Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e fitimit neto të bankave deri në muajin prill të këtij viti është mbi 44 milionë euro.
Mbi 117 milion euro neto i fituan gjatë viti 2021.
Por, edhe përkundër fitimit të madh, bankat komerciale në Kosovë vazhdimisht po i rrisin çmimet e shërbimeve bankare.
Madje, këto shërbime janë më të shtrenjta sesa në vendet e rajonit.
Por, Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, çështja e çmimeve të shërbimeve bankare do të adresohet përmes draft ligjit të ri për shërbimet e pagesave e që është në proces të finalizimit.
“Ju njoftoj se çështja e çmimeve të shërbimeve bankare do të adresohet përmes draft ligjit të ri për shërbimet e pagesave, ku përveç Direktivës për Shërbime të Pagesave dhe Direktivës për Institucionet e Parave Elektronike, ky draft ligj planifikohet të transpozoj edhe Direktivën e BE-së “Për llogarinë e pagesës”.
Ky institucion nuk ka dashur të tregoj se cilat nga shërbimet bankare kanë pësuar rritje më të mëdha të çmimeve, me arsyetimin se kjo çështje është kompetencë e Shoqatës së Bankave të Kosovë.
Mirëpo, pyetjeve, nuk iu janë përgjigjur as nga kjo shoqatë.
Megjithatë, BQK-ja thotë se, bankat janë të obliguara të informojnë paraprakisht klientët lidhur me çdo ndryshim të çmimeve bankare.
“Secila bankë përcakton çmimet si të produkteve kamatore (kredive), ashtu edhe të atyre jokamatore. Bazuar në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, bankat janë të obliguara të informojnë paraprakisht klientët lidhur me çdo ndryshim, përfshirë këtu edhe çështjen e shumës së mirëmbajtjes së llogarisë”.
Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrija, e vlerëson si të padrejt rritjen e çmimeve nga ana e bankave.
Sipas tij, ky sektor nuk është prekur fare nga kriza ekonomike që ka kapluar botën pas shpërthimit të koronavirusit dhe luftës Rusi-Ukrainë.
“Shërbimi bankar është një ndër bizneset dhe shërbimet që ndoshta më së paku është ndikuar nga ana e krizës, sepse në përgjithësi, shërbimet bëhet në mënyrë elektronike dhe nuk besoj që ka pasur rritje të shërbimit të çmimit edhe te bankat komerciale, sidoqoftë, problemi më i madh është se qytetarët në Kosovë, të gjithë transaksionet e pagave i bëjnë përmes llogarive bankare, kështu që, kjo është edhe një mundësi më shumë për bankat komerciale që të luajnë me çmime”
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e të fitimit neto të bankave deri në muajin prill të këtij viti, është mbi 44 milionë euro.