Si e kishte çarë bllokadën Venediku për të bashkëpunuar me muslimanët në kohën kur Oksidenti ishte i varfër dhe i izoluar

Venediku çan bllokadën

Megjithatë, pa dijeninë e popujve të brendshëm, do niste të përgatitej për tregti një fuqi e vogël, e cila në këtë aspekt do të siguronte më të mrekullueshmen e të gjitha fitoreve.

Metamauco, një qytet i ndërtuar në mesin e lagunave të Adriatikut, të cilin luftrat civile dhe deti e kishin fshirë shpejt nga faqja e dheut, do të ringjallej në ishujt e Rialtos me emrin Venedik, emër që këtej e tutje do të mbronte padronin e saj Shën Markon, kockat e të cilit ishin sjellë fshehurazi nga Egjipti. Pozita e tij gjeografike do ta orientonte këtë qytet krejt natyrshëm drejt tregtisë. Megjithëse e kufizuar në fiilim në pak gjëra, kripën dhe peshkimin, tregtia e këtij qyteti do të njihte shumë shpejt një triumf të paparë. Nga njëra anë, armët më të mira të qytetit, ishin pika më e fortë e tregtisë e nga ana tjetër vëmendja kryesore ishte përqendruar te mallrat e Oksidentit dhe Orientit. Rezultati? Një pasuri përrallore, e paparë në Oksident dhe thuajse e njëjtë me atë të arabëve.

Si pasojë e zgjerimit të Islamit, deti përfaqësonte kufirin mes dy botëve dhe do të ishte pikërisht Venediku që, duke ndërtuar një urë mes tyre, do t’i lejonte Orientit të përmbyste me thesaret e tij, aq të dëshiruara e në të njëtën kohë të panjohura, Oksidentin e varfër.

Venediku ishte bashkuar tashmë me perandorinë e Orientit dhe ky i fundit, i pamposhtur në det do të dinte të ruante lirinë e tij të komunikimit me pikat italiane të mbështetjes. Por perandori i Konstandinopojës ishte larg, ndërkohë që ai i frankëve ishte rrezikshmërisht afër. Dy sovranët i kërkonin njëlloj favoret e Venedikut, me kërcënim apo për nevojë. Mirëpo Venediku luante në mënyrë të alternuar në të dy kampet dhe falë kësaj loje të shkathët ai ngjiste në çdo rast nga një shkallë në rrugën drejt pavarësisë; deri në ditën kur guvernatori i tij do të kishte marrëdhënie në pozita të barabarta me princat e tjerë.

Dhe pikërisht në këtë periudhë, Venediku i mbuluar me nderime, do të hidhte vështrimin gjetkë. Falë udhëtimeve të gjata e të shumta të anijeve të veta nëpër Mesdhe, ai do të fillonte të interesohej për portet arabe, pasuria e të cilave ishte e dukshme, edhe pse nuk gjykohej e përshtatshme që një qytet i krishterë të kishte marrëdhënie me të pafetë. Por, në fund të fundit, Napoli nuk do të ngurronte t’u jepte arabëve pak ndihmë, për të mos thënë më shumë, gjatë pushtimit të tyre të Siçilisë. Dhe Piza do të bënte marrëveshje me saraçenët kundër Gjenovës e Napolit dhe, përsëri ajo, do të bënte aleanca me ta kundër rivalit të tyre, Amalfit. Dhe a nuk do të ishin anijet e Amalfit që bashkë me ato të të pafeve do të arrinin të sulmonin bregdetin romak, pavarësisht nga kërcënimet e papës për shkishërim? Domethënë, përsa i përket Venedikut bëhej fjalë për një veprim rreptësisht paqësor! E në fund të fundit, a ka lidhje tregtia me fenë? Përse duhej që ky sovran i ri të ngatërrohej me politikën dredharake të plakut të paqëndrueshëm të Bosforit?

E përse t’u nënshtrohej haptazi telasheve të komisionit, i cili, me urdhër të perandorit Jean Tzimiskës, kontrollonte anijet e gatshme për të lënë portin e Rialtos për t’u siguruar që ngarkesa e anijes nuk përmbante as armë e as dru? Pa dyshim që zemërimi i bazileut, i shkaktuar nga sulmet më të fundit të kalifit të fatimidëve nuk mund të ishte më i tmerrshëm se ai që ky ndjente në takimin me venecianët, të cilët (dhe këtë ai e dinte nga burime të sigurta) mbështesnin të pafetë, armiqtë e tij, duke u dhënë armë dhe dru për ndërtimin e anijeve të tyre luftarake. Zemërimi do ta çonte deri aty sa të kërcënonte se do digjte trupat dhe anijet, brenda të cilave do të zbulohej mall kontrabandë!

