Fillimisht e lusim Allahun e Lartësuar të ta largojë brengën, të ta mundësojë shlyerjen e borxhit dhe të të furnizojë nga mirësia e Tij.
Ja disa këshilla që shpresojmë të të ndihmojnë:
Bëhu i durueshëm dhe përpiqu të dalësh nga gjendja në të cilën ndodhesh, duke kërkuar mënyra të lejuara për të fituar. Kështu mund të sigurosh të ardhura, të mbulosh humbjet dhe të shlyesh borxhin. Rrugët e furnizimit janë të shumta. Njeriu mund ta nisë me një punë të vogël, të cilës më pas Allahu i jep bereqet. Kjo është diçka që e shohim në jetën e përditshme.
Pakësoji shpenzimet e tua personale dhe dije se atyre që u ke borxh u takon përparësia në çdo shumë që të tepron përtej shpenzimeve të domosdoshme. Prandaj, mos e merr lehtë çështjen e borxhit dhe mos shpenzo pa masë. Mos lejo që humbja e shpresës për ta shlyer të të shtyjë ta harrosh borxhin apo të mos përpiqesh sa duhet për të gjetur një rrugëdalje.
Kërkoju ndjesë dhe mirëkuptim atyre që u ke borxh. Tregoju se nuk je në gjendje t’i paguash dhe kërkoju të të japin afat. Kjo është më mirë për ty sesa t’u shmangesh dhe ta zvarritësh pagesën, gjë që vetëm ua shton zemërimin dhe pakënaqësinë ndaj teje.
Përmirësoje marrëdhënien tënde me Allahun e Lartësuar, që Ai të ta përmirësojë marrëdhënien me njerëzit. Allahu u ka premtuar atyre që i binden se do t’ua shtojë mirësitë e Tij. Ai thotë:
“Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim jetë të mirë dhe do t’i shpërblejmë sipas veprave më të mira që kanë bërë.” (En-Nahl: 97)
Gjithashtu, thotë:
“Atij që i frikësohet Allahut, Ai i jep rrugëdalje dhe e furnizon nga nuk e pret. Atij që mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton. Vërtet, Allahu e përmbush qëllimin e Tij. Allahu ka caktuar masë për çdo gjë.” (Et-Talak: 2–3)
Dhe thotë:
“U thashë: ‘Kërkojini falje Zotit tuaj, sepse Ai është Falës i madh. Ai do t’ju dërgojë shi të bollshëm, do t’ju shtojë pasuri e djem dhe do t’ju japë kopshte e lumenj.’” (Nuh: 10–12)
Prandaj, kërko shumë falje, pendohu dhe bëj vepra të mira, sepse mëshira e Allahut është pranë mirëbërësve.
Nëse i ke marrë këto borxhe me vendosmëri për t’i shlyer, atëherë ki mendim të mirë për Allahun e Lartësuar dhe beso se Ai do të ta mundësojë shlyerjen e tyre.
Buhariu transmeton se Pejgamberi, SalAllahu alejhi ve selem, ka thënë:
“Kush i merr pasuritë e njerëzve me qëllim që t’ua kthejë, Allahu ia mundëson kthimin e tyre.” (Buhariu, “Sahihu”, nr. 2387)
Ibën Maxhe transmeton se Pejgamberi, SalAllahu alejhi ve selem, ka thënë:
“Vërtet, Allahu e ndihmon borxhliun derisa ta shlyejë borxhin, përderisa nuk e ka marrë atë për diçka që Allahu e urren.”
(Sahih Sunen ibën Maxhe)
LUTJE PËR SHLYERJEN E BORXHIT
Drejtoju Allahut të Lartësuar me lutje dhe ji i bindur se Ai u përgjigjet lutjeve. Atij që troket vazhdimisht në derë, pritet që së shpejti t’i hapet ajo. Për lutjet e tua zgjidh kohët kur ato pranohen, si: pjesa e tretë e fundit e natës, pas ikindisë së ditës së xhuma, ndërmjet ezanit dhe ikametit, gjatë udhëtimit dhe në çastin e çeljes së iftarit.
