Ju mund të pyesni veten nëse termi ”ndërmarrës” thjesht do të thotë “një person i cili fillon një biznes dhe është i gatshëm të rrezikojë çdo gjë në mënyrë që të fitojë para”, apo ai mbart një konotacion tjetër që nënkupton largpamësi dhe inovacion. Përgjigjja, ndoshta nuk është ajo që e keni pritur sepse ajo i përmban që të dy interpretimet. Pra ndërmarrës është një person i cili organizon, menaxhon dhe merr përsipër rreziqet e një biznesi apo ndërmarrjeje, si dhe në të njejtën kohë është inovativ dhe largpamës. Shtrohet pyetja: A mund të jeni ju një ndërmarrës i ardhshëm?
Më poshtë i keni të renditura 9 karakteristikat që e veçojnë një ndërmarrës të suksesshëm:
- Pasioni dhe Motivimi
Edhe pse ka shumë tipare apo veçori që e karakterizojnë një ndërmarrës të suksesshëm, ndoshta ndër më të rëndësishmet janë pasioni dhe motivimi. Suksesi arrihet me pasion dhe vendosmëri, prej momentit që ti e ke një ide, deri kur e prezanton atë tek investitorët.
- Nuk kanë frikë t’i bartin rreziqet
Ndërmarrësit janë bartës të rrezikut, ata janë të gatshëm të ”zhyten” thellë në një të ardhme të pasigurt. Mirëpo jo të gjithë bartësit e rrezikut janë ndërmarrës të suksesshëm. Çfarë e dallon një ndërmarrës të suksesshëm nga një tjetër për nga aspekti i rrezikut? Ndërmarrësit e suksesshëm janë të gatshëm të rrezikojnë kohën dhe paratë e tyre për një të ardhme të panjohur për ta, por gjithashtu ata ruajnë si rezervë burime dhe plane për ditët e ”vështira”.
- Vetëbesimi, puna e vështirë dhe dedikimi
Ndërmarrësit besojnë në vetvete dhe janë të sigurt e të përkushtuar ndaj biznesit të tyre. Përqendrimi i tyre intensiv si dhe besimi në idenë e tyre mund të keqinterpretohet si kokëfortësi, por është thjesht vullneti për të punuar shumë dhe për t’i sfiduar shanset që i bëjnë ata të suksesshëm.
- I përshtatshëm dhe fleksibil
Të qenurit i pasionuar dhe i dedikuar është e rëndësishme, por të qenurit jofleksibil me nevojat e klientit apo edhe të tregut do të ju çoj në dështim. Ndërmarrësit e suksesshëm i mirëpresin me optimizëm të gjitha sugjerimet, duke iu përshtatur në mënyrë që të rrisin ofertën e tyre dhe të kënaqin nevojat e klientit dhe tregut.
- Produkti dhe njohja e mirë e tregut
Ndërmarrësit e njohin produktin e tyre si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda. Ata gjithashtu e njohin shumë mirë edhe tregun. Shumica e tyre bëhen të suksesshëm, sepse krijojnë diçka që nuk ekziston në treg, ose e përmirësojnë ndjeshëm një produkt ekzistues.
- Menaxhimi i mirë i parave
Secilit biznes i duhet kohë që të ketë profit. Deri atëherë kapitali është i kufizuar dhe duhet të përdoret me mençuri. Ndërmarrësit e suksesshëm, krijojnë një plan likuiditeti për detyrimet e tanishme dhe të ardhshme financiare si dhe lejnë anash një fond për raste emergjente. Edhe pas një sigurimi të fondeve, një ndërmarrës i mirë mban një evidencë të plotë të rrjedhjes së parasë, pasi është gjëja më e rëndësishme e çdo biznesi.
- Planifikimi i mirë në bazë të aftësive
Ndërmarrësia ka të bëjë me ndërtimin e një biznesi nga fillimi, duke i menaxhuar mirë burimet e kufizuara (kohën, paratë, marrdhëniet personale, etj. ), gjë e cila kërkon një planifikim të mirë. Megjithatë, përpjekja që të planifikoni çdo gjë dhe të keni një zgjidhje të gatshme për secilin problem të mundshëm, mund t’iu pengojë ndonjëherë që të bëni hapin e duhur. Ndërmarrësit e suksesshëm kanë një plan biznesi të përgatitur më herët, por gjithmonë janë të gatshëm të ballafaqohen edhe me situata dhe mundësi të paparashikuara.
- Kontaktet e duhura
Njejtë sikurse njerëzit e tjerë edhe ndërmarrësit kërkojnë ndihmë nga shokët e ngushtë, familja, rrethi etj. Ndërmarrësit e suksesshëm arrijnë të gjejnë më shpejtë njerëz të duhur për këshilla e duhura. Nëse ata nuk i posedojnë aftësitë e nevojshme teknike apo edhe të marketingut, angazhojnë profesionist që i kryen këto detyra, në mënyrë që të ruhet performanca e suksesshme e biznesit të tyre.
- Të gatshëm të heqin dorë nga biznesi
Jo çdo përpjekje për biznes do të rezultojë në sukses. Shkalla e dështimit të bizneseve është shumë e lartë. Ndonjëherë zgjidhja më e mirë është që të dilni dhe të provoni diçka të re, në vend që të vazhdoni të humbni kohë dhe para në një biznes të dështuar. Shumë ndërmarrës të njohur nuk kanë pasur sukses për herë të parë dhe e kanë ditur se kur është koha e duhur që të tërhiqen./busulla/