Modele të suksesshme dhe të dështuara të lidershipit sipas Kur’anit

Historia njerëzore është përplot shembuj dhe modele lidershipi të suksesshëm dhe të dështuar, dhe këtë jo vetëm në një fushë të caktuar. Evidentimi i tyre në histori ka ndodhur natyrshëm për shkak të efekteve që kanë pasur në shoqëri. Më saktë, njerëzimi ka përjetuar tmerrin në disa epoka kur protagonistë lidershipi kanë qenë dështakë e mjeranë, sikur që ka përjetuar ditë të lumtura kur liderë kanë qenë njerëz me vlera dhe virtyte.

Kur’ani fisnik paraqet dy modele lidershipi:

1. Modeli që thërret në të mirën dhe përfillë programin hyjnor, dhe,

2.Modeli që thërret në të keqen dhe shpërfillë programin hyjnor.

Përkitazi me të parin, sa për ilustrim, Kur’ani na rrëfen:

Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet dhe të jepnin zeqatin, dhe ata vetëm Ne na adhuruan.” [Enbija: 73]

Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët udhëzonin me urdhrat Tanë, për sa kohë që ishin të durueshëm dhe besonin bindshëm.” [Sexhde: 24]

Ndërsa sa i përket modelit  të dytë, atij të dështuar pra, Kur’ani na rrëfen dhe ne po përmendim këtu tre shembuj vetëm sa për ilustrim:

Na e kemi dërguar Musain me argumentet Tona dhe me dokumentet e qarta te Faraoni dhe paria e tij, por paria shkoi pas urdhrit të Faraonit, ndonëse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë.” [Hud:96 -97]

Kjo, sepse ata pasuan atë që shkakton zemërimin e Allahut dhe urryen pëlqimin e Tij e kështu, Ai ua zhvlerësoi atyre veprat.” [Muhammed: 28]

Ja, ky ishte fisi Ad. Ai i mohonte shenjat e Zotit të tij, nuk i dëgjonte të dërguarit e Tij dhe shkonte pas urdhrit të çdo keqbërësi kokëfortë.” [Hud: 59]

Kështu duken me pak fjalë këto dy lloje lidershipi, detaje të të cilave janë shtjelluar në Kur’anin fisnik.

Ajo që konsideroj se ka rëndësi të përmendet këtu është se, studimet bashkëkohore, pavarësisht përmbajtjes së mirë që kanë, nuk është se kanë sjellë diçka të re më shumë për lidershipin e suksesshëm se që Kur’ani fisnik dhe Sunneti i Pejgamberit Muhammed a.s., kanë ofruar. Studimet në fjalë në fokus kanë rëndësinë e mesazhit që bartin liderët dhe i cili i shtyn të lëvizin drejt realizimit të tij, vetëbesimin dhe aftësinë për të çuar përpara gjërat, personalitetin karizmatik, guximin për të marrë vendime dhe për të sakrifikuar, sinqeritetin, pjekurinë dhe nivelin e lartë të vetëdijes, aftësinë e menaxhimit të suksesshëm, shkathtësitë e komunikimit, etj.

Që të mos keqkuptohemi, ne nuk është se nuk e çmojmë kontributin e dhënë në këtë lëmi. Assesi. Ajo që ne duam apriori ka të bëjë me prezantimin e fakteve dhe të vërtetave të mahnitshme kur’anore dhe profetike përkitazi me lidershipin, duke synuar, fillimisht dhe para së gjithash, përvetësimin e Kur’anit dhe Synetit si referenca për të projektuar jetën tonë fetare dhe shoqërore, si dhe për tu vetëmjaftuar me këto referenca, të cilat, për hir të së vërtetës dhe korrektësisë, nuk ka çështje që trajtohet në botën e lidershipit, e që nuk e kanë (Kur’ani dhe Syneti) trajtuar nga një ose aspekt tjetër.

Së këndejmi, ne besojmë se çdokush që nuk niset nga ky shteg, do t’i ekspozohet lëshimeve dhe gabimeve, sepse, askush më mirë se Allahu xh.sh., nuk e di çfarë i duhet dhe çfarë bënë dobi më shumë njerëzve. Allahu xh.sh., thotë:

“…Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!” [A’rafë: 54]

A mos kërkojnë ata gjykimin (me ligjin) e (kohës së) injorancës (paganizmit paraislamik)?! E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?” [Maide: 50]

Nëse e marrim dhe e shfletojmë Librin e Allahut xh.sh., Kur’anin fisnik, do të gjejmë se ai përmban instruksione të rëndësishme të cilat meritojnë të shkruhen madje me ngjyrë ari. Ato janë si shenjat në rrugë të cilat aludojnë në rëndësinë qenësore për kthim tek referencat islame (Kur’ani dhe Syneti), për të shmangur kështu animin e liderit kah epshet ose dobësinë e tij nga mangësia njerëzore. Allahu xh.sh., thotë:

Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti. 49. Prandaj gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu e mos ndiq dëshirat e tyre të kota! Ki kujdes që ata mos të të nxisin të largohesh nga një pjesë e asaj që të ka shpallur Allahu! Nëse ata të kthejnë kurrizin e nuk dëgjojnë gjykimin tënd, atëherë ta dish se Allahu do vetëm që t’i dënojë për disa gjynahe të tyre. Në të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur.” [Maide: 48-49]

Lideri i suksesshëm sipas Kur’anit është ai që thërret në të vërtetën dhe udhëzon njerëzit në të, duke ua sqaruar dhe shpjeguar atë, sepse kjo është dhe pjesë e detyrave dhe obligimeve të tij. Allahu xh.sh., thotë:

“Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet dhe të jepnin zeqatin, dhe ata vetëm Ne na adhuruan.” [Enbija: 73]

Pra, lideri model është ai që mer iniciativë dhe lëviz, jo nga dashuria për tu shfaqur dhe reklamuar, por nga përgjegjësia dhe detyrimet që rëndojnë mbi supet e tij. Kushdo që shfleton biografitë e Pejgamberëve a.s., dhe personaliteteve të dalluara, do të gjejë këtë kod udhëheqje të mishëruar me veprimet dhe sjelljet e tyre. Lideri, sipas perceptimit kur’anor dhe pejgamberik, i nënshtrohet kontrollit dhe mbikëqyrjes hyjnore dhe shoqërore. Allahu xh.sh., thotë:

 “Ndalini ata, se do të pyeten.” [Saffat: 24]

Këtë e gjejmë të shprehur qartë dhe tekstualisht edhe në hadithin e saktë të përcjellë nga sahabiu i nderuar, Abdullah b. Umeri r.a.: “Të gjithë ju jeni kujdestarë dhe të gjithë do të merreni në pyetje për atë që ju është lënë nën përgjegjësi: sundimtari është kujdestar dhe do të pyetet për popullin; kryefamiljari është kujdestar dhe do të pyetet për familjen; e zonja e shtëpisë është kujdestare në shtëpinë e burrit dhe do të pyetet për familjen; shërbëtori është kujdestar dhe do të pyetet për pasurinë e zotërisë së tij dhe për ata që i ka nën kujdestari.” Të gjitha këto i kam dëgjuar nga Pejgamberi a.s., dhe kujtoj se e kam dëgjuar edhe duke thënë: “I biri është përgjegjës për pasurinë e të atit dhe për atë që ka nën përgjegjësi. Kështu, ju të gjithë jeni kujdestarë dhe të gjithë do të jepni llogari për ata që ju janë lënë në përgjegjësi.

Ndjenja e përgjegjësisë së liderit karshi shoqërisë mbikëqyret nga dy forca të cilat kanë pushtet shpirtëror dhe fizik mbi liderin:

  1. Pushteti i Kur’anit i cili e orienton liderin drejt vendimeve të mëdha dhe të rëndësishme pa mos u ndikuar aspak nga cytjet e epshit dhe interesave personale, dhe
  2. Pushteti i urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, i cili është instrument në dorën e shoqërisë që aktivizohet me rastin e lajthitjes së liderit nga e vërteta. Fakti se është pushtet shoqëror nuk nënkupton ekzekutimin e tij në formë të brishtë dhe të shthurur. Ekziston Këshilli i Lartë Fetar Shtetëror zyrtar i cili e ushtron këtë pushtet dhe i cili ka të drejtën madje edhe të përdorimit të forcës në mënyrë që liderin ta kthejë nën pushtetin e Kur’anit dhe urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Në hadithin e sahabiut të nderuar, Temim Dariut, qëndron se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Feja është nasihat, feja është nasihat, feja është nasihat!! Për kë, o i Dërguari i Allahut? – e pyetën. Tha: Për Allahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, prijësit dhe masat e myslimanëve.”

Kur’ani fisnik na ka ofruar shembullin e një lideri të suksesshëm dhe dinamik, të fortë dhe të aftë për tu përballur me problemet dhe sfidat e çdo fushe dhe sfere. Është ky mbreti Talut, modeli i nevojshëm për lidership deri në Ditën e Kiametit. Ishte përzgjedhur nga Allahu xh.sh., që të udhëheq me izraelitët, pikërisht për shkak të cilësive dhe tipareve që dispononte, e të cilat janë ato që aq fort po i diskutojmë e dëshirojmë për liderët e kohës sonë. Allahu xh.sh., na rrëfen për të e thotë:

“Profeti i tyre u tha: “Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj.” Ata thanë: “Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?! Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe.” Ai u përgjigj: “Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” [Bekare: 247]

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)

Burimi : drhafezi.net

Artikulli paraprakEdhe nëse mund të kurseni vetëm 20 euro në muaj, bëjeni.
Artikulli tjetërLugina zvicerane që s’mërzitet për krizën energjetike