Lufta kundër ndryshimeve klimatike do të krijojë 8 mln vende të reja pune

Sipas një studimi, tranzicioni ekologjik do të krijojë miliona vende pune. Një model na ndihmon të kuptojmë më së miri se si do të shpërndahen në nivel lokal dhe global. Sfidë do të jetë rikualifikimi dhe zhvendosja e punonjësve

 

Shumë frikësohen se tranzicioni drejt “Green” (energjisë së gjelbër) mund të shkaktojë humbjen e shumë vendeve të punës. Nëse disa vende pune do të zhduken, është po aq e vërtetë se do të lindin shumë mundësi të reja. Këtë e tregojnë disa hulumtime, të shoqëruara me shifra.

Sipas një studimi të publikuar në revistën “One Earth”, adoptimi i politikave për të mbajtur temperaturën nën 2 gradë Celsius mund të nxisë krijimin e rreth 8 milionë vendeve të reja të punës në nivel global. Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme që të ketë politika dhe strategji të mirëstrukturuara, për të ndihmuar punonjësit në kalimin nga teknologjitë e vjetra tek ato të reja.

 

Ndryshimi i botës së punës

Studimi mbështetet në një model të ri, të krijuar nga shkencëtarët e University of British Columbia në Kanada në bashkëpunim me Centro euro-Mediterraneo sui cambiamenti climatici (Qendrën Euro-Mesdhetare mbi Ndryshimet Klimatike) në Milano. Modeli mbështetet në të dhënat e prodhimit dhe punës nga 50 vende të botës. Simulimet nxjerrin në pah që veprimet e nevojshme – urgjente – për të luftuar ndryshimet klimatike, do të revolucionarizojnë edhe në botën e punës.

Brenda vitit 2050, më shumë se 80% e përdorimeve të lidhura me energjinë do të jenë në sektorin e energjisë së rinovueshme. Në veçanti, me energjinë diellore dhe të erës do të lidhen 84% e vendeve të punës në këtë fushë, në energjinë bërthamore, 5%, ndërsa me lëndët djegëse fosile, 11%.

 

Nga fosilet tek energjitë e rinovueshme

Energjia e erës dhe ajo diellore përfaqësojnë pjesën më të madhe të tregut dhe do të krijojnë miliona vende të reja pune. Shkencëtarët vlerësojnë se humbja e vendeve të punës të lidhura lëndët djegëse fosile do të jetë rreth 9 milionë në nivel global, me hipotezën se do t’ia dalin të qëndrojnë nën 2 °C, sipas Marrëveshjes së Parisit. “Punët e lidhura me fosilet mund të ulen ndjeshëm nga 12,6 në 3,1 milionë” – shkruajnë autorët e studimit .

Por vendet e punës që do të mbyllen do të balancohen nga po aq me mundësi të reja. Sipas modelit do të krijohen rreth 7.7 milionë vende të reja pune, mbi të gjitha në sektorin e prodhimit. Problemi është se si do të shpërndahen ato, duke qenë se zhvendosja e tyre nuk është e njëtrajtshme.

Për këtë është e rëndësishme të vlerësohen, si në nivel lokal, edhe në plan më të gjerë, se si të organizohet puna dhe të lehtësohet rikualifikimi i personelit, si dhe aksesi ndaj vendeve të reja të punës. Në këtë prizëm, studimi ofron një mjet konkret për të vlerësuar numrin e vendeve të reja të punës që mund të krijohen në të tillë sektorë. Këto dhe vlerësime të tjera mund të jenë shumë të dobishme, për hartuesit e politikave, institucionet, organizatat joqeveritare dhe sindikatat, për të kuptuar nëse është e mundur të rishpërndahen punonjësit dhe në çfarë mënyre – theksojnë autorët e studimit.

 

Nëse Kina humbet më shumë vende pune

Aktualisht, Kina, mjaft e angazhuar në energjitë e rinovueshme, mund të pësojë një humbje të konsiderueshme vendesh pune të lidhura me lëndët djegëse fosile. Ndërkohë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, bilanci mund të jetë pozitiv, për shkak të zgjerimit më të madh të energjive të rinovueshme.

Kina ka bërë një hap të madh përpara vitet e fundit, thonë autorët, duke theksuar se ndryshimet mund të jenë shumë të shpejta. “Të dhënat mbi impiantet fotovoltaike diellore tregojnë se megjithëse kompanitë kineze hynë në treg vetëm në vitin 2000, 20 vite më vonë pasi hodhën hapat e parë në këtë sektor, ato zotërojnë tani më shumë se gjysmën e të gjitha impianteve të prodhimit” – shkruajnë autorët e hulumtimit.

Artikulli paraprakEkonomitë e mbështetura në turizëm përballen me verën e dytë të vështirë të Covid
Artikulli tjetërVlerat që karakterizojnë kompanitë dhe 14 parimet që udhëheqin Amazon