Rregullat rreth peshimit dhe sasisë së mallit -sipas Imam Gazaliut

Të mos mashtrohet për sasinë dhe peshën

Personi duhet që, siç matë dhe peshon për vete kur merr, njëjtë të masë e peshojë, edhe kur jep.

Allahu Teala thotë:

 “Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, E kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu.” 83-Mutaffifun: 1-3

Rruga e vetme për të shpëtuar nga ky mjerim është që, kur blenë merr më pak, e kur shet jep pak më shumë, sepse drejtësia e plotë është vështirë e arritshme, prandaj më e drejtë është që kështu të shfaq interesimin për shpëtim.

Ai që të drejtën e tij e kërkon në matje të saktë, gati se e tepron! Bile njëri pat thënë:

– Nuk dua që me një kokërr të blejë zemërimin e Allahut!”,

prandaj kur blente, e hiqte gjysmë kokrre, e kur shiste e shtonte një kokërr të plotë, e me këtë thoshte:

– Mjerë ai që për një kokërr e shet xhenetin, e ai është i gjerë sa Toka e qiejt! I shkatërruar është ai që shet lumturinë për vuajtje.”

Të tillët deri në skajshmëri janë ruajtur nga këto dhe gjëra të ngjashme, sepse këto janë veprime të padrejta, që shumë vështirë përmirësohen me teube dhe hallallim. Kjo për shkak se askush nuk mund t’i njohë të gjithë pronarët e të gjitha kokrrave, që, pasi t’i ketë blerë kokrrat, t’ju paguaj hakun pronarëve.

Kjo është një punë shumë e vështirë. Prandaj kur Resulallahu s.a.v.s., blinte diçka, i thoshte atij që bënte matjen:

 “Mate, dhe shto pak përmbi masë.”(Shënojnë autorët e es-Sunen, dhe Hakimi nga Suvejd b. Kajs, dhe e konsideron sahih me kushtet e Muslimit.)

Fudajli e pa të birin si po pastronte një dukat që donte ta ndërronte. E pastronte me themel, duke u kujdesur për secilën gdhendje brenda saj, që, për shkak të ndytësirës që mund ta bartë me vete, të mos vije më i rëndë. Fudajli i tha:

 “Evlad, ky veprim i joti është më i hajrit se dy haxhe (nafile) e njëzet umre.”

Dikush nga gjenerata e parë e myslimanëve ka thënë:

 “Habitem si do të shpëtojnë tregtarët dhe shitësit që shesin gjithë ditën duke bërë bé, e natën flejnë rehat.”

Sulejmani a.s., i tha të birit:

 “Evlad, qysh futet kokrra midis dy gurëve, ashtu futet edhe gabimi midis dy tregtarëve.”

Njëri nga njerëzit e mirë po ia falte xhenazen një të vdekuri, që për së gjalli sillej si femër, e dikush tha: – Ai ka qenë gjynahqar i madh!”

Ky heshti, ai ia përsëriti fjalët, e ky i tha: – Ti sikur po më thua – i ka pasur dy peshore, me një ka shitur, e me tjetrën ka blerë!

Me këtë ka dashur të thotë se gjynahet që ia përshkruanin të vdekurit janë mes tij dhe Allahut Teala, kurse gjynahet sikur të atij që peshon, janë gjynahe mes njerëzve, të cilat shumë më vështirë zgjidhen dhe i falen njëri-tjetrit.

Kërcënimi rreth peshimit është shumë më I madh.

 Shpëtimi nga kjo realizohet me një kokërr ose me gjysmë kokrre. Pra kur peshon, të vendosë më shumë të asaj që peshon, në favor të myshterisë.

Rreptësisht tërhiqet vërejtja për vëmendje gjatë matjes, kurse çështja zgjidhet me atë kokrrën e plotë që e shton gjatë shitjes, ose atë gjysmë kokrre, të hequr gjatë blerjes.

Në ajetin:

“Edhe ju mbani me drejtësi peshojën, e mos lëni mangu në peshojë.” 55-Rahman: 9,sipas leximit të Ibn Mesud, në vend të shprehjes ‘mbani me drejtësi’ (bil-kist), është shprehja ‘me gjuhë’ (bil-lisan).

Pra, kuptim i mundshëm:

“Edhu ju mbani drejtë gjuhën e peshores, e mos lëni mangu në peshojë.”

Shkurtimisht, kush nga tjetri kërkon të jetë i drejtë ndaj tij, qoftë edhe me një fjalë, e ai vet nuk është i drejtë ashtu siç kërkon për vete, edhe për të flasin fjalët e Allahut Teala:

 “Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e  plotësojnë, E kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu “ 83-Mutaffifun: 1-3

Ndalesa e përmendur për matjen nuk ka të bëjë me vet matjen, por me matje të tillë ku qëllimi është të largohet nga drejtësia. Ky është rregull për të gjitha llojet e matjeve. Ai që matë çkado qoftë, i ekspozohet rrezikut që ta godasin fjalët: “mjerë ai”.

Secili mukellef ( Myslimani i rritur e me mendje të shëndoshë, i ngarkuar me obligimet e fesë.), është në gjendje të masë veprat dhe fjalët, bile edhe mendimet e veta. Mjerë ai nëse largohet nga drejtësia dhe korrektësia, e megjithatë, sikur drejtësia absolute të ishte e mundur, nuk do ta kishim ajetin:

Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Rabbi yt.” 19-Merjem: 71

Askush nuk është i pafajshëm në largim prej rrugës së drejtë (sirat-i mustekim), por meqenëse shkallët e largimit prej rrugës së drejtë janë të ndara, edhe koha e qëndrimit të njerëzve në xhehenem, deri sa të nxjerrjen prej aty, do të dallojë. Disa do të qëndrojnë në zjarr vetëm sa të shkojë fjala në vend, e të tjerët me mijëra vite.

E lusim Allahun Teala që sa më shumë të na afrojë rrugës së drejtë (sirat-i mustekim), sepse ecja në këtë rrugë, pa kurrfarë devijimi, nuk mund të pritet.

Kjo rrugë është më e hollë se fija, e më e mbrehtë se shpata. Po të mos ishte kështu, ai që ecë në të vetëm drejtë, nuk do të mund të kalonte Siratin e zgjatur përmbi zjarr, që njëjtë është më e hollë se fija e më e mbrehtë se shpata.

Varësisht korrektësisë së ecjes së njeriut në këtë rrugë të drejtë, do t’i lehtësohet edhe kalimi i Siratit, në Ditën e Gjykimit.

Ai që me gjëra ushqimore përzien pluhur ose diçka tjetër, e më pas këtë e matë, është prej atyre që “kur masin, lënë mangu”.

Secili kasap që e matë mishin bashkë me eshtra, atje ku kjo nuk është e zakonshme, edhe ai është prej atyre që “kur masin, lënë mangu”.

Sipas kësaj mund të gjykohet edhe për llojet tjera të matjeve. Njëjtë është me matjen që e përdorë shitësi i shtofit. Kur blenë, ai e lëshon materialin shlirë, e kur e shet, e zgjatë dhe e shtrëngon mirë, që të fitojë në dallim.

Të gjitha këto janë lënie mangu në matje, dhe si të tilla e ekspozojnë tregtarin para kërcënimit për vuajtje të rëndë.

 

Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu

Artikulli paraprakUkraina, pse Perëndimit i duhej një konflikt?
Artikulli tjetër“Zgjoji aftësitë dhe ndërto të ardhmen tënde” – Historia e Dr. Zeki Osman