Reduktimi i mbeturinave, BE propozon rregulla të reja për t’i bërë telefonat dhe tabletët të qëndrojnë më gjatë

Bashkimi Europian dëshiron të reduktojë mbetjet elektronike, duke detyruar vendosjen e standardeve të riparueshmërisë së celularëve dhe tabletëve.

Kreu legjislativ i Bashkimit Europian ka propozuar rregulla të reja lidhur me riparueshmërinë e telefonave dhe tabletëve, sipas të cilave thuhet se prodhuesit duhet të vënë në dispozicion të paktën 15 komponentë për të paktën pesë vjet, pasi të lëshojnë në treg një telefon të ri në BE.

Brenda këtij afati kohor, konsumatorët do të jenë në gjendje të zëvendësojnë pjesë të tilla si: bateritë, ekranet, karikuesit, mbulesat e pasme dhe tabaka të kartave SIM dhe memorien.

Komisioni Europian po shikon gjithashtu përmirësime në qëndrueshmërinë e baterisë. Ai thotë se bateritë e celularëve dhe tabletëve duhet të jenë në gjendje të durojnë të paktën 500 ngarkime të plota përpara se të bien nën 83% të kapacitetit të tyre. Sipas rregulloreve të propozuara, telefonat do të duhet të kenë një etiketë që përshkruan informacione të detajuara si qëndrueshmëria e baterisë si dhe vlerësimet e rezistencës ndaj rënies dhe ujit.

Ideja, siç thekson dhe Financial Times, është që të reduktohen mbetjet elektronike dhe ndikimet mjedisore të telefonave dhe tabletëve. Sipas një studimi, rritja e cikleve të jetës së smartfonëve me pesë vjet do të ishte e barabartë me heqjen e rreth 5 milionë makinave nga rrugët për sa i përket emetimeve.

Propozimi sugjeron që bërja e telefonave dhe tabletëve më të riciklueshëm dhe të riparueshëm do të reduktonte kostot e konsumit të energjisë që lidhen me prodhimin dhe përdorimin e tyre me një të tretën.

Prodhuesit e telefonave inteligjentë janë kundërpërgjigjur ndaj disa elementëve të rregullave duke pretenduar se disponueshmëria më e madhe e pjesëve do të rrisë konsumin e plastikës.

“Një mbiprodhim i mundshëm, magazinimi dhe shkatërrimi i mëvonshëm i pjesëve rezervë do të rezultojë në mënyrë të natyrshme në humbje të burimeve, reduktim të efikasitetit të materialit dhe vlerë ekonomike, negative që përfundimisht rezulton në kosto më të larta për konsumatorin”, tha Digital Europe, një organizatë që përfaqëson kompanitë e teknologjisë dhe grupet tregtare.

Megjithatë, disa prodhues të telefonave po fillojnë që të përshtaten me rregullore të tilla, duke u ofruar konsumatorëve komponentë dhe mjete për të vetëriparuar pajisjet e tyre.

Rregullat e propozuara do të ndikojnë gjithashtu në përditësimet e softuerit. Prodhuesit do të duhet të vazhdojnë të ofrojnë përditësime sigurie për pesë vjet pasi të ndalojnë shitjen e një pajisjeje dhe të ofrojnë përditësime funksionaliteti për të paktën tre vjet.

Në qershor, KE njoftoi një direktivë që USB-C të bëhet standardi i karikimit për shumicën e pajisjeve elektronike, përfshirë të gjithë celularët, deri në vjeshtën e vitit 2024./Motilokal

Artikulli paraprakMos lejoni që paratë tuaja t’ju kontrollojnë!
Artikulli tjetërOferta e Rusisë për Europën: Nëse doni gazi, bëni këtë hap…