U arritën nivelet më të larta në dhjetë vjet
Çmimet botërore të ushqimeve u rritën me 28 për qind në vitin 2021, në nivelin më të lartë në dhjetë vjet, njoftoi Agjencia e Ushqimit e OKB-së.
Indeksi i çmimeve të ushqimit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), i cili gjurmon produktet ushqimore më të tregtuara në nivel global, ishte mesatarisht 125.7 pikë në vitin 2021, niveli më i lartë që nga viti 2011, kur qëndroi në 131.9 pikë.
Çmimet më të larta të ushqimeve kanë kontribuar gjithashtu në një inflacion më të gjerë ndërsa ekonomitë rikuperohen nga kriza pandemike, sipas Reuters.
Agjencia e Ushqimit nuk ishte shumë optimiste nëse situata do të përmirësohej këtë vit.
“Kostot e larta, një pandemi globale e vazhdueshme dhe kushtet klimatike gjithnjë e më të pasigurta lënë pak hapësirë për optimizëm për një rikthim në kushte më të qëndrueshme të tregut në vitin 2022”, tha ekonomisti Abdolreza Abbassian i FAO. /tesheshi.com/