Borxhi global arriti një rekord të ri prej afro 300 trilionë dollarë në tremujorin e dytë, por raporti i borxhit ndaj PBB-së ra për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, ndërsa rritja ekonomike u përshpejtua, tha Instituti i Financave Ndërkombëtare (IIF) këtë javë.
Nivelet totale të borxhit, të cilat përfshijnë borxhin e qeverisë, familjeve, korporatave dhe bankave, u rritën me 4.8 trilionë dollar, duke arritur në 296 trilionë dollarë në fund të qershorit, pas një rënieje të lehtë në tremujorin e parë, duke qëndruar në shifrën 36 trilionë dollarë mbi nivelet para pandemike.
“Nëse huamarrja vazhdon me këtë ritëm, ne presim që borxhi global të tejkalojë 300 trilionë dollarë,” tha Emre Tiftik, drejtori i kërkimit mbi qëndrueshmërinë në IIF.
Rritja e niveleve të borxhit ishte më e larta në tregjet në zhvillim, ku borxhi total u rrit me 3.5 trilionë dollarë në tremujorin e dytë, duke arritur në gati 92 trilionë dollarë.
Në një shenjë pozitive për perspektivën e borxhit, IIF raportoi një rënie të raportit global të borxhit ndaj PBB-së, për herë të parë që nga shpërthimi i krizës së koronavirusit.
Borxhi si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ra në rreth 353% në tremujorin e dytë, nga një rekord prej 362% në tre muajt e parë të këtij viti.
IIF tha se nga 61 vendet që monitoroi, 51 regjistruan një rënie të niveleve të borxhit ndaj PBB-së, kryesisht si pasojë e rimëkëmbjes së fortë të aktivitetit ekonomik.
Por shtoi se në shumë raste, rimëkëmbja nuk ishte aq e fortë sa të stabilizonte raportet e borxhit nën nivelet para-pandemike
Sipas IIF, raportet totale të borxhit ndaj PBB-së, duke përjashtuar sektorin financiar, janë nën nivelet para-pandemike në vetëm pesë shtete: Meksikë, Argjentinë, Danimarkë, Irlandë dhe Liban.
Kina ka përjetuar një rritje më të madhe të niveleve të borxhit në krahasim me vendet e tjera, ndërsa borxhi i tregjeve në zhvillim duke përjashtuar Kinën, u rrit në një rekord të ri në 36 trilionë dollarë në tremujorin e dytë, i nxitur nga rritja e huamarrjes së qeverisë.
IIF vuri në dukje se pas një rënieje të lehtë në tremujorin e parë, borxhi në ekonomitë e zhvilluara – veçanërisht në Eurozonë – u rrit përsëri në tremujorin e dytë.
Në Shtetet e Bashkuara, akumulimi i borxhit prej rreth 490 miliardë dollarësh ishte më i ngadalti që nga fillimi i pandemisë, megjithëse borxhi i familjeve u rrit me një ritëm rekord.
Globalisht, borxhi i familjeve u rrit me 1.5 trilion dollarë në gjashtë muajt e parë të këtij viti duke arritur në 55 trilion dollarë. IIF vuri në dukje se pothuajse një e treta e vendeve në studimin e saj shënuan një rritje të borxhit të familjeve.
“Rritja e borxhit të familjeve ka qenë në përputhje me rritjen e çmimeve të shtëpive në pothuajse çdo ekonomi të madhe në botë,” tha Tiftik nga IIF.
Emetimi total i qëndrueshëm i borxhit ka tejkaluar 800 miliardë dollarë deri tani, tha IIF, dhe emetimi global parashikohet të arrijë në 1.2 trilion dollarë në vitin 2021./ Reuter