Ja disa lutje të përshtatshme për gjendjen tënde:
Tirmidhiu transmeton nga Aliu, radijAllahu anhu, se një skllav, i cili kishte lidhur marrëveshje për ta fituar lirinë kundrejt një pagese, erdhi tek ai dhe i tha:
“Nuk po mund ta paguaj shumën që kam marrë përsipër për lirimin tim, prandaj më ndihmo!”
Aliu i tha:
“A të të mësoj disa fjalë që m’i ka mësuar i Dërguari i Allahut, SalAllahu alejhi ve selem? Edhe sikur të kishe borxh sa mali Sir, Allahu do të ta mundësonte shlyerjen e tij. Thuaj:
‘O Allah, më jep mjaftueshëm nga ajo që Ti e ke lejuar, që të mos kem nevojë për atë që Ti e ke ndaluar, dhe, me mirësinë Tënde, më bëj të mos kem nevojë për askënd tjetër përveç Teje!’”
(Sahih Sunen Et-Tirmidhi)
“Mukatebe” është marrëveshja me të cilën skllavi merr përsipër t’i paguajë zotërisë së tij një shumë parash, në mënyrë që ai ta lirojë. Ndërsa “Sir” është emri i një mali.
Taberani transmeton në librin e tij “El-Mu‘xhem Es-Sagir”, nga Enes ibën Maliku, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut, SalAllahu alejhi ve selem, i tha Muadhit, radijAllahu anhu:
“A të të mësoj një lutje me të cilën t’i lutesh Allahut, që, edhe sikur të kishe borxh sa mali Uhud, Ai të ta mundësonte shlyerjen e tij? Thuaj, o Muadh:
‘O Allah, Zotërues i sundimit! Ti ia jep sundimin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash. Ti e nderon kë të duash dhe e poshtëron kë të duash. Në dorën Tënde është e mira. Vërtet, Ti je i Fuqishëm për çdo gjë. O i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë në këtë botë dhe në botën tjetër! Ti ia jep të mirat e të dyja botëve kujt të duash dhe ia ndalon kujt të duash. Më mëshiro me një mëshirë që më bën të mos kem nevojë për mëshirën e askujt tjetër përveç Teje!’”
(Taberaniu, “El-Mu‘xhem Es-Sagir”; Albani e ka vlerësuar të mirë — hasen — në “Sahih Et-Tergib vet-Terhib”, nr. 1821.)
Ahmedi transmeton nga Abdullah ibën Mesudi, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut, SalAllahu alejhi ve selem, ka thënë:
“Sa herë që dikë e kaplon brenga apo pikëllimi dhe ai thotë:
‘O Allah, unë jam robi Yt, biri i robit Tënd dhe biri i robëreshës Sate. Çdo qështje e imja është në dorën Tënde. Gjykimi Yt zbatohet mbi mua dhe caktimi Yt për mua është i drejtë. Të lutem me çdo emër që të përket Ty, me të cilin e ke emërtuar Veten, apo ia ke mësuar ndonjërës prej krijesave të Tua, apo e ke zbritur në Librin Tënd, apo e ke mbajtur vetëm për Vete në dijen Tënde të së fshehtës: bëje Kuranin pranverën e zemrës sime, dritën e kraharorit tim dhe shkakun e largimit të pikëllimit e të brengës sime!’ Allahu ia largon brengën dhe pikëllimin dhe ia zëvendëson me gëzim.”
E pyetën:
“O i Dërguari i Allahut, a t’i mësojmë këto fjalë?”
Ai tha:
“Po! Kushdo që i dëgjon, duhet t’i mësojë.”
(Ahmedi, “Musnedi”, nr. 3712; Albani e ka vlerësuar të saktë në “Sahih Et-Tergib vet-Terhib”, nr. 1822.)
Allahu e di më së miri.
(Shkëputje nga pyetja nr. 84030. Islamqa.info)
Përmblodhi dhe përktheu: Hoxhë Sabahudin Selimi











