Shtrenjtohen kreditë në lekë pas rritjes së normës bazë të interesit nga 0,5% në 1%. Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin e politikës monetare ku theksohet se disa banka kanë rritur interesat për disa segmente të caktuara të kredisë.Interesi mesatar për kreditë e reja në lekë për bizneset rezultoi 5.8% në tremujorin e parë të vitit, me një rritje kundrejt një tremujori më parë dhe mbi mesataren e vitit të kaluar.
Ky shtrenjtim është regjistruar në segmentin e kredive të mëdha mbi 140 mln lekë dhe vërehet kryesisht në kreditë për financimin e nevojave për likuiditet. Nga ana tjetër, kostoja e financimit për projektet e investimit të bizneseve mbetet e qëndrueshme. Po ashtu Banka e Shqipërisë bën me dije se tremujori i parë i vitit është karakterizuar nga norma më të larta interesi për individët në segmentin e kredisë konsumatore. Ato rezultuan mesatarisht 9.1%, nga 7.9% në tremujorin e mëparshëm.
Nga ana tjetër kreditë hipotekare vijojnë të lëvrohen me norma të ulëta interesi, mesatarisht 3.6%, duke qëndruar pranë niveleve mesatare të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë ka konstatuar gjithashtu se Interesat e kredisë së re në euro për bizneset shënuan një rritje të lehtë në tremujorin e parë të vitit, në 4.9%, krahasuar me mesataren e qëndrueshme të vitit të kaluar, prej 4.5%.Rritja në këta muaj është manifestuar tek kreditë mbi 250 mijë euro dhe kryesisht tek ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Shtimi i pasigurive, si pasojë e ecurisë së çmimeve në tregjet ndërkombëtare e ato vendase, ka nxitur bankat të jenë më konservatore – krahasuar me një tremujor më parë.Banka e Shqipërisë pritet të rrisë edhe më tej normën bazë të interesit si pasojë e inflacionit i cili arriti në 6.2% gjatë muajit prill fakt ky që do të shtrenjtojë më tej kreditë në lekë. /abc/