A do të marrë BQE-ja mësime nga një bankë tjetër qendrore në Frankfurt?
Është e vështirë të dallosh majën e malit kur je duke u ngjitur në mes të mjegullës. Kjo është e vërtetë edhe për politikanët që po luftojnë me inflacionin, shkruan The Economist.
Në Eurozonë, çmimet e konsumit në tetor ishin 10.7% më të larta se një vit më parë. Banka Qendrore Europiane (BQE) ka rritur normat e interesit me 0.75% për të dytën herë radhazi, duke ndjekur me përpikëri rrugën e Rezervës Federale të Amerikës. Zyrtarët shpresojnë që kulmi të jetë afër.
Optimistët theksojnë se Eurozona nuk zbatoi asnjë stimul të madh fiskal pas pandemisë Covid-19, ndryshe nga Amerika, që do të thotë se inflacioni është nxitur nga goditjet e ofertës dhe çmimet e energjisë, dhe jo nga ekonomia e “mbinxehur”.
Paketat e fundit të shpenzimeve në Europë janë përpjekur të zbusin goditjen nga çmimet e larta të energjisë, jo të stimulojnë shpenzimet. Në tremujorin e dytë të vitit, konsumi ishte më pak se 2% mbi të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në Amerikë ishte 7%.
Për më tepër, treguesit sugjerojnë se ekonomia europiane po shkon drejt recesionit. Pagat janë rritur në mënyrë të moderuar dhe ka pak shenja të një spiraleje paga-çmime. Çmimet aktuale dhe të ardhshme të energjisë në tregjet me shumicë, kanë rënë nga piku i verës. Pengesat që prekin gjithçka, nga mikroçipet te mobiliet, janë lehtësuar. Ndoshta kulmi vërtet po afron.
Fatkeqësisht, optimizmi ndoshta është i pabazë. Duhet kohë që çmimet më të ulëta të energjisë të përcillen te konsumatorët. Në shumicën e vendeve, po ndodhin ende rritje të jashtëzakonshme.
Franca ka inflacionin më të ulët në bllok, në nivelin 7.1% në tetor, pjesërisht për shkak se qeveria kufizoi çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike. Megjithatë, vitin e ardhshëm, çmimet do të lejohen të rriten me 15%, duke rritur edhe inflacionin. Në Gjermani, shumë familje kanë kontrata afatgjata që rinovohen gradualisht, duke reflektuar çmime më të larta.
Dhe megjithëse, falë muajit të ngrohtë të tetorit, çmimet e shitjes me shumicë për energjinë u ulën, parashikohet një dimër i ftohtë dhe i thatë, që do të thotë se çmimet ndoshta do të rriten sërish. Edhe më keq, Vladimir Putin mund të përshkallëzojë luftën energjetike.
Çmimet e energjisë dhe të ushqimeve përbëjnë më pak se një të tretën e shportës së mallrave dhe shërbimeve të përdorura për të matur inflacionin. Por shqetësuese janë edhe tendencat në pjesën tjetër të shportës. Çmimet për shërbimet dhe mallrat e tjera, përveç ushqimeve dhe energjisë, janë rritur me 6% në bazë vjetore gjatë tre muajve të fundit.
Megjithëse çmimet e energjisë mund të mos rriten me këtë vrull, madhësia e rritjes tregon se inflacioni po përhapet. Siç vëren Chris Marsh nga Exante, një firmë kërkimore, situata duket fatkeqësisht e ngjashme me atë në Amerikë, disa muaj më parë.
Rritja e pagave ka të ngjarë të rrisë inflacionin. Deri tani, pagat në Europë janë rritur pak. Ndryshe nga Amerika, gjashtë në dhjetë punëtorë kanë lidhur marrëveshje kolektive, të cilat zakonisht zgjasin për një vit ose më shumë, që do të thotë se do të duhet kohë që kushtet ekonomike të ndikojnë në pagën e tyre.
Negociatorët e sindikatave kanë kërkesa të kufizuara, të vetëdijshëm për rrezikun e një spiraleje të çmimeve dhe pagave. Por durimi i negociatorëve ka filluar të zbehet. Sindikatat e sektorit publik të Gjermanisë do të hyjnë në negociatat e ardhshme, duke kërkuar rritje prej 10.5% të pagave.
Problemi për shefat është se tregu i punës mbetet jashtëzakonisht i ngushtë. Pjesa e firmave që raportojnë se mungesat e stafit po kufizojnë prodhimin e tyre, është afër niveleve rekord, si në sektorin e prodhimit, ashtu edhe në atë të shërbimeve.
Një arsye është grumbullimi i madh i porosive nga pandemia. Firmat prodhuese kanë mesatarisht më shumë se pesë muaj punë në bilancet e tyre të porosive, sipas një sondazhi të fundit, nga katër para se të godiste Covid-19.
Duke marrë parasysh edhe grupin e punëtorëve që dalin në pension çdo vit në vendet me popullsi të moshuar, si Italia dhe Gjermania, ekziston mundësia që të krijohet një treg i ngushtë pune, gjatë vitit 2023.
E gjithë kjo do të thotë se kulmi i inflacionit është disi larg. Edhe pasi të jetë arritur kulmi, nuk do të jetë e lehtë, sepse zbritja do të jetë po aq e ndërlikuar.
Çmimet e energjisë duhet të caktohen në një nivel më të ulët vitin e ardhshëm, gjë që do të ulë inflacionin total. Por inflacioni në pjesën tjetër të ekonomisë, mund të jetë ende duke u rritur, duke kufizuar kështu rënien e menjëhershme. Kështu, mjegulla do të mbetet.
Edhe një recesion, nëse do të jetë i shkurtër, mund të mos e zbusë inflacionin. Në atë rast, BQE-ja duhet të shtrëngojë politikën monetare edhe një herë.
“Bundesbank, në vitet 1970, nuk u tremb aspak kur ekonomia u dobësua. Ata qenë të suksesshëm në mposhtjen e inflacionit”, vëren zoti Marsh. Këtë herë, mund të nevojitet diçka e ngjashme nga banka tjetër qendrore në Frankfurt./monitor/
Comments are closed.