Trametohet nga Ebu Kebsheh el-Enmari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Janë tri gjëra për të cilat betohem, prandaj mbajini mend mirë!
- Pasuria e robit nuk pakësohet nga dhënia e sadakasë.
- Asnjë robi nuk i bëhet padrejtësi dhe ai duron ndaj saj, veçse Allahu ia shton krenarinë.
- Robi nuk e hap derën e lypjes, veçse Allahu ia hap atij derën e varfërisë” – ose tha një shprehje të ngjashme me të.
Pastaj ju tregoj një hadith tjetër, prandaj mbajeni mend mirë!
Dynjaja është për katër lloje njerëzish:
- Një rob të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe dije. Ai i frikësohet Zotit të tij në lidhje me atë pasuri, i mban lidhjet farefisnore dhe e di se çfarë të drejte ka Allahu në pasurinë e tij. Ky është në pozitën më të mirë.
- Një rob të cilit Allahu i ka dhënë dije, por nuk i ka dhënë pasuri. Ai ka qëllim të sinqertë dhe thotë: ‘Sikur të kisha pasuri, do të veproja siç vepron filani.’ Ky shpërblehet sipas nijetit të tij dhe shpërblimi i të dyve është i njëjtë.
- Një rob të cilit Allahu i ka dhënë pasuri, por nuk i ka dhënë dije. Ai e shpenzon pasurinë e tij pa dije, nuk i frikësohet Zotit të tij në lidhje me të, nuk i mban lidhjet farefisnore dhe nuk e di se çfarë të drejte ka Allahu në pasurinë e tij. Ky është në pozitën më të keqe.
- Një rob të cilit Allahu nuk i ka dhënë as pasuri, as dije. Ai thotë: ‘Sikur të kisha pasuri, do të veproja siç vepron filani.’ Ai do të gjykohet sipas nijetit të tij dhe barra e mëkatit e të dyve është e njëjtë.”
Hadith sahih (i saktë), sipas shejh Albanit, në Sahih et-Tirmidhi.
Allahu na bëftë prej atyre që, kur u jep pasuri, e shpenzojnë atë në bindje ndaj Tij dhe, kur nuk u jep, i ruajnë zemrat me nijet të sinqertë! Amin!
Hoxhë Ensar Sylejmani











