Në qytetin bregdetar shqiptar të Shëngjinit, dy vajza refugjate afgane kanë hapur një restorant. Ato thonë se pas largimit nga Afganistani, iu mungonte diçka nga atdheu dhe në këtë mënyrë vendosën të hapnin një restorant. I quajtur “Kabul-Shëngjin” restoranti do të gatuajë ushqime tradicionale për rreth 1000 refugjatë afganë që tani qëndrojnë në qytet.
Të detyruara të largohen nga atdheu i tyre, dy vajza afgane kanë hapur një restorant në qytetin bregdetar shqiptar të Shëngjinit.
Duke përdorur ato pak fjalë shqipe që kanë arritur të mësojnë gjatë qëndrimit të tyre tre mujor në Shqipëri përpiqen që në supermarket të blejnë produktet që dëshirojnë. 22-vjeçarja Walwala Jalalzay dhe 19-vjeçarja Maryam Aslami thonë se restoranti “Kabul-Shëngjin” do të gatuajë ushqime tradicionale për rreth 1000 refugjatëve afganë që tani qëndrojnë në qytet.
“Në fillim kur erdhëm këtu përdornim gjuhën e trupit për të përshkruar atë që donim. Në fakt, disa nga miqtë tanë shqiptarë na kanë ndihmuar shumë në fillim, por dalëngadalë po mësojmë emrat po mësojmë gjërat që duam, apo vendin ku ato ndodhen”, thotë Walwala Jalalzay.
Disa familjarë të tyre i ndihmojë për të përgatitur ushqimin apo dhe në shërbim.
“Padyshim na marrë malli për vendin tonë, na ka marrë malli për njerëzit tanë, na ka marrë malli për mjedisin, na ka marrë malli për prindërit tanë që janë atje, por ne nuk mund të kthehemi në vendin tonë dhe ndoshta ata nuk mund të vijnë këtu. E vetmja gjë që mund të bëjmë tani është të sjellim shijen e ushqimeve këtu. Kështu ne vendosëm të hapim restorantin për të sjellë shijen e shtëpisë këtu”, tregon më tej 22-vjeçarja nga Afganistani.
Por restoranti është bërë një atraksion për vendasit që shpresojnë të shijojnë ushqimin afgan.
Shqipëria ka strehuar mijëra të evakuuar afganë në hotele apo resorte turistike, ndërsa ishte ndër të parat vende që ofroi të presë deri në 4,000 refugjatë afganë.
Por shumë nga refugjatët afganë që janë në Shqipëri thonë kanë në plan të qëndrojnë për aq kohë sa të përgatiten dokumentat e tyre për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara./voa/