Sot, një nga sfidat më të mëdha të drejtimit është menaxhimi i tre brezave që punojnë së bashku në të njëjtën kompani. Menaxherët, kudo në Europë, po hasen me vështirësinë e drejtimit të një force pune gjithnjë e më të ndryshme. Mungesa e të kuptuarit në lidhje me gjeneratat kthehet në burim konflikti brenda marrëdhënieve të punës, ul produktivitetin dhe rrit lëvizjen e forcës punëtore.
Kompania është i vetmi vend ku tre brezat janë të detyruar të kalojnë 35 orë ose më shumë së bashku në javë. Të gjithë duhet t’i përmbahen specifikave, ndaj rreziku i “ndeshjes” së brezave është i madh, pothuajse i pashmangshëm. Punëdhënësit duhet të mësojnë, të kuptojnë dhe të vlerësojnë vlerat, perspektivat dhe objektivat e të punësuarve në të gjitha grupmoshat.
Sot, në botë ka tre breza që bashkëjetojnë në vendin e punës:
të ashtuquajturit “baby boomer”-s, të lindur midis viteve 1946-1964, gjenerata X e lindur midis viteve 1965-1976 dhe gjenerata Y, e lindur pas vitit 1977.
Çdo brez sjell zakone unike, punë që i japin formë tregjeve tona. Ata të gjithë kanë vlera të dallueshme, një pikëpamje të ndryshme të autoritetit dhe ndjenjë besnikërie, prandaj duhet të motivohen dhe menaxhohen ndryshe nga njëri-tjetri.
Breza të ndryshëm, tipare të ndryshme
Ngjarje të mëdha në histori të tilla si ndryshimi i faktorëve socialë apo ekonomikë kanë ndikuar në qëndrimet apo vlerat e individëve ose grupeve të individëve. Këto ngjarje u konsideruan si faktorë të rëndësishëm që kanë ndikuar në breza të ndryshëm.
Fundi i Luftës së Dytë Botërore shënoi fillimin e gjeneratës migruese të brezit të parë. Ata u rritën në një kohë kur nënat qëndronin në shtëpi dhe baballarët shkonin për të punuar. Ky brez ka përjetuar një periudhë të zgjerimit ekonomik dhe kulturor, si dhe ardhjen e televizionit, që do të thotë se ata kanë përjetuar dhe luftën e Vietnamit. Ata janë parë si njerëz që punonin pa fund, shumë të shqetësuar për përfitimet materiale, promovimin dhe pagat e larta. Janë konsideruar si avokatë të të drejtave të njeriut, me një sens të lartë besnikërie, idealistë dhe optimistë.
Gjenerata X konsiderohet si më mirë e arsimuar se gjenerata e parë. Mentaliteti X pasqyron kalimin nga një ekonomi prodhimi në atë të shërbimeve. Ata u përballën me rritje të borxhit kombëtar dhe rritjen e përdorimit të drogës.
Ata gjithashtu përjetuan rënien e Murit të Berlinit, që shënoi fundin e Luftës së Ftohtë. Anëtarët e këtij brezi konsiderohen si ekonomikisht konservatorë, të cilët kanë përjetuar periudha të mëdha të inflacionit gjatë rinisë. Në vendin e punës, Gjenerata X predikon vlerat e lirisë dhe përgjegjësisë. Ata e vlerësojnë nëse u jepet koha dhe liria për të menaxhuar kohën e tyre të punës. Ky brez kërkon një ekuilibër të jetës së punës.
Në lidhje me gjeneratën Y, ekzistojnë mendime kontradiktore.
Nga njëra anë, disa studiues besojnë se ky brez sjell “ajrin” e ri dhe të freskët për kompanitë, nga ana tjetër shikohen si “fëmijë të llastuar” me pretendime realiste. Në sajë të shkëmbimit të programeve dhe mundësive të mëdha për të studiuar dhe punuar jashtë vendit, pjesëtarët e këtij brezi janë të hapur ndaj mundësive sfiduese e si rrjedhojë, ata punojnë si një ekip ndërkombëtar. Janë të “armatosur” me Blackberry, laptop, celularë 24 orë në ditë, 7 ditë të javës.
Fleksibiliteti dhe prioritetet personale janë shumë të rëndësishme për këtë brez. Megjithatë, ata kanë mungesë besimi dhe kanë nevojë për strukturat mbikëqyrëse, në mënyrë që të arrijnë punën e tyre, veçanërisht sepse ata janë shumë të rinj dhe pa përvojë. Ata kërkojnë një ekuilibër midis punës dhe jetës private dhe kërkojnë një mjedis pune që është zbavitës dhe i dobishëm në të njëjtën kohë.
Çfarë mund të bëhet?
Vlerësoni ndryshimet te punonjësit
Është e rëndësishme që punonjësit të trajtohen si konsumatorë. Menaxherët duhet të përpiqen të mësojnë më shumë në lidhje me punonjësit e tyre, të mësojnë specifikat e tyre dhe preferencat në mënyrë që të menaxhojnë çështje të tilla si: planifikimi personal, puna, bilanci i jetës.
Adaptoni një stil menaxherial të sofistikuar
Menaxherët duhet të sigurojnë udhëzime të qarta dhe të sakta, objektiva dhe masa për ata që janë nën autoritetin e tyre. Të japësh komente dhe shpërblime të përshtatshme janë më shumë se të rëndësishme për çdo kompani që dëshiron të mbajë një atmosferë të mirë pune.
Nxisni kompetencën dhe iniciativën
Çdo punonjës, qoftë nga më i riu deri dhe te më profesionali, duhet të trajtohet sikur të gjithë kanë gjëra të mëdha për të ofruar. Megjithatë, menaxherët dhe departamenti i BNJ duhet të sigurohen që në fillim të punësojnë personat e duhur për kompaninë e duhur.
Kultivoni dijen te punonjësit
Mbajtja e punonjësve të mirë dhe produktiv është kthyer për ekonominë e sotme po aq e rëndësishme sa gjetja dhe mbajtja e klientëve. Prandaj është e rëndësishme t’u sigurohet punonjësve trajnim, kurse specializimi dhe kultivim i mëtejshëm.