Megjithatë, venedikasit nuk kishin asnjë dëshirë të linin t’u pritej një kokë të cilën kishin ndërmend që së shpejti ta mbështesnin mbi një jastëk kadifeje e mëndafshi. Për të fituar në shpejtësi ndaj perandorit, guvernatori vendosi të bëjë hile. Ai nxitoi të nxirrte një ligj që ndalonte shitjen e armëve kundrejt dënimit me vdekje dhe që kufizonte tregtinë e drurit në disa dërrasa, gjatësia e të cilave nuk duhet të kalonte masën gjashtë këmbë e gjysëm (gjatësi e padyshimtë!) si dhe goruzhde, sahanë dhe govata prej druri. Përveç kësaj, guvernatori do të deklaronte me ngut para komisionit të kontrollit që në të vërtetë druri nuk kishte patur asnjë rol të rëndësisë së veçantë në tregtinë veneciane dhe për më tepër askujt nuk i kishte vajtur mendja t’ia shiste kalifit! Pa dyshim, pak para mbërritjes së këtyre zotërinjve nga Konstandinopoja, ishin nisur tri anije që transportonin lëvore druri… por dy prej tyre po lundronin drejt Mahdixhes në Tunizi, ndërkohë që e treta ishte rrugës për në qytetin afrikano-verior të Tripolit. Fundja, kjo ishte vetëm “bamirësi e krishterë ndaj punëtorëve të portit, njerëz nevojtarë të cilëve u ishte dhënë autorizimi i ngarkimit, por as që bëhej fjalë t’i jepej gjë Lindjes”!

Përveç kësaj, shkrimtarët arabë të shekullit X do të pohonin faktin se Venediku, Amalfi, Palermo dhe Mesina tregtonin me arabët e Afrikës së Veriut. Nga Kajrauani, Susa dhe Gabësi, anijet e tyre fusnin në Evropë perde mëndafshi, mbulesa altari dhe veshje blu azur (të kaltra). Edhe sot, në Monte Cassino dhe disa manastire apo kisha të tjera të gadishullit apenin mund të admirojmë ende shumë gurë të çmuar të ardhur drejtpërdrejt nga vendet arabe.

Por Veriu ishte ende i privuar nga këto mallra, sepse… fundja kush do t’i kapërcente Alpet?

Dhe pikërisht në këtë periudhë, dy ngjarje madhore do ta ndryshonin thellësisht gjendjen.

Fillimisht, në vitin 961, Bizanti do t’i jepte fund sundimit arab në Kretë. Kësisoj, rruga e Lindjes ishte e lirë dhe asnjë ndalesë perandorake ose papale tashmë s’kishte arsye të pengonte cilindo që do të rilidhte marrëdhëniet e tregtisë me arabët e Orientit dhe as të nxirrte përfitime nga zgjerimi i tregtisë dhe rritja e vazhdueshme e pasurisë së tyre. Dhe në këtë mënyrë, në vitin 991, guvernatori Pietro II Orseolo do të shënonte ardhjen e vet në pushtet me dërgimin e delegacioneve pranë tërë princave arabë, të cilët ai e shihte të leverdisshme t’i bënte për vete në favor të Venedikut. Dhe shumë shpejt, anijet tregtare veneciane dhe gjenoveze do fillonin të ankoroheshin rregullisht në Siri dhe Egjipt. Kalifi fatimid el-Mustansir, mik i të krishterëve do arrinte deri aty sa t’u lëshonte një lagje të tërë të Jeruzalemit pelegrinëve dhe tregtarëve.

Një masë e tillë është e kuptueshme, sepse çdo vit, në fiilim të shtatorit, sapo vapa e madhe fillonte të binte, disa karvanë anijesh linin portin italian dhe katër a pesë javë më vonë hidhnin spirancën në Lindje. Nga mesi i pranverës, velat ngriheshin sërish për rrugën e kthimit. Pra tregtarët e kalonin gjithë dimrin në Orient. Nga Siria dhe Palestina, ata shkonin deri në Bagdad e madje deri në gjirin persik, nëse nuk shkonin direkt në Kajro apo Aleksandri, aty ku niste – pasi vinte nga indi e Madagaskari – trafiku i erëzave të çmuara, që ishin burim i shumë përfitimeve thelbësore. (Kjo është dhe arsyeja pse Kryqëzatat do të përpiqeshin më vonë të “pushtojnë Palestinën dhe Egjiptin”.)

