Inflacioni vjetor gjatë shtatorit në Eurozonë rritet në 3.4 për qind

Inflacioni në Eurozonë u rrit në 3.4 për qind në muajin shtator, i nxitur kryesisht nga çmimet më të larta të energjisë.

Siç njofton Zyra Evropiane e Statistikave, norma vjetore e inflacionit ishte 3 për qind në gusht dhe minus 0.3 për qind në shtator 2020.

“Kontributi më i madh në normën vjetore të inflacionit në Eurozonë vjen nga energjia (1.63 pikë përqindje), e ndjekur nga shërbimet (0.72 pikë përqindje), mallrat industriale jo energjetike (0.57 pikë përqindje) dhe ushqimi, alkooli dhe duhani (0.44 pikë përqindje)”, thuhet në raport.

Kjo normë në BE u rrit në 3.6 për qind në shtator nga 3.2 për qind në gusht, ndërsa norma ishte 0.3 për qind në shtator 2020.

Krahasuar me gushtin, inflacioni vjetor shënoi rënie në një shtet anëtar, mbeti i qëndrueshëm në një tjetër dhe shënoi rritje në 25 vende të tjera.

Shkalla më e lartë vjetore e inflacionit prej 6.4 për qind u regjistrua në Estoni dhe Lituani, e ndjekur nga Polonia me 5.6 për qind.

Malta me 0.7 për qind, Portugalia me 1.3 për qind dhe Greqia me 1.9 për qind, kishin normat më të ulëta të inflacionit në shtator.

Në baza mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0.5 për qind si në të gjitha vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe në Eurozonë në shtator. /Telegrafi/

 

Artikulli paraprak20 punëdhënësit më të mirë në botë
Artikulli tjetërRimëkëmbja nga pandemia COVID-19, Banka Botërore: Kosova duhet të përqendrohet në krijimin e vendeve të punës