përktheu: Omer Berisha