Kushdo që nuk ishte i detyruar me kontratë të hipte përsëri në të njëjtën anije e zgjaste nganjëherë mungesën e tij për shumë vjet. Gjithsesi, nuk kishte tregtar venecian apo gjenovez që të mos kalonte të paktën gjashtë muaj në vit mes arabëve, duke u integruar menjëherë në mënyrën e tyre të jetesës dhe qytetërimin e tyre. Për më tepër, kur hipte në bordin e anijes së tij, ky tregtar sillte në atdhe shumë më tepër sesa mallrat e blera ndërkohë, më shumë se pambukun e Sirisë, pëlhurën e Antiokisë, porcelanët dhe qeramikën e Tirit, panxharin e Tripolit; më shumë se piperin, kanellën, arrën moskat, kamforin, temjanin, mirrën, çivitin, shapin dhe drurin e sandallit të blera në komptuaret egjiptiane…

Ndërkohë që falë kësaj radhe ngjarjesh tregtia kishte rinisur rrugën e saj me Orientin, Otoni Irë nga ana e tij, me fitoren mbi Lech, në vitin 955 kishte larguar përfundimisht kërcënimin e vazhdueshëm pushtues të hordhive magjare, duke i rikthyer në këtë mënyrë sigurinë qendrave të banuara dhe rrugëve të Evropës. Pas kësaj, qafat e Alpeve u kthyen në rrugë të rrahura dendur. Perandori akordoi të drejtën e ekzistencës së tregut dhe prodhimit të monedhave në një numër të madh vendbanimesh, që shtriheshin në rrëzë të Alpeve dhe përreth liqenit të Konstancës, si dhe përgjatë rrjedhës së poshtme të Renit. Tashmë ishte e lirë rruga, që do t’u lejonte mallrave të magazinuara në Venedik të qarkullonin drejt veriut.

Por, ndërkohë që për të shitur mallrat e tyre italianët përshkonin Burgonjën, Francën dhe Flandrën, ata nuk shkelnin në Gjermani. Sa për hebrenjtë, ata po veçoheshin përherë e më tepër në rolin sedentar të fajdexhiut apo oborrtarit, duke blerë e shitur kuaj, bagëti ose artikuj të rastit. Ata kapërcenin Septimerin apo Grand-Saint-Bernardin për të arritur në luginën e lumit Po, duke u hapur në këtë mënyrë një rrugë shumë të gjerë mallrave të Orientit.

Pikësynimi kryesor i tregtarëve gjermanë ishte, kuptohet, Republika e San Markos. Pavarësisht se nga vinin, nga Konstanca, Schaffhouse, Ravensburgu, Nurembergu, Augsbourgu, Ulmi apo madje edhe Kolonja, të gjithë ishin të tërhequr nga magazina më e madhe evropiane e mallrave të çmueshme arabe. Ata vinin në grupe të mëdha dhe ashtu sikurse sulltani egjiptian, i cili prej kohësh kishte vënë në dispozicion të tregtarëve të krishterë fonduk-ë personalë, edhe Republika e Venedikut u kishte rezervuar një ndërtesë të posaçme, ku ata të mund të banonin dhe lidhnin marrëveshjet tregtare në të njëjtën kohë. Edhe në Venedik, kjo lloj ndërtese mbante emrin që i kishin vënë arabët. Fonduku i gjermanëve, Fondaco dei Tedeschi, pronë e shtetit, përmbante pesëdhjetë e gjashtë njësi banimi, që strehonin njerëz e kafshë, një furrë private dhe sallat e nevojshme profesionale: magazinat dhe depot e shitjes. Pra një koloni më vete.

Ishte pikërisht këtu pikënisja e të gjithë tregtarëve udhëtues. Kur Conrad Eisvogel nga Nuremberg!! do të mbërrinte në Venedik, atij do t’i duhej të vendosej pikërisht në Fondaco dei Tedeschi dhe aty, pasi të kishte blerë të drejtën e hyrjes, do të shiste lëkurat, artikujt e kinkalerisë, peliçet dhe stofrat e tij. Për më tepër, sipas shembullit të asaj që bëhej tek arabët, ai nuk do të mund të kryente marrëveshjet e tij tregtare përveçse nën mbikqyrjen e të deleguarit zyrtar të qeverisë, sansal-it, ekspert në tarifat e mallrave. Përveç kësaj dhe gjithmonë nën mbikqyrjen e sansalit, të ardhurit nga Nurembergu do t’i duhej menjëherë të konvertonte shumën e të hyrave të tij në mallra: erëza, barna mjekësore dhe substanca të të gjitha llojeve, stofra dhe veshje të qendisura me ar e mëndafsh.

