Ixharah – hyrje

Ixharah është një term i fikhut islam. Në aspektin leksikor, do të thotë ‘të japësh diçka me qira’. Në jurisprudencën islame, termi ‘ixharah’ përdoret për dy situata të ndryshme. Së pari, ai nënkupton ‘punësimin e një personi me një pagesë që i jepet si shpërblim për shërbimet e tij të kontraktuara.’ Punëdhënësi quhet mustaxhir, ndërsa punëmarrësi quhet axhir.

Pra, nëse A ka punësuar B në zyrën e tij si menaxher ose si nëpunës me një pagë mujore, A është mustaxhir dhe B është një axhir. Po kështu, nëse A ka marrë me qira shërbimet e një hamalli për të transportuar bagazhet e tij në aeroport, A është një mustaxhir ndërsa hamalli është një axhir, dhe në të dyja rastet, marrëveshja midis palëve quhet ixharah. Ky lloj i ixharah përfshin çdo transaksion ku shërbimet e një personi kontraktohen nga dikush tjetër. Ai mund të jetë mjek, avokat, mësues, punëtor ose çdo person tjetër që mund të ofrojë shërbime të vlefshme. Çdo njëri prej tyre mund të quhet ‘axhir’ sipas terminologjisë së ligjit islam, dhe personi që kontrakton shërbimet e tyre quhet ‘mustaxhir’, ndërsa pagesat që i bëhen axhir-it quhen ‘uxhrah’.

Lloji i dytë i ixharah ka të bëjë me përdorimin e pasurive dhe pronave, dhe jo me shërbimet e individeve. ‘xhjarah’ në këtë kuptim do të thotë ‘transferimi i të drejtës së shfrytëzimit të një prone të caktuar tek një person tjetër në këmbim të një qiraje të kërkuar prej tij.’ Në këtë rast, termi ‘ixharah’ është i ngjashëm me termin anglez ‘leasing’ (qiradhënie). Këtu, qiradhënësi quhet ‘muxhir’, qiramarrësi quhet ‘mustaxhir’ dhe qiraja e pagueshme për qiradhënësin quhet ‘uxhrah’.

Të dyja këto lloje të ‘ixharah’ janë trajtuar gjerësisht në literaturën e jurisprudencës islame dhe secili prej tyre ka rregullat e veta. Por për qëllimin e këtij libri, lloji i dytë i ixharah është më i rëndësishëm, pasi zakonisht përdoret si një formë investimi dhe gjithashtu si një mënyrë financimi.

Rregullat e ixharah, në kuptimin e qiradhënies, janë shumë të ngjashme me rregullat e shitjes, sepse në të dyja rastet diçka transferohet te një person tjetër në këmbim të një vlere. Dallimi i vetëm midis ixharah dhe shitjes është se në rastin e fundit, prona transferohet te blerësi, ndërsa në rastin e ixharah, prona mbetet në pronësinë e qiradhënësit, por vetëm e drejta për ta përdorur atë i transferohet qiramarrësit.

Prandaj, mund të shihet lehtësisht se ‘ixharah’ në origjinën e saj nuk është një mënyrë financimi. Është një aktivitet normal tregtar, siç është shitja. Megjithatë, për arsye të caktuara, dhe në veçanti për shkak të disa lehtësive tatimore që mund të përmbajë, ky transaksion po përdoret në vendet perëndimore edhe për qëllime financimi. Në vend që të jepnin një kredi të thjeshtë me interes, disa institucione financiare filluan të jepnin me qira pajisje të ndryshme klientëve të tyre. Kur përcaktojnë qiranë e këtyre pajisjeve, ata llogarisin koston totale që kanë pasur për blerjen e këtyre pasurive dhe i shtojnë interesin e parashikuar që mund të kishin marrë për një shumë të tillë gjatë periudhës së qirasë. Shuma e përgjithshme e llogaritur në këtë mënyrë ndahet sipas muajve të periudhës së qirasë, dhe qiraja mujore përcaktohet mbi këtë bazë.

Çështja nëse transaksioni i qiradhënies mund të përdoret si një mënyrë financimi sipas sheriatit varet nga kushtet e kontratës. Siç u përmend më parë, qiradhënia është një transaksion normal tregtar dhe jo një mënyrë financimi. Prandaj, transaksioni i qirasë gjithmonë rregullohet nga rregullat e sheriatit të përcaktuara për ixharah. Le të shqyrtojmë tani rregullat bazë që rregullojnë transaksionet e qiradhënies, siç janë përcaktuar në fikhun islam. Pas studimit të këtyre rregullave, do të mund të kuptojmë në çfarë kushtesh ixharah mund të përdoret për qëllime financimi.

Megjithëse parimet e ixharah janë aq të shumta sa që kërkohet një vëllim i veçantë për diskutimin e tyre të plotë, në këtë kapitull do të përpiqemi të përmbledhim vetëm ato parime bazë që janë të nevojshme për të kuptuar natyrën e transaksionit dhe që përgjithësisht nevojiten në kontekstin e praktikës ekonomike moderne. Këto parime janë regjistruar këtu në formën e shënimeve të shkurtra, në mënyrë që lexuesit të mund t’i përdorin ato për referenca të shpejta.

Artikulli paraprakMurabaha në marrëveshje të paracaktuara
Artikulli tjetërRregullat e qiradhënies – ixharah