Interesat jashtë pune mund t’ju bëjnë më produktivë

Hobit “ofrojnë një dimension në jetën tonë” – thotë Robert Cross, i cili ka studiuar zakonet dhe rrjetet sociale të high performers për 20 vjet. Dimensioni është diçka e mirë – ai ju bën të ndiheni qenie njerëzore në 360 gradë, të cilat kanë më shumë arsye për të jetuar se sa një pagë e thjeshtë.

Angazhimi në interesa të jashtme mund t’ju bëjë të ndiheni se i keni gjërat në kontroll, të angazhuar dhe të qetë – dhe si rrjedhojë të jeni më të përqendruar, energjik dhe të përballoni më mirë vështirësitë në punë – thotë Kevin Eschleman, profesor i asociuar i psikologjisë në San Francisco State University, i cili studion krijimtarinë.

“Nëse jeni rraskapitur apo të zemëruar në punë, një hobi mund t’ju ndihmojë ‘ta harroni’ – thotë ai. Kjo mund të jetë e dobishme për njerëzit që kanë përjetuar burnout (mbingarkesë) dhe nivele të larta stresi”.

Ka disa mënyra se si mund ta kaloni kohën e lirë, të cilat mund t’ju bëjnë më të lumtur në punë.

Diversifikoni – Cross thotë se njerëzit e lumtur dhe të qëndrueshëm janë shpesh pjesë e një grupi që përmbush nevojat shpirtërore, një që angazhohet intelektualisht (për shembull në një klub libri), një që është për stërvitje dhe një tjetër i cili lidhet me artin (le të themi të shkosh në një muze, apo të shikosh një film).

Qëndroni të angazhuar Shumë 20-vjeçarë kanë një sërë interesash dhe miq. Pastaj jeta rrjedh. “Njerëzit arrijnë në fund të 30-ave dhe në fillin të 40-ave dhe veçanërisht nëse janë kryefamiljarë, akumulohet një mal me punë dhe përgjegjësi familjare” – thotë Cross. “Ata nisin të braktisin grupet që i mbanin të angazhuar, dhe shëndeti i tyre fillon të përkeqësohet. Profesori thotë se hobet zvogëlojnë stresin në një fazë të jetës kur shumë janë të “bombarduar nga mikrostrese” që të shpërqendrojnë nga puna dhe përkeqësojnë aftësinë për t’u përqendruar.

Jini krijues – Aktivitetet krijuese – dekorimi i tortave, skalitja, shkrimi i tregimeve të shkurtra etj., – ju ndihmojnë të përmbushni nevojat themelore psikologjike si autonomia, që nëse shpërfillen mund të shkaktojnë ankth, depresion dhe motivim të ulët. “Ju po merrni një ndjenjë kontrolli dhe po mësoni aftësi të reja – ndonjëherë jeni të qetë, e shpesh të zhytur në punë – kështu që është e vështirë të mendoni për kolegun tuaj” – thotë Eschleman.

Jepni një shtysë – Shpesh harrojmë se puna na ofron përvojë. Ndarja e kësaj nëpërmjet mentorimit apo vullnetarizmit, në mënyra të tjera na jep një lidhje të vërtetë dhe një qëllim të mirë që shpesh mungon në punë. “Jam i befasuar nga fakti se vullnetarizmi ka me të vërtetë rëndësi” thotë Cross.

Mos u sforconi – Eschleman këshillon se objektivi nuk është ai që të ‘koleksiononi’ aktivitete. Ju nuk po ndërtoni një CV për t’i bërë përshtypje rekrutuesve në një kompani. “Nëse keni punuar shumë dhe keni respektuar afatet, ajo për çfarë keni nevojë është qetësia” – thotë ai. “Ka të bëjë me atë çfarë ai aktivitet bën për ju. Njerëzit duhet të jenë introspektivë për atë që po marrin nga përvoja”.

/ *Arianne Cohen, Bloomberg

Artikulli paraprakGoogle e tranformon Gmail-in në një platformë ku mund të bëhen thirrje telefonike
Artikulli tjetërKriteret për subvencionim të qumështit, SHPQK del me kërkesë për Ministrinë e Bujqësisë