Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë rritur ndjeshëm borxhin e jashtëm, këtu përfshihen obligimet ndaj kreditorëve të huaj, si banka komerciale, qeveri apo edhe institucone financiare ndërkombëtare.
Sipas rrjetit mediatik turk, TRT Balkan, që analizon borxhin e jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke u bazuar në shifra zyrtare të institucioneve vendore, Bankave Qendrore dhe Ministrive të Financave, Kosova qëndron më së miri në krahasim me vendet e rajonit.
Nga të gjitha shtetet e rajonit, Kosova ka borxhin më të ulët të jashtëm, sipas të dhënave nga Ministria e Financave e Kosovës. Me 580 milionë euro detyrime të jashtme, Kosova është e vetmja që nuk kalon as 1 miliardë euro borxhe të jashtme në rajon, ndërsa ky borxh përbën rreth 6.87 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP).
Sa i përket vendeve në rajon, situata me borxhin e jashtëm është më kritike në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Borxhi i jashtëm i Malit të Zi është 68.4 për qind, sipas të dhënave zyrtare nga Podgorica, duke e kaluar nivelin prej 60 për qind që është një nivel kritik sipas standardeve ndërkombëtare.
Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, i afrohet shumë këtij niveli, me borxhin e jashtëm që arrin 58.3 për qind të GDP-së.
Shqipëria e ka borxhin e jashtëm shtetëror që arrin 34.1 për qind të GDP-së, ndërsa i Serbisë shkon mbi 20 miliardë euro, që është 34.5 për qind e GDP-së së saj.
Por, borxhet e jashtme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, llogariten të jenë edhe më të larta, nëse përshihen edhe detyrimet ndaj kreditorëve të brendshëm. Mali i Zi, si vendi me borxhe më së shumti, nëse përfshihet edhe ai i brendshmi, arrin në 75% për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kurse sa i përket Kosovës, edhe nëse llogaritet borxhi i brendshëm, shifrat arrijnë në 20.48 për qind të GDP-së. Me gjithë këto përllogaritje Kosova mbetet vendi me borxhin më të ulët në Ballkanin Perëndimor./shqip/
Comments are closed.