Facebook është përballur me sinjalizues, raportime te tmerrshme nga mediat dhe hetimet e Kongresit vitet e fundit. Por tani ajo përballet me një kombinim të treja këtyre në të njëjtën kohë në atë që mund të jetë kriza më intensive dhe më e gjerë në historinë 17-vjeçare të kompanisë.
Të premten, një konsorcium prej 17 organizatash të lajmeve amerikane filluan të botojnë një seri historish – të quajtura kolektivisht “The Facebook Papers” – bazuar në qindra dokumente të brendshme të kompanisë, të cilat u përfshinë në zbulimet e bëra nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe të ofruara për Kongresin në formën e redaktuar nga këshilltari ligjor i Françes Haugen, sinjalizues i Facebook.
Dokumentet përfshijnë histori rreth mënyrës se si grupet e koordinuara në Facebook mbjellin mosmarrëveshje dhe dhunë, duke përfshirë 6 janarin, si dhe sfidat e Facebook për moderimin e përmbajtjes në disa vende jo anglishtfolëse dhe se si trafikantët e qenieve njerëzore kanë përdorur platformat e saj për të shfrytëzuar njerëzit.
Raportet nga CNN dhe mediat e tjera që janë pjesë e konsorciumit, pasojnë një muaj investigime intensive për kompaninë. Ëall Street Journal më parë publikoi një seri historish të bazuara në dhjetëra mijëra faqe të dokumenteve të brendshme të Facebook-ut të zbuluara nga Haugen.
Aktualisht nuk ka fund në horizont për problemet e Facebook. Anëtarët e nënkomisionit kanë bërë thirrje që CEO i Facebook Mark Zuckerberg të dëshmojë. Dhe të premten, një tjetër ish-punonjës i Facebook në mënyrë anonime paraqiti një ankesë kundër kompanisë, me akuza të ngjashme me ato të Haugen.