Mirëpo, privilegji i tregtisë me Venedikun nuk mund të fitohej, përveçse me anë të zbatimit të një rregulloreje shumë të rreptë. Ndërkohë që mund t’i çonte mallrat e tij në Nuremberg, Conrad Eisvogel nuk nxirrte dot asnjë dyshkë nga Venediku. Edhe pse kishte të drejtë të kundronte nga dhoma e tij në fondaco direkët e anijeve që mbërrinin nga Tiri, Aleksandria, Makhdixha dhe Ceuta, nga ana tjetër nuk kishte asnjë të drejtë t’u afrohej anijeve të ankoruara. Ai e kishte të ndaluar të shkëmbente qoftë edhe një fjalë me ekuipazhet. Jo vetëm kaq, por ai nuk kishte të drejtë t’i afrohej qoftë edhe me zë një tregtari nga Burgonja, Bohemia, Milano apo Firence. Nga ana tjetër, Venediku ishte angazhuar të mos blinte mallra gjermane përveçse brenda mureve të saj dhe të mos qarkullonte artikuj venecianë në tokën gjermane. Në brendësi të perandorisë së tij ishullore dhe në Atlantik ai ruante të drejtën ekskluzive të ndërmjetësit mes Orientit dhe Oksidentit. Ja pra rregullat e lojës – dhe Venediku kujdesej që miqtë e tij t’i respektonin; dhe ai nuk e harronte faktin që sekreti i fuqisë së tij qëndronte pikërisht në këto rregulla.

Republika e Gjenovës, nga ana tjetër tregohej më liberale, më bujare. Tregtia e saj me Orientin, jo vetëm që nuk ishte monopol i shtetit, por mbështetej në nismën private. Gjenova, gjithashtu si komptuar ishte po aq e kërkuar nga të gjithë ata, të cilët shpirti i sipërmarrjes i kthente në drejtim të Spanjës, Afrikës Veriore apo Lindjes.

Dhe ja që, në fund të fundit, erëzat arabe u bënë kudo burim pasurie, fuqie dhe ndikimi ekonomik. Është e qartë që me piperin, prosperiteti i ri i Oksidentit kishte dalë matanë kufijve arabë.

Mungesa e mallrave të Orientit kishte sjellë aneminë e tregtisë dhe zhdukjen e tregtarëve paralel me ndalimin e qarkullimit të arit. Që prej çastit kur marrëdhëniet me Orientin ishin ndërprerë, Oksidenti kishte rënë përsëri në stadin rural. Prandaj, rishfaqja e piperit, arrës moskat dhe sheqerit të Orientit do të kënaqte pallatin dhe do të lezetonte supën me lakra të oksidentalëve. Që prej rikthimit të mallrave të Orientit, tregjet e vogla rurale, të cilët me drithërat dhe vezët e tyre, poçeritë dhe veshjet e endura në shtëpi kishin mjaftuar për të mbuluar nevojat vendase, do t’i hapnin rrugën panaireve e magazinave, duke iu përgjigjur kërkesave më ambicioze, ku do të dyndeshin turma tregtarësh që nganjëherë vinin prej shumë larg. Pasuria nuk do reshte së rrituri e bashkë me të edhe fëmijët e llastuar, rehatia dhe luksi. Paraja filloi të qarkullonte duke sjellë, pa gjakderdhje, një revolucion shoqëror.

Është absolutisht e sigurt që Venediku nuk do të ishte bërë kurrë ai që u bë pa tregtinë me arabët. Pa kanellën dhe kuminin, pa kermesin (bojë e kuqe e thellë, që përdoret për ngjyrosje dhe përftohet nga trupat e tharë të disa insekteve, që jetojnë dhe ushqehen në një lloj të veçantë lisi. (shën. përk.) dhe çivitin e tyre, ai nuk do të kishte mundur të fitonte vendin e fuqisë ekonomike supreme të Oksidentit. Përveç kësaj, do të shohim që Venediku do të dijë të përfitojë nga rrethanat, që do t’i sjellin përfitime gjigande nga transporti i çlirimtarëve të Tokës së shenjtë.

