Ministrat britanikë arrijnë marrëveshje për prodhimin e CO2 për të lehtësuar pengesat e furnizimit me ushqime

Ministrat britanikë kanë arritur një marrëveshje për të rinisur prodhimin e dioksidit të karbonit (CO2) në një fabrikë në Teesside, si një përpjekje për të lehtësuar pengesat e mungesës së ushqimeve në vend.

Sekretari i biznesit, Kwasi Kwarteng, ka nisur bisedimet me firmën amerikane CF Industries, pasi kjo e fundit ndërpreu punën në fabrikat e plehrave kimike, për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Departamenti për Biznes, Energji dhe Strategji Industriale, tha se “marrëveshja afatshkurtër” me firmën amerikane, do t’i lejojë kompanisë të rifillojë menjëherë operacionet dhe të prodhojë CO2 në uzinën e saj në Billingham.

Më parë, Kwarteng sugjeroi se qeveria mund të ishte e gatshme t’i siguronte industrisë mbështetje financiare për të rifilluar punën pas paralajmërimeve se mungesa e gazit mund të shkaktonte probleme në furnizimin me ushqim.

Mungesa e CO2 në prodhimin e ushqimeve

Dioksidi i karbonit prodhohet si një nënprodukt nga një numër procesesh industriale, përfshirë prodhimin e amoniakut, i cili përdoret në plehrat kimike.

Mbyllja e fabrikave të plehrave kimike ka çuar në një krizë të prodhimit të ushqimit, pasi CO2 është një nënprodukt i këtij procesi dhe përdoret për të trullosur kafshët për therje, si dhe në pjekjen dhe paketimin e mishit, qumështit dhe sallatave.

Kryeministri Boris Johnson tha se qeveria po merrte “hapa të drejtpërdrejtë” për të mbrojtur furnizimet që varen nga prodhimi i CO2, megjithëse qeveria nuk ka konfirmuar zyrtarisht një marrëveshje.

Shitësit me pakicë dhe furnizuesit kishin paralajmëruar të hënën se supermarketet do të kishin mungesë të mishit të shpendëve, derrit dhe disa ushqimeve të tjera të freskëta, deri në fund të javës së ardhshme, nëse qeveria nuk ndërmerrte veprime.

“Do të jetë një sfidë e vërtetë nëse ka mungesë të CO2 deri në atë pikë sa thertoret nuk mund të përpunojnë dot mishin e shpendëve. Ne kemi shpresë se qeveria do të ndërhyjë”, tha Richard Griffiths, shefi ekzekutiv i Këshillit Britanik të Shpendëve.

Sindikata Kombëtare e Fermerëve bëri thirrje për qartësi urgjente mbi atë çka ishte rënë dakord. Minette Batters, presidentja e sindikatës, tha: “Përdoruesit e dioksidit të karbonit nuk u paralajmëruan fare se furnizimet do të ndërpriteshin. Ky është një tregues i dështimit të tregut në një sektor që mbështet infrastrukturën tonë kombëtare në mënyrë kritike. Nevojitet qartësi urgjente për detajet, përfshirë afatet dhe vëllimet e përcaktuara në marrëveshje”.

Ian Wright, shefi ekzekutiv i Federatës së Ushqimit dhe Pijeve, tha për BBC Radio 4 se mungesat e CO2 ishin “një krizë e vërtetë” duke shtuar: “Sistemi që mbështet supermarketet dhe industrinë e hotelerisë është nën presionin më të madh që ka qenë në 40 vitet e fundit”.

Andrew Opie, drejtori në Konsorciumin Britanik të Shitjes me Pakicë, që përfaqëson të gjitha supermarketet kryesore, tha: “Ne mirëpresim njoftimin e një marrëveshjeje për të rikthyer prodhimin e CO2 në nivelet normale. Duke ndërmarrë veprime vendimtare për këtë çështje të rëndësishme, qeveria do të ndihmojë në parandalimin e problemeve të furnizimit që vijnë nga mungesat e CO2″./ The Guardian

Artikulli paraprakUdhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë do të jetë vendimtar për ekonominë e vendit
Artikulli tjetër7 gjëra që nuk na mungojnë aspak nga ambienti i punës