Investo në dijen, aftësitë dhe përvojën tënde, në mënyrë që vlera jote të mos varet nga vendi ku punon, pozita që mban apo njerëzit që të rrethojnë.
Mos e ndërto sigurinë tënde vetëm mbi frikën se mos humb vendin e punës apo vlerësimin e të tjerëve. Përkundrazi, puno vazhdimisht për zhvillimin tënd profesional dhe personal.
Në jetën profesionale, mos syno vetëm ta ruash një vend pune, por syno të fitosh njohuri e aftësi që të bëjnë të aftë të përballesh me sfida të reja dhe të krijosh mundësi më të mira.
Në marrëdhëniet njerëzore, mos lejo që frika nga humbja e dikujt të të bëjë të heqësh dorë nga dinjiteti dhe respekti për veten. Ndërto personalitetin tënd mbi vetëdijen, pjekurinë dhe vetëbesimin.
Ndërsa në jetën personale, puno për pavarësinë tënde mendore e emocionale. Mëso të mos e kërkosh vlerën tënde vetëm përmes miratimit dhe vlerësimit të të tjerëve.
Mos u përpiq të bëhesh njeri pa të cilin të tjerët nuk bëjnë dot, por bëhu njeri që di të ecë përpara edhe kur rrethanat ndryshojnë.
Mos harro: vendi i punës mund të ndryshojë, pozita mund të humbasë dhe njerëzit mund të largohen, por dija, përvoja, aftësitë dhe karakteri që ndërton brenda vetes mbeten pasuri që të shoqërojnë gjatë gjithë jetës.
Investimi në veten tënde është një nga investimet më të vlefshme që mund të bësh!
MSc. Fuad Ferati











