Gjatë viteve të fundit, java me katër ditë punë ka qenë në qendër të vëmendjes, si një nga mënyrat e mundshme për të përmirësuar ekuilibrin punë-jetë dhe mirëqenien e punonjësve, veçanërisht pasi pandemia bëri që shumë prej tyre të rimendojnë prioritetet e karrierës.
Megjithëse shumë persona e konsiderojnë këtë si një alternativë novatore përkundrejt javës normale të punës nga e hëna në të premte, për shumë të tjerë ajo rezultoi të sillte probleme të mëdha.
Java me katër ditë punë është testuar gjerësisht në të gjithë botën (megjithëse jo të gjithë punonjësit kanë pasur mundësinë që ta provojnë atë) dhe, madje, është miratuar përgjithmonë nga shumë kompani në disa vende, pasi rezultatet e këtyre provave treguan se java më e shkurtër e punës përmirëson mirëqenien dhe lumturinë e punonjësve, duke ruajtur të njëjtin nivel produktiviteti.
Por, në shumë kompani, java me katër ditë punë rezultoi më e ndërlikuar dhe solli shumë polemika. Në disa industri të caktuara, është thjesht e pamundur t’i bësh pushim të premtet, ndërsa në ato kompani ku punonjësve iu dha mundësia për të provuar fundjavën me tre ditë, kjo shpesh erdhi me koston e një jave më të shkurtër, por rraskapitëse, gjatë së cilës punonjësit duhej të punonin edhe më shumë se zakonisht për të kompensuar ditën e “humbur”.
Por, nëse java me katër ditë punë nuk është zgjidhja universale që mendonim, a nënkupton kjo fundin e ëndrrave të shumë njerëzve për të punuar më pak?
Alternativa tjetër është dita me gjashtë orë punë.
Studiuesi Dr. Mansoor Soomro, lektor për Qëndrueshmërinë dhe Biznesin Ndërkombëtar në Universitetin Teesside në Mbretërinë e Bashkuar, tha për Euronews se dita më e shkurtër e punës mund të ishte një mënyrë më e mirë për t’u ofruar punonjësve më shumë fleksibilitet, krahasuar me javën me katër ditë punë.
“Në këtë mënyrë, punonjësit do të kenë të njëjtin numër ditësh pune dhe kryesisht të njëjtat orë standarde të punës,” tha Soomro. “Kështu që mendoj se ky do të ishte një fillim i mirë”.
Pse të mos punojmë më pak?
Dita me tetë orë punë është mënyra se si gjërat kanë funksionuar për shumë dekada, por nuk do të thotë se kjo është domosdoshmërisht mënyra më e zgjuar apo më e shëndetshme për të punuar.
Tetëorarëshi daton që nga Revolucioni Industrial, një periudhë e cila, pavarësisht ndikimit që pati në historinë e njerëzimit, nuk kishte në konsideratë interesat më të mira të punonjësve.
Në atë kohë, dita me tetë orë punë ishte një politikë progresive e konceptuar për të mos bërë që punonjësit, duke përfshirë fëmijët, të rraskapiteshin nëpër fabrika duke punuar deri në 16 orë në ditë.
Sasia specifike e kohës bazohej në idenë që 24 orët e ditës mund të ndaheshin në mënyrë të barabartë në tre pjesë të nevojshme për jetën e njerëzve: tetë orë punë, tetë orë argëtim dhe pushim, dhe tetë orë gjumë.
Por, askush nuk tha se tetë orët ishin sasia ideale që duhet të punojnë njerëzit. Madje, krejt e kundërta është e vërtetë.
Studimet e fundit kanë zbuluar se fokusi dhe produktiviteti i punonjësve priren të bien pas rreth pesë orësh punë, me një anketë të vitit 2019 në Mbretërinë e Bashkuar që tregoi se punonjësit nëpër zyra ndiheshin produktivë vetëm për gjysmën e ditës dhe e kalonin pjesën tjetër të kohës duke përdorur mediat sociale, duke bërë çaj dhe kafe, ose duke kërkuar për punë të tjera.
Një studim i vitit 2014 nga Universiteti i Stanford në Shtetet e Bashkuara tregoi se produktiviteti i punonjësve binte kur ata punonin mbi 50 orë në javë, deri në atë pikë sa njerëzit që punonin 70 orë në javë kryenin të njëjtën sasi pune me ata që punonin 55 orë.
Ideja e shkurtimit të ditës së punës në vend të javës së punës është sugjeruar nga psikologët të cilët besojnë se puna prej gjashtë orësh në vend të tetë orëve do të ishte një opsion më i realizueshëm për bizneset, ndërkohë që do të kishte të njëjtin ndikim të dobishëm në mirëqenien e punonjësve si dhe java me katër ditë punë.
Në Europë, Holanda është vendi ku punonjësit punojnë më pak orë, me një mesatare prej 30.3 orësh në javë përkundrejt mesatares standarde prej 40 orësh në javë, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Danimarka doli e dyta, me mesatarisht 33.7 orë në javë për punonjësit me kohë të plotë, e ndjekur nga Norvegjia, me 34.1 orë në javë.
Të treja këto shtete renditen ndër vendet më të mira në botë për nivelet e të larta të produktivitetit./Euronews/