Statistikat e Lindjeve, Vdekjeve, Kurorëzimeve dhe Shkurorëzimeve, 2020
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka përpunuar dhe publikuar të dhënat vjetore për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për vitin 2020, për herë të parë duke u bazuar në të dhëna administrative
Të dhënat e publikuara në këtë raport paraqesin të gjitha rastet e lindjeve, vdekjeve, kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve, që kanë ndodhur gjatë vitit 2020.
Në vitin 2020 janë regjistruar 28 674 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara, 21 907 kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, nga të cilat 11 340 ishin meshkuj ose 51.8%, dhe 10 567 ishin femra ose 48.2%.
Në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 14 514 raste të vdekjeve (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej tyre, 12 987 vdekje kanë ndodhur në Kosovë, nga të cilat 7 222 ose 55.6% të rasteve ishin meshkuj dhe 5 765 ose 44.4% të rasteve ishin femra.
Në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 14 738 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej tyre, qifte të kurorëzuara të ndodhura në Kosovë ishin 13 463, ku mosha mesatare e të martuarve ishte 29 vjeçare.
Në vitin 2020 janë regjistruar 1 614 raste të çifteve të shkurorëzuara.
ASK-ja do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë: për Lindjet DEM-1, Vdekjet DEM-2, Kurorëzimet DEM-3, dhe Shkurorëzimet SHK-1, gjatë këtij viti kalendarik, sikurse deri më tani. Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.
Burimi i të dhënave të këtij publikimi është Agjencia e Regjistrit Civil e Kosovës, gjegjësisht Zyrat e Gjendjeve Civile. Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë të obligueshme në regjistrat e lartë-cekur, në vendin në të cilin ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend ose në ndonjë vend tjetër.
Me rastin e shfrytëzimit të këtyre informatave të publikuara në këto raporte, ASK-ja do t’i pranojë sugjerimet dhe propozimet që do të ndihmojnë në të ardhmen t’i begatojmë përmbajtjet e këtyre raporteve.