Çmimet globale të pronave janë rritur ndjeshëm për më shumë se një dekadë, të nxitura nga normat e ulëta të interesit, por çfarë ndodh kur kostot e huamarrjes fillojnë të rriten?
Së shpejti mund ta zbulojmë.
Ndërsa inflacioni po rritet kudo, normat e interesit afër zeros së shpejti mund të rezultojnë të paqëndrueshme. Çmimet e sotme do të ishin të vështira për t’u ruajtur nëse normat e interesit do të shkonin në 5 përqind ose 6 përqind.
Tani për tani, pronat janë të shtrenjta. A mund të ndryshojë kjo situatë?
Nëse ndodh, kushdo me një hipotekë të madhe duhet të sigurohet se mund të përballojë shlyerjen e saj, ndërkohë që blerësit mund të mendohen dy herë përpara se të kryejnë një blerje të madhe.
Bankat qendrore i janë përgjigjur çdo krize duke i ulur normat e interesit gjithnjë e më shumë, por tashmë nuk ka ngelur rrugë tjetër përveç rritjes së tyre.
Javën e kaluar, Indeksi Global i Pasurive të Paluajtshme nga UBS tha se rreziku i një “korrigjimi të rëndë çmimi” është rritur gjatë vitit të kaluar.
UBS dalloi në veçanti Frankfurtin, Toronton dhe Hong Kongun, si qytetet që shfaqin nivelet më të larta të rrezikut, nga 25 tregjet kryesore të banesave.
Mynihu, Zyrihu, Vankuveri, Stokholmi, Amsterdami dhe Parisi janë gjithashtu në “zonën e rrezikut të dyfishtë”. Po ashtu edhe qytetet e mëdha amerikane si Majami, Los Anxhelosi, San Francisko, Bostoni dhe Nju Jorku.
Pabarazitë e tregut të banesave janë gjithashtu të dukshme në Tokio, Sidnei, Gjenevë, Moskë, Tel Aviv dhe Singapor, sipas UBS.
Dubai është tani i vetmi treg që klasifikohet në një kategori rreziku më të ulët se vitin e kaluar.
Pandemia e Covid-19 i kufizoi shumë njerëz brenda katër mureve të shtëpisë dhe tashmë njerëzit janë të gatshëm të paguajnë më shumë për një strehim të mirë, thotë Claudio Saputelli, kreu i pasurive të patundshme në UBS Global Wealth Management.
Normat e hipotekave janë ende të lira dhe konsumatorët kanë krijuar kursime gjatë karantinës.
Pyetja kryesore është nëse Rezerva Federale e SHBA-së do t’i përgjigjet kërcënimit në rritje të inflacionit duke ulur stimujt ekonomikë dhe duke rritur normat e interesit.
Deri tani, bankat qendrore kanë ngulur këmbë se rritja aktuale e inflacionit është “kalimtare”.
Kërcënimi i inflacionit pritet të vazhdojë. Gjermania ka raportuar inflacionin e çmimeve me shumicë në nivelin prej 13.2 përqind, norma më e lartë që nga fillimi i viteve 1970.
Por edhe nëse normat e interesit fillojnë të rriten, ka tre arsye pse njerëzit nuk duhet të shqetësohen shumë për një rënie të mundshme të çmimit të banesave.
Së pari, nuk ka shumë pritshmëri që normat e interesit të rriten kaq lart. Së dyti, shumica e pronarëve do të tregohen të kujdesshëm duke marrë me qira në vend që të shesin dhe të dalin me humbje. Së treti, kërkesa për prona vazhdon të tejkalojë ofertën.
Ditët e rritjes së madhe të çmimeve të shtëpive mund të kenë kaluar, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndihen pasoja. /monitor/