Në fakt, uragani që do të shkaktonte një fis turk në vendet arabe do t’i jepte fund në mënyrë brutale njëkohësisht sundimit të el-Mustansirit bujar dhe vëmendjes së tepruar që ai tregonte ndaj të krishterëve. Rënia e Jeruzalemit në duart e selxhukëve dhe kërcënimi i tyre ndaj perandorisë së Orientit do ta kushtëzonin Oksidentin e krishterë të kalojë në sulm. Në Palestinë, deri para ardhjes në pushtet të fatimidit të tretë el-Hakam, sa fanatik aq edhe i çmendur, muslimanë e të krishterë kishin jetuar bashkë në mënyrë paqësore. Dhe ja që për shekuj me radhë, ky vend do të kthehej në një fushë beteje, ndërkohë që transportet e trupave në rrugë drejt Islamit nuk do reshtnin s’i rëni kryq e tërthor Mesdheut.

Republikat detare italiane s’mbeteshin prapa në tregtinë e majme me arabët, me përjashtim të disa viteve gjatë të cilave papa i Romës do vendoste të ndëshkonte të gjitha llojet e tregtisë me armiqtë e fesë. Dhe në fakt, sinodet dhe koncilet përsërisnin pa pushim që druri, armët dhe metalet janë mallra kontrabandë, meqenëse ishin të destinuara për të mbështetur paganët në luftën e tyre kundër ushtarëve të Krishtit. Por deklaratat apostolike nuk patën asnjë rezultat. E në fakt, do të shohim detarë të krishterë që ofrojnë ndihmë për të drejtuar luftanijet arabe. Dhe Gjenova do të nënvizonte miqësinë e saj skandaloze me muslimanët duke pajisur, me kërkesë të sulltanit të Marokut, tetëmbëdhjetë luftanije të destinuara për t’i çuar ndihmë “Prijësit të besimtarëve” kundër kryqtarëve, që ëndërronin vetëm të grabisin…

E pavarësisht nga këto, përse ta privonin veten republikat italiane? Fundja, roli i një tregtari është që të tregtojë, të mbikëqyrë dhe të shfrytëzojë të gjitha situatat e favorshme. Transporti i njëzet mijë e më pas i dyzet mijë ushtarëve të Perëndisë, që nxitonin në sheshin San Marko në pritje për t’u dërguar në drejtim të Akka dhe Damiette a nuk përbënte një ndihmesë të mjaftueshme ndaj kauzës së madhe të krishterë? Por, pa dyshim, këtu bëhej Qalë për një përfitim të majmë. Ashtu siç ishte fjala për një përfitim të mirë tregtar kur në vitin 1203, nën udhëheqjen e venecianëve, kryqtarët do të shpartallonin Bizantin, që ishte vazhdimisht i kërcënuar nga Islami. Një shkrimtar i krishterë do ta përshkruante këtë karikatürë të egër të Kryqëzatave si “më shkatërrimtaren e parë ndonjëherë që prej krijimit të botës”. Dhe vërtet, kalorësit u jepeshin orgjive të shkatërrimit – shumë më të egra se ato të turqve më vonë – mes mbeturinave të bibliotekave të lashta dhe veprave të artit. E vërteta është se në kampin e Krishtërimit, Venediku dhe rivalët e tij italianë do të ishin të vetmit që do të dilnin fitimtarë nga shkretimi i plotë që shkaktuan Kryqëzatat.

“Dhe më në fund, të gjithë u lodhën, pa mundur të arrinin qëllimin e tyre.” Me këto fjalë do ta përshkruante murgu françeskan Ramon Lull rezultatin përfundimtar të përpjekjeve shekullore dhe të kota të Krishtërimit për të rimarrë Varrin e Shenjtë, “për të asgjësuar apo konvertuar paganët” dhe për të vendosur sovranitetin e vet në Tokën e shenjtë.

Por Venediku i zgjuar nuk ishte lodhur aspak! Një zhurmë dëgjohej gjetkë në Oksident: pas pasojave shkatërrimtare të fushatës ushtarake, venedikasit do të synonin të lidhnin aleancë me Islamin. Me sa duket ata e kishin festuar me gëzim të madh humbjen e tmerrshme të mbretit Saint Louis të Francës!

 

DIELLI I ALLAHUT SHKËLQEN MBI PERËNDEMIN – Sigrid Hunke,

Trashëgimia jonë arabe. Shqipëroi nga frëngjishtja: Ornela Ademovi

Artikulli paraprakSi ishte Oksidenti i varfër nën hijen e tregtisë botërore të muslimanëve, fakte nga autorja gjermane
Artikulli tjetërLidershipi dhe bashkëpunimi mes vendeve muslimane, vendimtare kundër islamofobisë!