Një tjetër koncept i zhvilluar në biznesin modern të qirasë është ai i ‘qirasë kryesore’ (head-leasing). Në këtë marrëveshje, një qiramarrës e jep me nënqira pronën për disa nënqiramarrës. Më pas, ai fton të tjerët të marrin pjesë në biznesin e tij duke i bërë ata të ndajnë qiratë e marra nga nënqiramarrësit e tij. Për t’i përfshirë ata në marrjen e këtyre qirave, ai u ngarkon një shumë të caktuar. Kjo marrëveshje nuk është në përputhje me parimet e sheriatit.
Arsyeja është e qartë. Qiramarrësi nuk është pronari i pasurisë. Ai ka të drejtë të përfitojë vetëm nga përdorimi i saj.Këtë përdorim ai tashmë e ka kaluar tek nënqiramarrësit e tij përmes një kontrate nënqiraje me ta. Në këtë pikë, ai nuk zotëron më as vetë pasurinë, as të drejtën për ta përdorur atë. E vetmja gjë që i mbetet është e drejta për të marrë qiranë. Ai më pas e cakton një pjesë të kësaj të drejte për persona të tjerë. Siç është shpjeguar më parë, kjo e drejtë nuk mund të tregtohet, sepse do të nënkuptonte shitjen e një borxhi të arkëtueshëm me zbritje, e cila është një nga format e ribasë (kamatës) të ndaluara nga Kurani i Shenjtë dhe Suneti. Prandaj, ky koncept nuk është i pranueshëm.
Këto janë disa nga karakteristikat themelore të ‘qirasë financiare’ që nuk përputhen me rregullat e sheriatit. Kur qiraja përdoret si një mënyrë islame e financimit, këto mangësi duhet të shmangen.
Lista e mangësive të mundshme në një marrëveshje qiraje nuk kufizohet vetëm në ato që u përmendën më sipër. Këtu janë përmendur vetëm gabimet bazë të gjetura në marrëveshje të ndryshme, si dhe një përmbledhje e parimeve thelbësore të qirasë islame. Një marrëveshje qiraje islame duhet të jetë në përputhje me të gjitha këto parime.