Nga Redi Shehu
Ukraina sot, përfaqëson edhe barrikadën e rendit të sotëm liberal ndaj përpjekjeve ruse për ta ndryshuar atë dhe për ta kthyer botën nga një sistem unipolar në të cilin ajo ndodhej, në një sistem bipolar apo multipolar nëse kemi paraysh edhe Kinën. Ndërkohë që rendi i liberal demokracive, vihet në rrezik nga kërcënimi i “shkatërrimit konstruktiv” rus, i cili qëllim final ka të ndryshojë esencën e tij, Ukraina merr një rëndësi të veçantë, sepse ajo nuk përfaqëson thjesht një shtet në luftë por, tashë ajo përfaqëson provën historike nëse rendi liberal i sotëm ka akoma fuqinë të dalë përtej vetes.
Vladimir Putin nuk besoj se është thjesh një njeri i çekuilibruar, ai dhe shpura e tij kanë një trashëgimi shekullore në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në njohjen e balancave të fuqive. Ai vetëm ka pritur gjithë këto vite duke përllogaritur milimetër për milimetër të çarat e rendit liberal, ka investuar përmes doktrinës Gerasimov në çdo fushë që t’i thellojë këto të çara sa më shumë dhe ka pritur që Perëndimi të vijë deri tek vija e tij e kuqe që është Ukraina për të ndryshuar strategji dhe për tu hedhur në sulm. Me një fitore të mundshme në Ukrainë, Putin me karta të reja në dorë, do ta detyronte Perëndimin të ulej në tryezën botërore të sigurisë me ndjesinë e fitores që do i jepte “shkatërrimi konstruktiv”, për të rikonfiguruar botën drejt një rendi të ri tashmë. Por, me sa duket deri më tani, ai që i ka bërë gabim llogaritë është vetë Putin.
Jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Jo çdo luftë është fatkeqësi. Lufta në Ukrainë është shansi i artë që i ka ngelur Perëndimit për të tregur fuqinë dhe efikasitetin e mekanizmit të tij gjigant. Në fakt, Perëndimit i duhej një konflikt i tillë, për ta shpëtuar atë nga përçarja dhe degradimi, ashtu siç edhe Putinit i duhej kjo luftë për të shpëtuar veten nga inferioriteti. Mobilizimi i të gjitha shteteve brënda aleancës së vlerave liberal demokratike, po tregon se “shkatërrimi konstruktiv” rus mund të kthehet në një “konstruksion shkatërrues” për Putin dhe vetë shoqërinë ruse të marrë peng prej tij.
E gjithë kjo situatë, nëse arrin të lexohet ashtu siç duhet nga rendi i sotëm liberal, mund të shërbejë si moment nga i cili do të mund të shërojë simptomat e degradimit të tij. Këto simptoma janë evidentuar aq qartë nga John Mearsheimer në Harvard Kenedy School, i cili i rendit duke filluar nga mania absurde e këtij rendi për të ndërhyrë deri në detajet e politikave të vendeve të tjera, më pas tek gabimi me vendet aleate të demokracive liberale duke u përplasur me identetitet nacionale të tyre, si dhe me hiperglobalizimin si promotor i pabarazive të mëdha sociale ne botë.
Vërtet, Ukraina mund të shërbejë si një moment historik që rendi i sotëm të mund ta rimodelojë mënyrën se si sillet me aleatët e vet si dhe me vendet e tjera që aspirojnë të njëjtin qëllim, duke treguar më shumë respekt për identitetet kombëtare, traditat si dhe sovranitetin e vendeve të tjera, larg arrogancës ideologjike, por duke i dhënë hapësirë më të madhe një aleance më të gjërë dhe shumëngjyrëshe. Kështu, nuk do të mund të kërcënohej si nga përçarja e brendshme ashtu edhe nga sulmet e jashtme.
Marrë nga FB i autorit, me lejen e tij. Titulli është redaksional.