Pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të jetë “fillimi i luftës së tretë botërore” që mund të shënojë fundin e qytetërimit, ka paralajmëruar filantropisti veteran dhe ish-financieri George Soros, shkruan The Guardian.
Duke kritikuar ashpër Vladimir Putinin dhe Xi Jinpingun e Kinës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Soros paralajmëroi se regjimet autokratike ishin në rritje dhe ekonomia globale po shkonte drejt një rënie.
Sorosi gjithashtu kritikoi ashpër ish-kancelaren gjermane Angela Merkel për marrëdhënien që pati me Moskë dhe Pekinin.
“Pushtimi mund të ketë qenë fillimi i luftës së tretë botërore dhe qytetërimi ynë mund të mos i mbijetojë asaj. Pushtimi i Ukrainës nuk erdhi nga qielli. Bota ka qenë gjithnjë e më shumë e përfshirë në një luftë midis dy sistemeve të qeverisjes që janë diametralisht të kundërta me njëri-tjetrin: shoqëria e hapur dhe shoqëria e mbyllur”, ka thënë Soros.
91-vjeçari ka thënë se rryma kishte filluar të kthehej kundër shoqërive të hapura pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA më 2001.
“Regjimet represive janë tani në rritje dhe shoqëritë e hapura janë nën rrethim. Sot Kina dhe Rusia paraqesin kërcënimin më të madh për shoqërinë e hapur”, shtoi Soros.